Nga Javier Solana
“Project Syndicate”
Siç e kanë treguar kohët e fundit lufta në Ukrainë dhe tensionet e rritura mbi Tajvanin, stabiliteti global është një aset shumë i brishtë. Në një botë që po e copëton vetveten, Bashkimi Evropian duhet ta shndërrojë në një prioritet kryesor strategjik besimin tek projekti i tij evropian.
Sepse në sfondin e aspiratave të paplotësuara të anëtarësimit në BE, fuqitë e tjera mund të shfrytëzojnë zhgënjimin e qytetarëve, siç po e shohim tanimë në Ballkanin Perëndimor, ku Rusia po tenton të rivendosë ndikimin e saj. Më shumë se kurrë më parë, unioni duhet të tregojë se është një partner i dobishëm dhe i besueshëm për të gjitha vendet evropiane, pavarësisht nga marrëdhëniet e tyre formale me BE-në.
E tashmja është një periudhë paradoksale për Evropën. Pavarësisht nga një sërë krizash të rënda, integrimi evropian ka pësuar kohët e fundit një përshpejtim historik. Që kur pandemia Covid -19 goditi Evropën 2 vjet e gjysmë më parë, të gjitha vendimet e BE-së kanë synuar praktikisht ta forcojnë integrimin politik midis vendeve anëtare.
Historikisht, suksesi i integrimit evropian ka krijuar mundësinë, por edhe sfidën e zgjerimit të unionit për të përfshirë anëtarë të rinj. BE-ja duhet të vazhdojë të integrohet, duke e ditur qëvokacioni i saj shtrihet në të gjithë kontinentin evropian. Por, për të garantuar vazhdimësinë e saj, ajo duhet t’u ofrojë kandidatëve për anëtarësim forma të reja pjesëmarrjeje që ndihmojnë në nxitjen e ndjenjës së përkatësisë ndaj projektit evropian.
Në fakt, integrimi i brendshëm politik i BE-së dhe zgjerimi i saj për të përfshirë vende të tjera evropiane, janë dy procese historikisht të pandashme. Në një fjalim të mbajtur në fillim të këtij shekulli në Universitetin Humboldt të Berlinit, zëvendëskancelari dhe Ministri i Jashtëm i atëhershëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, e shpjegoi shumë qartë rëndësinë historike dhe vështirësinë e integrimit evropian.
“Nevoja për t’i organizuar paralelisht këto dy procese, pra integrimin politik dhe zgjerimin es BE-së, është padyshim sfida më e madhe me të cilën është përballur unioni që nga krijimi i tij. Por asnjë brez nuk mund të zgjedhë sfidat që i ka vë përballë historia”- tha Fischer.
BE-ja nuk do të refuzojë asnjëherë angazhimin e saj të gjatë për ta shtrirë projektin e saj të integrimit tek vendet që tregojnë një vullnet të qartë për t’u anëtarësuar. Ukraina dhe Moldavia – të nxitura drejt BE nga lufta e pakuptimtë e presidentit rus Vladimir Putin – morën në qershor statusin e kandidatit.
Dhe vendimi i fundit i BE-së për të nisur negociatat zyrtare të para-anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mund të prodhojë një dinamikë pozitive,e cila do tëforcojë lidhjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me institucionet evropiane.
Ukraina është pjesë e Evropës, dhe qytetarët e saj e kanë dëshmuar vazhdimisht dëshirën e tyre për t’u bërë pjesë e BE-së. Nëse vendi i përmbush kërkesat e hyrjes në bllok, nuk ka asnjë arsye pse të mos pranohet. Për të lehtësuar procesin e integrimit të Ukrainës, BE-ja ka përgjegjësinë ta ndihmojë atë në rindërtimin fizik dhe politik të vendit nga shkatërrimet e luftës së Putinit.
Studiuesit në Shkollën Ekonomike të Kievit, vlerësojnë se vetëm rindërtimi i infrastrukturës fizike të Ukrainës do të kushtojë të paktën 100 miliardë dollarë. Është e qartë se rindërtimi duhet të jetë një përpjekje kolektive. Sot, teksa në kufijtë e BE-së ka një luftë, në tryezë duhet të jenë të gjitha opsionet për thellimin e integrimit politik të Evropës, dhe jo vetëm për zgjerimin e BE-së.
Për shembull, presidenti francez Emmanuel Macron, ka propozuar krijimin e një “KomunitetiPolitik Evropian”. Pavarësisht emrit që do të ketë në fund struktura e re, ajo duhet të krijojë mundësi bashkëpunimi me BE-në, duke e bërë kësisoj integrimin një realitet të prekshëm për vendet kandidate.
Arritja e kësaj gjëje do të kërkojë që BE-ja të nxisë bashkëpunimin ndërmjet vendeve kandidate. Ndërsa qasja aktuale dypalëshe e unionit ndaj kandidatëve për anëtarësim,mundëson një vlerësim të veçantë të perspektivave të anëtarësimit të secilit vend, ajo rrezikon nga ana tjetër ta kthejë zgjerimin në një proces kryesisht konkurrues.
Prandaj, BE-ja duhet që t’u ofrojë vende jo anëtare një model ambicioz dhe realist të integrimit rajonal. Premtimet për një anëtarësim të mundshëm, dhe negociatat e gjata që i paraprijnë atij, do ta dëmtojnë unionin nëse gjenerojnë zhgënjim midis qeverive dhe qytetarëve të vendeve kandidate.
Për shembull Maqedonia e Veriut, u detyrua të priste shumë gjatë, plot 17 vjet, që nga momenti i marrjes së statusit të kandidatit deri në çeljen e dritës jeshile për të nisur negociatat e anëtarësimit. Pranimi i faktit se mund të ketë edhe formula të tjera përveç zgjerimit për integrimin e kontinentit evropian, nuk do të thotë se kjo politikë ka qenë e pasuksesshme.
Pa zgjerimin e BE-së në vitin 2004 në Evropën Lindore, blloku nuk do të ishte fuqia tregtare dhe rregullatore që është sot. Zgjerimet e njëpasnjëshme e kanë bërë unionin një nga ekonomitë më të mëdha në botë, që përbën rreth 16 për qind të PBB-së globale (në aspektin e barazisë së fuqisë blerëse).
Por në rastet kur zgjerimi i BE-së për të zgjeruar zonën e stabilitetit evropian, nuk është i realizueshëm për arsye gjeografike apo politike, pyetja themelore për politikë–bërësit evropianë ka qenë se çfarë instrumentesh alternative mund të përdoren.
Që kur Ostpolitika e kancelarit gjermano–perëndimor Willy Brandt, krijoi bazën për afrimin midis Perëndimit dhe bllokut sovjetik në fundin e viteve 1960, përgjigjja kryesore ka qenëkrijimi i lidhjeve të ndërvarësisë ekonomike. Por një strategji e tillë, presupozon ekzistencën e aktorëve gjeopolitikë të përgjegjshëm.
Dhe leksioni kryesor i luftës në Ukrainë, është se aktualisht Rusia nuk është një aktore epërgjegjshme. Është e qartë se ndërvarësia ekonomike nuk kontribuon tek stabiliteti, në rast se ajo prodhon një varësi asimetrike, që e lë njërën palë të pambrojtur në kohëra konfliktesh.
Evropa duhet të mos ndihet më e cenueshme, dhe shumë gjëra duhet të ndryshojnë në Kremlin, përpara se BE-ja të marrë në konsideratë ndonjë marrëdhënie formale me Rusinë në të ardhmen. Suksesi i pamohueshëm i saj në avancimin e integrimit rajonal, nuk e bën atë një projekt të përfunduar, apo edhe një me një fund të paracaktuar.
Por evropianët duhet të qëndrojnë në këtë rrugë. Dhe sot kjo do të thotë që unioni duhet të ndjekë interesat e veta strategjike duke u kujdesur për ambiciet dhe perspektivat evropiane të të gjitha vendeve në fqinjësinë e saj të afërt.
Shënim:Javier Solana, ish-përfaqësues i lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e sigurisë, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish-Ministër i jashtëm i Spanjës. Sot drejton EsadeGeo, Qendrën për Ekonominë dhe Gjeopolitikën Globale.