Bota

DASH publikon qindra email-e të reja të Hillary Clintonit

Screen Shot 2015-07-02 at 10.03.28

Tre mijë faqe e-maile ishin dërguar në muajt mars-dhjetor të vitit 2009 viti i parë kur zonja Clinton ishte në postin e Sekretares së Shtetit.

Në e-maile flitej për gjithçka, nga shqetësimet e përditshme për çështje të politikës së jashtme, me disa ndihmës të zonjës Clinton, me administratën Obama dhe kontakte të tjera, përfshirë ish-presidentin Jimmy Carter, i cili kishte ofruar të shkonte në Korenë e Veriut për të siguruar lirimin e dy amerikanëve të ndaluar nga regjimi komunist.

Clinton, e cila është favorite në garën e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, është kritikuar për përdorimin e e-mailit privat për korrespondencën kur ishte sekretare shteti në vitet 2009-2013.

Rivalët republikanë thonë se zonja Clinton e përdori llogarinë e saj private për ta mbajtur e-mailin e saj zyrtar larg rekordeve publike.

Një gjykatës federal e urdhëroi Departamentin e Shtetit, që t’i përmbahet një kalendari për publikimin e 55 mijë faqeve me e-maile të dërguara apo të marra nga zonja Clinton, kur ajo ishte kryediplomate e Shteteve të Bashkuara.

Grupi i parë i e-maileve u bë publik në muajin maj. Synimi është që departamenti të zbulojë për publikun 55 mijë faqe me e-maile deri në fund të janarit 2016.

E-mailet po redaktohen, bazuar në standardet e Aktit të Lirisë së Informacionit, duke bllokuar çdo informacion që lidhet me sigurinë kombëtare, privatësinë personale, sekretet e privilegjit dhe të tregtisë.

Republikanët e kanë shfrytëzuar çështjen e e-maileve, ndërsa theksojnë argumentin e tyre se administrata Obama ishte e papërgatitur për sulmet e vitit 2012 në Benghazi të Libisë, ku u vranë 4 amerikanë, mes tyre edhe ambasadori i SHBA atje.

Republikanët, duke këmbëngulur se administrata Obama përpiqej të fshihte natyrën terroriste të sulmit, kanë krijuar një Komision special për çështjen Benghazi në Dhomën e Përfaqësuesve.

Aleatë të zonjës Clinton thonë se paneli i krijuar është një instrument politik për ta dëmtuar kandidaten demokrate gjatë garës së saj për në Shtëpinë e Bardhë./OraNews/

Leave a Reply

Back to top button