BotaMAIN

Deif, fantaza i pakapshëm që organizoi ferrin

E quajnë fantazmë por ai ekziston dhe e ka demonstruar në këto orë. Mohammed Diab al Masri, me emrin e luftës Mohammed Deif, është arkitekti i sulmit ndaj Izraelit. “Operacioni Al Aksa” drejtohet nga një njeri i cili, duke mbetur në hije, i ka shndërruar guerilët në një formacion të frikshëm dhe aktualisht po u kërkon arabëve të Izraelit dhe shteteve fqinje të marrin armët.

Në të pesëdhjetat, kreu i krahut ushtarak të Hamasit lindi në Khan Younis, Gaza, dhe pavarësisht burimeve të pakta të familjes së tij, ai ishte në gjendje të studionte. Biologji, thonë. Dhe gjeti një mënyrë për t’iu përkushtuar në rini teatrit, duke luajtur rolin e Ebu Khaledit në një shfaqje të titulluar “Klouni”.

Shkëputje e shkurtër nga misioni i vërtetë: ai i militantit. Ai u rrit nën krahun e Yehya Ayyash, inxhinierit, koordinatorit të sulmeve vetëvrasëse në mesin e viteve 1990, dhe kur mentori i tij u vra, ai hodhi hap pas hapi për ta zëvendësuar atë. Specialiteti i tij i parë ishte pengmarrja, veprim i përsëritur orët e fundit në përmasa masive.

Më pas iu përkushtua ndërtimit të arsenalit të fraksionit. Brigadat Ezzedine al Qassam, maja e shtizës së lëvizjes, kanë kaluar nga kallashnikovët, tek dronët dhe raketat. Rrjeti importonte materiale luftarake përmes tuneleve klandestine të lidhura me territorin egjiptian, mjet jetik ky edhe për mallrat civile.

Fedajinët angazhuan palestinezë jashtë vendit që mund t’i ndihmonin, ata përfshinin të tjerë në Rripin e Gazës, shfrytëzuan mbështetjen e radikalëve shiitë, Iranit dhe Hezbollahut libanez. Dy aleatët siguruan armë, materiale dhe mbulesë. Vëmendje e madhe iu kushtua krijimit të bunkerëve, stacioneve nëntokësore për të penguar një pushtim apo lëshimin e bombave kundër shtetit hebre. Fantazma është gjithmonë në qendër të gjithçkaje.

Izraeli nuk i ka ofruar qetësi. Jeruzalemi, në kohën e Arafatit, kishte kërkuar arrestimin e tij dhe, për një periudhë të caktuar, ai ishte vendosur në një rezidencë të monitoruar nga Autoriteti. Iniciativë e fqinjit dhe të njohurit të tij, Mohamed Dalhan, i cili ishte përgjegjës për sigurinë për një kohë të gjatë. Një qëndrim disa mujor i cili nuk e ndërpreu karrierën e tij, duke u bërë “më i kërkuari” i izraelitëve. Që u përpoq ta godiste me çdo mënyrë. Me goditje të përsëritura helikopterësh mbi makinat që e transportonin – 2001 dhe 2002 -, me të infiltruar, me bashkëpunimin e atyre që mund ta dinin se ku ishte.

Biografitë citojnë gjashtë deri në tetë episode të aksioneve për ta vrarë, por ai gjithmonë ia hodhi me lëndime të rënda. Ka nga ata që thonë se ka humbur një sy dhe një dorë, apo që mezi ecën për shkak të pasojave të një plagosje. Të tjerë supozojnë dëme më të mëdha, por asgjë që ka kompromentuar rëndësinë dhe statusin e tij.

Në gusht 2014 bombarduan shtëpinë e tij, një bastisje që i kushtoi jetën njërës prej grave të tij dhe një vajze. Ranë edhe disa nga bashkëpunëtorët e tij, numri dy al Jabaari, ekspertët e dronëve, blerësit e materialit luftarak të vrarë nga Mossad në Emiratet, Tunizi dhe Malajzi.

Fushatë pa kufij kjo, e ngjashme me hakmarrjen kundër Shtatorit të Zi pas masakrës së Mynihut në vitin 1972. Suksese taktike të cilat megjithatë nuk patën asnjë ndikim në Ezzedine al Qassam, të organizuara për t’i mbijetuar një prerjeje të mundshme të kokës së liderëve.

Vitet e konfliktit e kanë detyruar atë të marrë masa të rrepta sigurie. Ka vetëm një foto të vjetër të tij në qarkullim, asnjë telefon, vetëm korrierë dhe mesazhe të regjistruara të postuara në internet. Në audion e parë të njohur, në vitin 2003, ai u premtoi kundërshtarëve të tij: “Jeta juaj do të jetë ferr”. Njëzet vjet më vonë e vërtetoi brutalisht. / Corriere della Sera – Bota.al

Back to top button