Bota

Dark web ndihmoi autorët e masakrës në Christchurch të Zelandës së Re

Nga Jacob Aasland Ravdal

Në 3 dekadat e fundit, sulmet terroriste në shkallë të gjerë, të motivuara nga besime të ekstremit të djathtë, janë kryer thuajse ekskluzivisht nga aktorë të vetëm dhe celula të vogla autonome. Arsyeja është e thjeshtë. Ruajtja e një grupi të ekstremit të djathtë me ambicie terroriste, është diçka e pamundur sot në demokracitë perëndimore, për shkak të monitorimit të fortë të shtetit, dhe mungesës së mbështetjes së jashtme, dhe një strehimi të sigurt.

Një shembull i kohëve të fundit i ekstremistëve që u përpoqën, por nuk arritën të përgatisin ndonjë sulm, është grupi britanik “Veprimi Kombëtar”, udhëheqësit dhe aktivistët e të cilës, ndodhen aktualisht në burg të dënuar me burgim të përjetshëm. Kjo u lë dy mundësi revolucionarëve të ekstremit të djathtë: të veprojnë në publik, por të përmbahen nga sjelljet e paligjshme, ose të veprojnë në fshehtësi të plotë.

Çelësi për të kuptuar kërcënimin e sotëm terrorist, është të zbulohet bota e nëndheshme online, e cila është shndërruar në një terren ushqyes për ekstremistët bashkëkohorë të të gjitha llojeve, përfshirë autorët e masakrës në Kristçërç të Zelandës së Re.

Megjithatë mbetet çështja nëse një lëvizje aktuale e fshehtë, një rrjet aktivistësh të përkushtuar që punojnë së bashku, nëpërmjet aplikacioneve të koduara në internet, për të përgatitur sulmet e ardhshme terroriste, ekziston në mënyrë transnacionale. Askush nuk mund ta dijë me siguri, por duke parë sulmet e mëparshme, janë gjetur disa gjurmë që sugjerojnë që rrjete të tilla transnacionale, ekzistojnë sot brenda të djathtës ekstreme.

Shembulli më i spikatur, është celula terroriste e Qytetarëve Nacionalistë Gjermanë (NSU), e cila midis viteve 2000-2006, vrau 9 emigrantë dhe policë, dhe kreu të paktën 3 sulme të veçanta me bomba. Hetimet e policisëzbuluan se kjo celulë me 3 persona, kishte marrë mbështetje financiare dhe operacionale, nga një rrjet më i gjerë nëntokësor.

Përtej Gjermanisë, vende të tjera ku gjenden rrjete të nëndheshme të ekstremit të djathtë me ambicie terroriste, përfshijnë Italinë, Francën, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë. Në fakt, pas vitit 1990, numri i sulmeve vdekjeprurëse nga ana e ekstremit të djathtë për 1 milion banorë, ka qenë disa herë më i lartë në Rusi, se sa në çdo vend tjetër.

Demokracitë perëndimore, po përballen sot me dy lloj kërcënimesh të dhunshme nga e djathta ekstreme. Nga njëra anë, shumica e sulmeve janë spontane, dhe kryhen nga aktorë të paorganizuar me një motiv ekstremist, shpesh nën ndikimin e alkoolit ose drogës. Armët më të zakonshme që përdoren janë thikat, grushtet, shkopinjtë dhe shufrat e hekurit. Sulme të tilla, normalisht nuk klasifikohen si akte terroriste.

Nga ana tjetër, shumica e sulmeve në shkallë të gjerë me shumë viktima, kryhen nga aktorë të vetëm ose nga celula të vogla autonome. Këto sulme janë më të rralla, gjithmonë të paramenduara, dhe zakonisht në to përdoren armë zjarri dhe eksplozivë. Myslimanët janë bërë një objektiv parësor kohët e fundit, duke përfshirë edhe sulmin në Kristçërç.

Megjithatë, edhe pse po sulmojnë objektiva të ngjashëm, autorët po veprojnë në mënyrë të izoluar nga njëri-tjetri, pa një komunikim të drejtpërdrejtë, apo bashkëpunim formal mes tyre. Por kjo nuk do të thotë se këta aktorë të vetmuar dhe celula autonome, nuk frymëzohen nga njëri-tjetri.

Në manifestin e terroristit të Kristçërç, vrasësi masiv norvegjez, Anders Behring Breivik, quhet burimi i vetëm i vërtetë i frymëzimit. Më 22 korrik 2011, Breivik shpërtheu një bombë pranë godinës së qeverisë norvegjeze në zemër të Oslos, duke vrarë 8 persona, para se të vriste 69 njerëz të tjerë në Utoja, një ishull i vogël 37 km larg kryeqytetit, 158 persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

Shënjestrat e tij, përfaqësuesit e qeverisë dhe anëtarët e forumit rinor të Partisë Laburiste në pushtet, u zgjodhën qëllimisht si ‘tradhtarë marksistë kulturorë’, që kishin favorizuar qëllimisht një “pushtim musliman” të Norvegjisë. Sulmi terrorist i Breivik, ishte unik në disa aspekte. Përveç numrit të madh të vdekjeve, ai qe një nga ato raste kur autori i dhunës ishte tërësisht i vetë-radikalizuar në internet .Sulmi terrorist i Breivikut ishte unik në disa mënyra. Përveç numrit të madh të vdekjeve, ishte një nga disa raste kur autori i dhunës ishte plotësisht i vetë-radikalizuar në internet .Ai ishte i vetmi sulm kompleks i një ekstremisti të djathtë gjatë 3 dekadave të kaluara, që kombinoi eksplozivin me armët e zjarrit.

Por aspekti më i rëndësishëm i historisë së Breivik, është mungesa e mbështetjes që pati brenda lëvizjes pas sulmeve. Arsyeja kryesore, ka të ngjarë të jetë brutaliteti i sulmeve, si dhe fakti që ai vrau shumë fëmijë të bardhë. Rasti i parë i një personi të frymëzuar nga Breivik, mund të jetë arrestimi i fundit i një pjesëtari të Rojes Bregdetare të SHBA-së, që kishte planifikuar një sulm të madh kundër politikanëve dhe gazetarëve në Shtetet e Bashkuara, por që u arrestua para se të mund ta realizonte atë sulm.

Ndërkohë, i dyshuari për masakrën në Krisçërç, është pra i vetmi rast i qartë i një ndjekësi të vërtetë të Breivik. Ai lë pak dyshime për këtë, kur deklaroi  në manifestin e tij, se pasi kishte lexuar veprat e shumë të tjerëve, “ishte frymëzuar realisht nga Kalorësi i Drejtësisë Breivik”. Në të njëjtin manifest, ai pohon gjithashtu se kishte kontaktuar me “Kalorësit e Rilindur Templarë”, për të marrë bekimin e tyre në mbështetje të sulmit.

“Kalorësit e Rilindur Templarë”, ishte organizata imagjinare e Breivikut, të cilën ai e shpiku qëllimisht, për të frymëzuar sulmet e ardhshme. Është shumë herët të thuhet nëse kjo organizatë ka rilindur vërtet, apo nëse ekzistojnë anëtarë ose celula të tjera.

Ashtu si Breivik, terroristi i Krisçërç realizoi një auto-intervistë, duke shpjeguar motivimin e tij, përgatitjet dhe preferencat ideologjike. Veçanërisht, ai e justifikoi vrasjen e fëmijëve, duke argumentuar se “fëmijët e pushtuesve nuk qëndrojnë gjithmonë fëmijë, ata rriten dhe riprodhohen, duke krijuar më shumë pushtues për të zëvendësuar popullin tend”.

Vetë Breivik, nuk e justifikonte vrasjen e fëmijëve në manifestin e tij, por 33 nga viktimat e tij në Utoja ishin nën 18-vjeç. Madje 2 prej tyre ishin vetëm 14-vjeç. Manifesti i Breivik ishte ndërkohë 1.516 faqe i gjatë, në krahasim me manifestin prej 74 faqesh të terroristit të Kristçërç, dhe i shkruar në një gjuhë më të drejtpërdrejtë.

Duke pasur parasysh se terroristi i Kristçërç, shenjestroi xhamitë dhe myslimanët në vend të fëmijëve të bardhë, ai mund të gëzojë një status më të lartë brenda lëvizjes së nëndheshme terroriste se sa Breivik. Në fakt, ka që tani indikacione se anëtarët e forumeve të ekstremit të djathtë i mbështesin sulme të tilla.

Sulmi i së premtes, duhet të na kujtojë se në shumicën e demokracive perëndimore, numri i ngjarjeve vdekjeprurëse, të motivuara nga bindje e ekstremit të djathtë, është dukshëm më i lartë se ato të motivuara nga ekstremizmi islamik.

Thënë këtë, ai është kryesisht një kërcënim nëntokësor dhe i paorganizuar, dhe ata që formësojnë opinionin publik, duhet të jenë të kujdesshëm kur fajësojnë ata që veprojnë në sferën publike dhe brenda kufijve ligjorë, si partitë radikale të djathta apo lëvizjet kundër emigrantëve.

Ekziston një korrelacion negativ midis mbështetjes elektorale për partitë radikale të djathta në demokracitë perëndimore, dhe niveleve të sulmeve vdekjeprurëse me një motivim të ekstremit të djathtë. Ndërsa parti dhe lëvizje të tilla, mund të përbëjnë në disa raste kërcënim për vlerat demokratike dhe të drejtat e pakicave, kërcënimi i një dhune në shkallë të gjerë, vjen nga bota e nendhsshme e internetit, dhe politikëbërësit duhet të dinë më shumë, se përse disa njerëz tërhiqen nga ajo botë e errët.

Shënim: Jacob Aasland Ravndal, është bashkëpunëtor në Qendrën për Kërkime mbi Ekstremizmin në Universitetin e Oslos.

“Foreign Policy”

Leave a Reply

Back to top button