MAIN

Covid: Çfarë është vaksina mRNA, dhe si funksionon ajo

Nëse lajmi për një vaksinë anti-Covid 90 për qind efektive të prodhuar nga “Pfizer” konfirmohet nga të dhënat shkencore, ne mund të fillojmë të shpresojmë për një pikë kthese në luftën globale kundër pandemisë.

Ndërsa presim prova më të forta mbi testimin e kësaj vaksine mARN, me ndihmën e një eksperti, po ju shpjegojmë diçka më shumë në lidhje me teknologjinë revolucionare, në të cilën është bazuar kjo vaksinë.

Çfarë është mARN-ja?

mRNA, ose ARN mesazhere është materiali gjenetik që përmban udhëzimet për sintezën e proteinave të reja. Normalisht ajo mbart informacionin gjenetik të kodifikuar nga ADN-ja e bërthamës qelizore në citoplazmën qelizore, ku këto udhëzime përdoren për të bashkuar blloqet ndërtuese të proteinave dhe aminoacideve.

Ky proces shërben për të ndërtuar, riparuar dhe mirëmbajtur funksionet themelore biologjike. Trupi ynë di ta bëjë këtë gjë, dhe e bën vazhdimisht. Viruset nuk përbëhen nga qeliza me bërthama, ndaj s’ka kuptim që të flasim për ARN mesazhere.

“Një virus, është si një lajm i keq i mbështjellë në një gazetë”- thotë Xhuzepe Noveli, profesor i Gjenetikës Njerëzore në Universitetin Tor Vergata në Romë: “Koronavirusi SARS-CoV 2, është një fije e vetme e ARN-së e përbërë nga 30.000 blloqe ndërtimi, dhe e mbështjellë me një proteinë në formë guacke. Kur infekton një qelizë, molekula e ARN çlirohet dhe e përdor makinerinë qelizore për të bërë kopje të vetvetes”.

Një vaksinë mARN, si ajo e zhvilluar nga “Pfizer” dhe “BioNTech”, ose si e kompanisë tjetër farmaceutike “Moderna” , përmban “recetën” për të krijuar proteinat kryesore që e ndihmojnë koronavirusin SARS-CoV-2 të infektojë trupin, siç është proteina në formë gozhde, që është çelësi i hyrjes në qeliza.

Studiuesit prodhuan më pas segmente të vogla të ARN-së në laborator, që pasi kapen në qelizat tona, drejtojnë formimin e proteinave të lartpërmendura, dhe jo gjithçka tjetër që i duhet virusit për të infektuar qelizat e tjera. Por proteina e prodhuar në këtë mënyrë, është e mjaftueshme për të stimuluar prodhimin e antitrupave.

Po si funksionon një vaksinë  e tillë?

Pasi vaksina injektohet në trupin e njeriut, qelizat e marrin ARN brenda një “zarfi” të vogël yndyre (për të hyrë në qeliza), dhe e përdorin atë si një model për të prodhuar proteina virale. Në vetvete pa pjesën tjetër të virusit, ky sulm është i padëmshëm, por mjafton për ta alarmuar sistemin imunitar, duke e nxitur të prodhojë antitrupa.

Në atë moment, nëse një person i vaksinuar do të “ndeshë” koronavirusin SARS-CoV-2, antitrupat e tij do të njohin, pasi trupi e ka kaluar me sulmin e vaksinës së simuluar, dhe në shumicën e rasteve do të veprojë në përputhje me rrethanat. Sistemi juaj imunitar, do ta njohë dhe do e sulmojë virusin para se ai të shkaktojë infeksionin.

Cilat janë përparësitë?

Prej disa vitesh, një numër i vogël kompanish sikurse është “BioNTech”, partneri i “Pfizer” dhe protagonisti i vërtetë i zhvillimit të kësaj vaksine, kanë studiuar teknologjinë e mARN, për të zhvilluar trajtime kundër kancerit dhe disa sëmundjeve gjenetike të rralla.

Kur koronavirusi i ri filloi të përhapej në pranverën e këtij viti, studiuesit i përshtatën shpejt kërkimet me profilin gjenetik të SARS-CoV-2, i cili ishte sekuencuar në laboratorë të ndryshëm në botë. Teknologjia bazohet në thelb në sekuencën gjenetike të virusit (një patogjen me një shkallë shumë të ulët mutacioni), që në një farë kuptimi, e ka bërë më të lehtë drejtimin e studimit në atë drejtim.

Procesi i prodhimit, është gjithashtu më i shpejtë. Në vend se të prodhojmë viruse të varfëruar, vektorë viralë ose proteina që kanë karakteristikat tipike të atyre virale (me të njëjtat sheqerna në sipërfaqe dhe të njëjtën strukturë të saktë 3D), ne i përkushtohemi vetëm sekuencave të ARN-së, një proces më i thjeshtë dhe më i lirë, lehtësisht i kopjueshëm në disa laboratorë, i transferueshëm në objekte të tjera, dhe gjithashtu i përdorshëm kur është e nevojshme të synohet jo vetëm një, por disa antigjene.

“Mbi të gjitha, sistemi është i gjithanshëm, pasi ju lejon të gjeneroni segmente të reja të ARN në kompjuter, t’i sintetizoni ato, dhe t’i përdorni për të stimuluar antitrupa të tjerë”- shpjegon Noveli.

Cilat janë kufizimet?

Por për të luftuar viruset, është gjithashtu e nevojshme të aktivizohen qelizat B, të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e antitrupave që shënjestrojnë patogjenin si një objektiv që duhet shkatërruar. Me këto lloj qelizash, të cilat nuk hyjnë në lojë kundër tumoreve, ka ende pak përvojë.

Provat e ndryshme klinike për vaksinat e ARN-së kundër gripit, citomegalovirusi, HIV-it, virusin e Tërbimit dhe Zika-n, nuk kanë arritur kurrë në fazën e provës njerëzore. Në vaksinën kundër Covid-it “problemi i vërtetë që unë shoh, është i lidhur me ruajtjen në të ftohtë”, thekson Noveli.

“ARN është e paqëndrueshme, dhe duhet të ruhet në temperatura të paktën -70 °C. Kjo mund të çojë në probleme të rëndësishme teknike dhe logjistike në vendet në zhvillim”- thekson ai. Nevojiten frigoriferë speciale, një sfidë që nuk është kudo e lehtë, dhe aq më tepër në zonat ku tashmë është e vështirë të shkohet dhe të ruhen ilaçet në frigorifer. / Focus – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button