MAIN

Covid: Gjenden gjurmët e një imuniteti para-ekzistues ndaj virusit

Antitrupat me efekt mbrojtës ndaj Covid-19, mund të jenë të pranishëm edhe tek njerëzit që nuk janë prekur kurrë nga një infeksion SARS-CoV-2. Ky skenar, hap perspektiva interesante në kërkimin e një vaksine anti Covid-19, dhe mund të shpjegojë pjesërisht së përse fëmijët dhe adoleshentët, duket se kanë simptoma më pak shqetësuese nga kjo sëmundje.

Në një studim të botuar në revistën “Science”, studiuesit nga Instituti Frensis Krik dhe Universitetit të Kolegjit në Londër (Britani e Madhe), shpjegojnë se ata gjetën imunitet humoral para-ekzistues (një formë e mbrojtjes së ndërmjetësuar nga antitrupat) në një përqindje të vogël të njerëzve, që në kohën e analizës nuk ishin pozitive ndaj Covid-it.

Një kujtim që bëhet i dobishëm

Tek 16 nga 302 të rritur të analizuar (5.3 për qind), u pa se kishin një klasë të veçantë antitrupash, IgG, të zhvilluar pas një kontakti të mëparshëm me koronavirusët sezonalë, ata

që shkaktojnë të ftohurën e zakonshme.

Imunoglobulinat IgG, janë një lloj antitrupash që prodhohet në fazën e dytë të infeksioneve, dhe janë tregues i një imuniteti të arritur (për kohëzgjatjen e të cilit nuk ka siguri). Antitrupat e zbuluar, janë reaktivë edhe ndaj virusit SARS-CoV-2, pasi ato synojnë një proteinë të veçantë virale – S2 – që lehtëson sulmin ndaj qelizave njerëzore.

Kjo pjesë e strukturës së jashtme të patogjenit, mbetet e ngjashme midis koronavirusëve të ndryshëm. Prania e këtyre antitrupave, mund të ketë një ndikim në ashpërsinë e sëmundjes në rastin e infeksionit, apo edhe në aftësinë për ta shpërndarë virusin

Por është shumë ndryshe nga profili imunitar që zhvillon dikush, që është prekur nga Covid-19. Në fakt, ata që janë shëruar nga Covid-19, tregojnë nivele më të larta të IgG të drejtuara gjithashtu drejt të gjitha pjesëve funksionale të virusit, si dhe imunoglobulinave të tjera, IgM dhe IgA.

Faktori demografik

Prania e antitrupave të mëparshëm IgG, të aftë për një reagim të kryqëzuar ndaj SARS-CoV-2, duket të jetë shumë më e lartë në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Ajo ishte e dukshme në të paktën 21 nga 48 subjektet e analizuara (43.8 për qind). Të rinjtë mund të kenë pasur ekspozimin më të fundit më lehtë ndaj një koronavirusi, dhe sistemet e tyre imune janë gjithashtu më të afta për t’u mbrojtur infeksionet e reja.

Mbrojtje në një spektër më të gjerë?

Një efekt i mundshëm mbrojtës, për shkak të imunitetit të tërthortë ndaj koronavirusit, ishte hipotetizuar gjithashtu edhe për virusin SARS, dhe kjo në vetvete është për t’u habitur. Por zbulimi mund të ndihmojë jo vetëm në zhvillimin e vaksinave të reja, por gjithashtu të hapë perspektiva të reja të mbulimit për ata që janë aktualisht nën studim.

Në fakt, imuniteti i tërthortë vepron në të dyja drejtimet, dhe është e mundur që një vaksinë anti-Covid të mbrojë gjithashtu nga koronavirusët e tjerë më pak të rrezikshëm, siç janë ato të të ftohurës së zakonshme. / Focus – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button