Nga Harold James
Njujorkezët presin një kaos në trafik çdo muaj shtator kur mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Por këtë vit, duket sikur të gjithë janë të frustruar dhe të dëshpëruar, dhe përfaqësuesit nga e gjithë bota, po “garojnë” në thelb për të treguar se po ia kalon më keq se tjetri.
Për shembull Shtetet e Bashkuara janë të traumatizuara nga diskutimet mbi mundësinë e një lufte civile. Një pjesë e madhe e Partisë Republikane nuk premton të pranojë rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit. Por, ndërsa frika e inflacionit dhe recesionit ekonomik, do t’u japë republikanëve një avantazh ndaj demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, republikanët janë fokusuar në mobilizimin e bazës së vogël të mbështetësve të vijës së ashpër, të cilët kanë një axhendëthellësisht jopopullore që parashikon ndalimin e abortit dhe trajtimin çnjerëzor të emigrantëve.
Ndërkohë Britania e Madhe po përballet me kaosin pas Brexit dhe destabilizimin fiskal, që do të përkeqësohet kur qeveria e re do të zbatojë axhendën e saj që supozohet të jetë pro rritjes ekonomike. Pasi ka rrëzuar një qeveri të aftë dhe shumë të besueshme të kryesuar nga ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Dragi, Italia ka zgjedhur një qeveri të ekstremit të djathtë që nuk do të bëjë asgjë për vendin, përveç thellimit të ndarjeve.
Në Francë, analistët janë të dëshpëruar me paaftësinë e presidentit Emanuel Makron për të nisur një axhendë të re reformash. Në Gjermani, një qeveri e re ka shpallur me guxim një ndryshim epokal (Zeitenwende), teksa po përpiqet të zbatojë pjesën më urgjente të kësaj axhende: rishikimin e politikës së mbrojtjes.
Në zgjedhjet parlamentare në Suedi, fitues rezultoi një parti e ekstremit të djathtë, që është e përkushtuar të sulmojë shtyllat kryesore të konsensusit politik të deritanishëm. Dhe në përgjithësi në Evropë, të rraskapitur intelektualisht nga një dekadë debatesh mbi ndërveprimet midis politikës monetare dhe fiskale, politikë-bërësit e kanë gati të pamundur të hartojnë një strategji të përbashkët mbi politikat energjetike.
Por nga ana tjetër gjërat nuk po shkojnë mirë as për autokracitë e botës. Madje ato duket se po vuajnë edhe më shumë sesa demokracitë kur është fjala për të mësuar nga katastrofat e kohëve të fundit, në mënyrë që të ndryshojnë kursin.
Kina e ka pasur të pamundur që të dalë nga strategjia e saj gjithnjë e më e kushtueshme e “zero-Covid”. Ndërsa Rusia shërben si një shembull i tmerrshëm dhe i tmerrshëm se sa shpejt autokracitë e papërgjegjshme mund të bien në marrëzi vetë-shkatërruese.
Që të gjitha këto vende janë mbërthyer në kurthe të krijuara nga fiksimet e tyre historike, qofshin këto kujtime të poshtërimeve të dikurshme, pretendime për madhështi, apo të dyja bashkë. SharlDë Gol, i nisi kujtimet e tij të luftës me pretendimin se Franca nuk mund të ishte një vend pa madhështi.
Por nëse madhështi nënkupton t’u imponohesh fqinjëve, kjo nuk është diçka që duhet ta aspirojë ndonjë vend; dhe në botën e sotme shumë të ndërlidhur, as që është e realizueshme. Siç po e mësojnë tani udhëheqësit rusë, ëndrrat për hegjemoni çojnë në mënyrë të pashmangshme në rezistencë, kaos dhe vetë-shkatërrim.
Por ndërsa fuqitë e mëdha historike duan dëshpërimisht të gjejnë mënyra për të dalë nga ngërçi i tyre politik, disa vende më të vogla po duken gjithnjë e më të lumtura dhe më të qëndrueshme. Për t’i bashkuar ato si një kundërpeshë ndaj G7, G20 dhe grupimeve të tjera sklerotike, një nismë e re me bazë në Zvicër po përpiqet të krijojë një ligë shtetesh të vogla, të njohur si S8.
Katër nga 8 shtetet anëtare themeltare – Danimarka, Finlanda, Irlanda dhe Singapori – kanë popullsi prej 5-6 milionë banorësh. Por organizatorët mund të përfshijnë edhe vende të tjera të qëndrueshme që kanë të njëjtën madhësi, si Kosta Rika, Norvegjia dhe Sllovakia.
Në çdo rast, S8 përfaqëson pikëpamjen se sfidat e dukshme nga të qenit një vend i vogël, duhet të shihen më shumë si një shtysë për ofrimin e zgjidhjeve produktive, sesa si një justifikim për t`u zhytur në dëshpërim. Për shembull shihni Ukrainën, vend që padyshim është shumë i cënueshëm (edhe pse jo i vogël në krahasim me shumë të tjerë).
Kievi ka arritur që të zbehë dobësinë e tij nëpërmjet një seri përgjigjesh të jashtëzakonshme ndaj agresionit rus. Ndërsa udhëheqësit e tij politikë kanë marrë mbështetjen ushtarake dhe financiare nga miqtë dhe aleatët në mbarë botën, zhvilluesit e talentuar të softuerëve kanë punuar gjatë gjithë kohës për t’iu kundërvënë sulmeve kibernetike ruse, dhe për të ndërmarrë sulmet e tyre.
Për vendet e vogla dhe të pambrojtura, të cilat nuk kanë një pozicion gjeografik shumë të favorshëm (si në rastin e Zvicrës), kërcënimet e sigurisë krijojnë nevojën për aleanca të forta, të cilat nga ana tjetër mund të jenë stabilizuese politikisht dhe ekonomikisht.
Për më tepër, një vend i fokusuar tek një kërcënim akut i jashtëm, ka shumë më pak gjasa që të zhytet në përplasje të brendshme. Nuk ka pre më të lehtë për një agresor të madh, sesa një vend i vogël i përçarë politikisht. Politika e konsensusit në Zvicër dhe Skandinavi, mbështetet tek themelet që u krijuan në kundërpërgjigje ndaj kërcënimit të paraqitur nga Gjermania naziste në vitet 1930.
Për shkak se vendet e vogla nuk kanë ndonjë iluzion se mund t’u imponojnë të tjerëve vullnetin e tyre, ata ndajnë gatishmërinë për të përqafuar fleksibilitetin dhe ndryshimin në një botë që kërkon përshtatshmëri. Dhe kur ato janë “të shkëlqyera”, kjo ndodh sepse ato ofrojnë shembuj konkretë dhe praktikë se si mund të përmirësohet politika dhe qeverisja.
Për shembull, ndërsa Estonia e ka përforcuar legjitimitetin demokratik me futjen në zbatim të votimit elektronik, Kolumbia dhe Xhamajka janë në pararojë të përdorimit të monedhave dixhitale të mirë-projektuara nga ana e Bankës Qendrore.
Por nëse bota është duke iu larguar multilateralizmit dhe po ecën drejt një sistemi blloqesh konkurruese, vendet më të vogla do të jenë nën një presion edhe më të madh nga fuqitë e mëdha. Për të shmangur të qenit midis tyre si në një kurth, ato duhet të vazhdojnë të reformohen, si në politikë po ashtu edhe në teknologji. Duhet që ta bëjnë qeverinë përfaqësuese diçka reale, dhe jo simbolike, duke treguar se është më mirë të drejtohet përmes forcës së shembullit sesa përmes dominimit strategjik.
Shënim: Harold James, profesor i historisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Prinston. Ekspert i historisë ekonomike gjermane dhe globalizimit. Bashkautor i librit “Euro dhe beteja e ideve” / “Project Syndicate” – Bota.al