Letersi

Dashuria e një nëne, e përshkruar më së miri në romanin “Katedralja e Parisit” nga Viktor Hygo

Cigania kishte nxjerrë nga qeska një papuçe të vogël,që i ngjante kryekëput papuçes tjetër. Në atë papuçe ishte lidhur një copë pergamene, ku ishin shkruar këto fjalë:

“Gjeja shoqen papuçes ti,
Dhe jot’ëm do t’shtrëngojë në gji”.

Pasi krahasoi në çast të dyja papuçet dhe pasi lexoi mbishkrimin e pergamenës,e vetmuara ngjeshi te hekurat fytyrën e saj, që rrezëllente nga një gëzim qiellor, duke thirrur:
-Bija ime! Bija ime!
-Nënë! – u përgjigj cigania.
Nuk ka penë që mund të përshkruajë këtë takim. Muri dhe hekurat e dritares i ndanin ato nga njëra-tjetra.
-Ah, ky mur! – thirri e vetmuara. – Të të shoh me sy dhe të mos të të përqafoj dot! Nëma dorën! Dorën tënde!
Vajza futi krahun nga dritarja, dhe e vetmuara i rroku asaj dorën, ngjiti buzët në të dhe mbeti si e ngrirë në atë të puthur, pa dhënë tjetër shenjë jete përveç një dënese, që ia çonte herë-herë gjoksin peshë. Ndërkaq, lotët i binin si rrëke, në heshtje dhe në errësirë, si një shi që bie natën. Nena e shkretë derdhi valë-valë mbi atë dorë të adhuruar pusin e zi e të thellë të lotëve, që fshihej në zemrën e saj dhe ku ishte mbledhur pikë-pikë tërë dhimbja e saj që prej pesëmbëdhjetë vjetësh.
Befas ajo u ngrit, largoi nga balli flokët e vet të gjatë e të thinjur dhe pa thënë asnjë fjalë, zuri t’i tundte me të dyja duart hekurat e strofkës së saj me një furi luaneshe. Por hekurat nuk luajtën. Atëherë, ajo vajti në një qoshe të qelisë e mori një gur të madh, të cilin e përdorte si jastëk, dhe ua hodhi hekurave me aq rrëmbim saqe njëra nga shufrat e thye duke lëshuar një mijë shkëndija. Një goditje e dytë e bëri copë-copë kryqin e vjetër prej hekuri, që zinte dritaren. Atëherë me të dyja duart, ajo i theu edhe shufrat e tjera dhe flaku përtej copat e tyre të ndryshkura. Ka nganjëherë çaste kur duart e një gruaje marrin forcë mbinjerëzore.
Pasi e hapi kështu rrugën (dhe për këtë iu desh më pak se një minutë), ajo e zuri të bijën për mesi dhe e futi brenda.
– Eja të të nxjerr nga gremina! – mërmëriti ajo.
Nëna e lëshoi vajzen me ngadalë përdhe, por pastaj e rrëmbeu prapë, dhe duke e mbajtur në krahë, sikur të ishte ende vogëlushja e saj e dikurshme, Anjeza, zuri të vërtitej në atë qeli të ngushtë, e dehur, e gëzuar, e marrosur. Thërriste, këndonte, e puthte të bijën, i fliste, qante, qeshte, dhe të gjitha këto i bënte njëherësh, si e shkalluar.

Leave a Reply

Back to top button