Fëmijët kanë nevojë për të rritur të duruar dhe shumë praktikë për të kuptuar drejtësinë dhe barazinë
“Nuk është e drejtë!” është një frazë që prindërit e dëgjojnë shpesh nga fëmijët e tyre. Kjo mund të ndodhë për arsye të vogla, si orari i gjumit apo një ëmbëlsirë e munguar. Për disa prindër, këto ankesa mund të duken irrituese dhe shpesh personale, sikur fëmijët po sfidojnë autoritetin e tyre. Por këto momente nuk janë thjesht përplasjet e përditshme të familjes; ato janë mundësi për t’i mësuar disa gjëra rreth drejtësisë.
Pse drejtësia është e rëndësishme për fëmijët
Studimet tregojnë se mënyra se si prindërit u përgjigjen këtyre momenteve formëson ndjeshmërinë e fëmijëve ndaj padrejtësive. Nëse dëshirojmë që fëmijët tanë të luftojnë për drejtësi, duhet t’i ndihmojmë të përballen me ndjenjat e pakëndshme të padrejtësisë. Drejtësia është thelbësore për zhvillimin moral, dhe injorimi i shqetësimeve të hershme për drejtësinë mund të çojë në cinizëm dhe pasivitet.
Që në fillim të jetës, fëmijët tregojnë ndjeshmëri ndaj të drejtës. Bebet preferojnë personazhe “të sjellshëm” në vend të atyre “të këqij.” Fëmijët e vegjël shpërndajnë ushqime të shijshme te ata që konsiderohen “të mirë” dhe ushqime jo dhe aq të tilla, te ata që janë “të këqij.” Me kalimin e kohës, fëmijët fillojnë të kuptojnë konceptet më komplekse të barazisë dhe meritës.
Ndikimi i prindërve dhe Shkollës
Prindërit dhe mësuesit luajnë një rol të rëndësishëm në formësimin e kuptimit të drejtësisë te fëmijët. Studimet e fundit tregojnë se fëmijët nga familje më të varfra ndihen më pak të trajtuar me drejtësi, se ata nga familjet e pasura. Nga ana tjetër, fëmijët që raportuan se prindërit dhe mësuesit i dëgjojnë dhe i trajtojnë me respekt ishin më pak të prirur për t’u bërë cinikë.
Fëmijët shpesh përjetojnë padrejtësi në formën e diskriminimit të mësuesve, politikave të ashpra shkollore apo favoritizmit mes vëllezërve. Politikat e “tolerancës zero,” që ndëshkojnë në mënyrë të barabartë ata që e nisin dhe ata që e ndalin një zënkë, shpesh i bëjnë fëmijët të ndihen të pafuqishëm. Përkundrazi, politikat e bazuara në drejtësi u japin atyre mundësinë për të mësuar dhe për të korrigjuar gabimet.
Si t’ua mësojmë drejtësinë
Duhet dëgjuar ana e tyre e historisë: Kur fëmijët thonë “Nuk është e drejtë,” duhen dëgjuar me vëmendje dhe duhen ndihmuar të kuptojnë dallimin mes asaj që është vërtet e padrejtë dhe asaj që është thjesht e pakëndshme.
Duhen ofruar shpjegime: Fëmijëve u duhen dhënë shpjegime për vendimet qëmerren dhe duhen ndihmuar të kuptojnë se drejtësia shpesh përfshin kontekste të ndryshme.
Duhen ndihmuar të ndihen të fuqishëm: Në vend që të ndihen të pafuqishëm përballë padrejtësisë, fëmijët duhen ndihmuar të gjejnë mënyra për të vepruar dhe për të bërë ndryshime pozitive.
Krijoni modelin e drejtësinë: Sjelljet e prindërve dhe mësuesve ndikojnë ndjeshëm tek fëmijët. Sjelljet e respektueshme dhe ndëshkimet e drejta modelojnë praktikat e drejtësisë.
Fëmijët që rriten duke përjetuar drejtësi kanë më shumë gjasa të tregojnë guxim dhe empati. Ata janë të prirur të mbrojnë shokët dhe të përballen me padrejtësitë shoqërore. Nga ana tjetër, fëmijët që ndihen të përjashtuar nga drejtësia kanë më shumë gjasa të bëhen të cinikë dhe të shkëputur nga grupet shoqërore.
Kur fëmijët shohin drejtësi në veprim – në shtëpi, në shkollë apo në shoqëri – ata zhvillojnë një ndjeshmëri të thellë dhe një vullnet për të kontribuar… / bota.al