Fakte tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me grupin terrorist, të arrestuar në Itali e Shqipëri dy ditë më parë, në operacionin e quajtur “Martesa”, ku në pranga ranë dy familje, njëra shqiptare dhe tjetra italiane, të cilat kishin lidhur krushqi mes tyre. Mediet italiane kanë zbardhur disa biseda të bërë në “Skype”, të përgjuara nga shërbimet sekrete, falë të cilave është zbuluar aktiviteti i celulës terroriste italo-shqiptare. Të gjitha këto përgjime, së bashku me aktivitetin e çdonjërit prej anëtarëve të celulës, janë pjesë e dosjes prej 42 faqe, përgatitur nga hetuesi i prokurorisë së Milanos, Ambroxhio Moçia.
Në dosje shkruhet se shqiptari Aldo Kobuzi, i vetëquajtur Said, është përgatitur si luftëtar i Shtetit Islamik në një kamp ushtarak në Irak, më pas është transferuar në Siri, ku ka marrë pjesë në disa aksione të dhunshme me rolin e një muxhahedini. Sipas medieve italiane, arsyeja e martesës mes Aldo Kobuzit e Maria Giulia Sergio ka qenë pikërisht mundësia për të lejuar italianen e konvertuar në islam, për të hyrë në territorin e Shtetit Islamik.
Përgjimet telefonike nisin qysh në tetorin e 2014-s e marrin fund më 8 qershor 2015. Mes tyre janë dhe bisedat e Donika Çokut, nënës së Aldo Kobuzit, me familjarët e saj në Shqipëri. Më 10 shkurt 2015, Donika Çoku shprehet: “Më dridhet trupi, pasi mora pjesë në prerjen e kokave të dy kosovarëve… ia prenë vërtetë”. Biseda të ngjashme zhvillohen dhe mes Aldo Kobuzit, i cili ndodhet në Siri dhe të afërmve të tij në Shqipëri. Ai shprehet krenar për aktet e dhunshme të kryera në emër të Allahut.
Më 8 prill 2015, Maria Giulia Sergio apo ndryshe Fatima az Zahra, e shoqja e Aldo Kobuzit, ndërsa flet me të motrën, Marianën, tregon se si bashkëshorti i saj, Aldo, ka marrë pjesë në groposjen e gjallë të një personi të akuzuar për tradhti bashkëshortore. “Ne këtu në Siri po vrasim të pafetë për të zgjeruar territorin e Shtetit Islamik. Iku koha e myslimanit që jeton në tokën e të pafeve. Luftëtarët e Allahut janë të fortë, inteligjentë, të mrekullueshëm, braktisin fëmijët, gratë, shtëpitë e paratë e vijnë në Siri për të luftuar”, thotë Maria Giulia Sergio.
Në nëntor të 2014-s, pak ditë pasi Ministria e Brendshme italiane e shpalli Maria Giulia Sergion si një person të rrezikshëm e në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm, regjistrohet biseda telefonike mes saj e familjarëve në Itali. “Jemi të rrethuar nga gazetarët e nuk dalim dot nga shtëpia, jemi të burgosur këtu brenda, të akuzojnë për terrorizëm, Fatima”, thotë e ëma Assunta. Ajo i përgjigjet se ishte e informuar për ç’ka ndodhte, pasi i kishte treguar një motër nga Kosova, e cila kishte ndjekur kronikat televizive.
“Po ti mama mos u shqetëso, vallahi, në emër të Allahut do të dhuroj xhenetin, për ty, për Marianën, për babin, për Saidin (Aldo Kobuzi), për veten time, për të gjithë që këta të pafe i quajnë terroristë, kur terroristë janë ata vetë. Mama ti mos u shqetëso për asgjë, vetëm duhet të tregohesh shumë e kujdesshme, nuk duhet të flasësh më në telefon, as të më shkruash, nëse ju pyesin thojini se nuk dini asgjë se ku ndodhet vajza juaj”, vijon bisedën italiania Maria Giulia Sergio (Fatima).
Më 30 mars 2015, në një tjetër bisedë në “Skype”, ndërsa nxit motrën e prindërit e saj për të udhëtuar drejt Kalifatit, Maria Giulia Sergio tregon dhe për disa rekrutues të Shtetit Islamik, aktiv në territorin italian. “Mama, ti mos u preokupo për asgjë, Allahu do të lehtësoj gjithçka. Ti shiti mobiliet e inshallah përgatitu për Hixhra (udhëtimi i shenjtë drejt Sirisë). Unë nga këtu do të organizoj gjithçka. Mos u preokupo për asgjë, pasi në Itali ka muhaxhedinë që do të organizojnë lidhjet. E rëndësishme është të mos flisni me askënd, flisni vetëm me Allahun”, thotë ajo. Ndërkohë, babai i Marias kërkon të dijë nëse në Siri mund të blejë një makinë e të ketë një patentë. Maria i përgjigjet: “Këtu në Siri nuk duhet patentë. Saidi (Aldo Kobuzi) ka marrë patentë si muhaxhedin, si luftëtar i Allahut.
Do t’i jap ai makinës, mos u shqetëso baba për asgjë, Saidi (Aldo Kobuzi) në Shqipëri nuk kishte patentë, por dy muaj praktikë këtu në Siri mori gjithçka. Babi nëse shkon dhe ti në front me Saidin (Aldo Kobuzi) të japin makinë dhe kallashnikov”.Në dosjen prej 42 faqesh të prokurorisë italiane të operacionit të koduar “Martesa”, një kapitull të veçantë zë dhe doktrinuesja online e rekurtuesja e Shtetit Islamik, Bushra Haik, me origjinë siriane, me nënshtetësi kanadeze dhe e lindur më 1985 në Bolonja. Është ajo që ka bindur Maria Giulian të niset drejt Sirisë dhe është po ajo që pas largimit të Marias, vazhdon e ndjek përgatitjen e formimin islamik të motrës së saj, Mariana Sergio, shkruan Shekulli.
Kurse më 12 maj 2015, gjatë bisedës me motrën e saj Mariana, Maria Giulia (Fatima) tregon për objektivin final të luftëtarëve të Allahut, i cili është të mbërrijnë në Romë, ku do të zhvillojnë një betejë madhështore në emër të Allahut. “Duhet ta kuptoni, – thotë ajo, – se deri më sot ne kemi jetuar në tokën e të pafeve e kemi gabuar në gjithçka, pasi braktisëm mesazhin e Allahut. Asnjë mysliman nuk duhet të jetojë nën ligjet e të pafeve e ne vrasim për këtë, ky është xhihadi. Këtu ku ndodhem unë, muxhahedinët po marrin tërë tokën e Sirisë. Mungon dhe pak dhe disa qytete e inshallah ndodh sa më parë. Më pas do të shkojmë drejt Turqisë, Arabisë Saudite me betejën finale në Romë”. Në muajin janar të 2015-s, pak ditë pas atentatit terrorist në selinë e revistës “Charlie Hebdo” në Francë, Maria Giulia ndërsa flet me familjen e saj, shprehet e kënaqur për aktin e dhunshëm dhe për vdekjen e karikaturistëve e gazetarëve. “Faleminderit Allahut për vdekjen e atyre që talleshin me Profetin tonë të Madh”, thotë ajo.
Në bisedën e fundit, me të gjithë pjesëtarët e familjes, më 8 qershor të 2015, Maria Giulia i përcjell mesazhin e Kalifit Al Bagdadi. “Kush nuk mund të vijë në Siri duhet ta kryejë xhihadin në vendin ku ndodhet”, thotë ajo. E motra e pyet se si kryhet xhihadi në Itali e Maria përgjigjet se “xhihadi në Itali do të thotë të vrasësh të pafetë. Ata nuk e duan Shtetin Islamik”. /Telegrafi