Pas një procesi të gjatë përzgjedhjeje, ushtria amerikane ka filluar të shpërndajë një armë të re mes trupave, pistoletën Sauer XM17. Kjo armë do të zëvendësojë beretën M9 të përdorur që nga 1986. Më konkretisht, XM17 dhe versioni me përmasa më të zvogëluara, XM18 zëvendësuan pistoletën italiane duke ruajtur kalibrin 9mm sipas standardit të Nato-s. Zëvendësimi i plotë i M9 do të presë 10 vite sipas raportimit të Fox News. Sig Sauer është një prodhim gjermano-zviceran me një përvojë të gjerë në tregun e armëve civile në SHBA. XM17 hyri në konkurs si P320MH, një version i modifikuar i modelit P320 dhe është në shitje që nga 2014. Është një pistoletë gjysëm automatike dhe e prodhuar me pjesë polimeri, një plastikë e përdorur në armët e zjarrit.
Saktësia dhe shpejtësia e gjuajtjes janë më të mira se M9, më komode për të vepruar, e lehtë për t’u pastruar dhe më e besueshme. XM17 ofron shumëllojshmëri. Pistoleta ka një sistem modular që do të thotë se mund të modifikohet lehtë për të përmbushur nevoja të ndryshme. Kështu edhe pse ka kalibrin 9mm të standardit, mund të shndrrohet shpejt për të qëlluar me kalibra 357 SIG, .40 S&W dhe 45 ACP. Amerikanët gjithmonë kanë pëlqyer të përdorin kalibra më të fuqishëm në pistoletat e tyre si 45 ACP. Në vitet 80 u vendos të adoptohej 9mm Parabellum, e krijuar nga Gjermania për të lehtësuar logjistikën e anëtarëve të Nato-s në rastin e një pushtimi sovjetik të Europës. Kjo armë gjithashtu lejon vendosjen e dylbive dhe të lazerave për saktësinë. Pistoleta do të prodhohet në sasi të mëdha dhe do t’u jepet një numri të madh ushtarësh. Fillimisht kontrata ishte për 195.000 pistoleta me një kosto prej 580 milionë dollarë, por shpresohet që forcat ajrore të porosisin 130 000 armë dhe që marina e trupat e saj të marrin 96 000. / Bota.al