Monarkia është në krizë (shumë pretendentë për fronin), bile edhe ekonomia. Dhe tani sauditët i frikësohen Iranit dhe një Amerike të parapaguar
Nigel Sillitoe ka bërë pak llogari. Bëhet fjalë për vlerësime, pasi vetë të dhënat janë mjaft të rezervuara. Por Sillitoe e di se çfarë bën: shef i shërbimeve financiare të Insight Discovery, një prej agjencive kryesore të inteligjencës ekonomike, kalon jetën duke spiunuar lëvizjet e kapitalit në treg. Sipas llogaritjeve të tij, në gjysmën e parë të vitit kanë marrë rrugën e Riadit midis 50 dhe 70 miliard dollarëve, të kërkuar nga SAMA, akronim për Saudi Arabian Monetary Agency, Banka Qendrore e monarkisë saudite. Lajmi është zbuluar të hënën e dy javëve më parë nga “Financial Times”, por prej kohësh të gjithë 007-at e financës globale e kishin sinjalizuar fenomenin.
Shkaku imediat është rënia e çmimit të naftës i zbritur gjatë vitit të fundit nga 110 në 40 dollarë për fuçi. Në realitet, kushton pak për ta nxjerrë nga rërat arabe këtë naftë të lëngshme e transparente sikur të ishte i rafinuar: familja mbretërore dhe kompanitë mund të arkëtojnë fitime të mëdha edhe pse çmimi vazhdon të zbresë deri nën 20 dollarë fuçia. Por fakti është që vendi nuk prodhon pothuajse asgjë (nafta gjeneron 40 përqind të PBB dhe 90 përqind të të ardhurave nga jashtë) kështu që jeton duke konsumuar ditë për ditë të ardhurat e manës së zezë. Sipas Citibank, në 6 muaj janë djegur rezerva prej 82 miliard dollarësh, baraz me 10 përqind të totalit. Shpenzimet publike janë jashtë kontrollit. Deficiti i bilancit publik kalon 1/5 e PBB-së, një rekord absolut. Me këtë ritën, kursimi kombëtar do të zhduket brenda 3 vitesh.
Domethënë, pinjojt e fundit e Abdulaziz Ibn Saud janë duke e bërë rrush e kumbulla plaçkën e pamatë e fituar nga luftëtari i fuqishëm që rishpiku një vend falë Perandorisë Britanike, kolonelit Lawrence dhe sidomos falë Franklin Delano Roosevelt. Pakti midis Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe Emirit të shkretëtirës, e nënshkruar në Kanalin e Suezit në shkurt të 1945, pak pas Konferencës së Jaltës, ka ndryshuar qendrën e gravitetit të botës së pasluftës. Nëse Lufta e Dytë Botërore është fituar falë naftës nga Teksasi dhe nga Karaibet, nafta arabe ka pasur një rol themeltar në Luftën e Ftohtë. Sot, lavjerrësi spostohet sërish drejt Amerikës, kështu që monarkia saudite rrezikon falimentimin financiar dhe marxhinalizimin gjeopolitik.
Në këtë skenar financiar, ndërfutet një luftë frenetike dinastike midis trashëgimtarëve. Sipas disa zërave, është duke u përgatitur një lloj grusht shteti i bardhë për të sjellë në pushtet gjeneratën e re e cila, siç ndodh paksa kudo në këtë dekadë të dytë të Mijëvjeçarit të dytë, nuk është aspak më e hapur, më iluministe, më progresiste sesa gjenerata e mëparshme. Dhe në botën myslimane nostalgjia për rrënjët, ankthi për identitetin, mbrojtja e territorit të vet jo vetëm fizik, por shpirtëror, protesta kundër McWorld, asaj të globalizimit, e gjithë revolta konfuze kundër modernizmit për të cilën fliste tashmë Isaiah Berlin një çerekshekulli më parë, merr rrugën e xhihadit.
Përplasja shumë e fortë ka nisur në janar, përreth xhenazes së Abdullahut, mbreti i gjashtë, i hipur në fron 10 vite më parë. Suksesioni deri më tani ka ndodhur gjithmonë midis fëmijëve të shumtë në numër: 45 të njohur e të pranuar, prej të cilëve 36 që jetojnë akoma, të bërë me 22 gra. Normalisht zgjedhjet bëhen me konsensus duke respektuar linjën dinastike dhe moshën, me votën e Këshillit të Kurorës. Por kësaj radhe ka pasur një prishje: Froni që i ka shkuar vëllait për babë Salman, 80 vjeçar, djali i 25-të i Ibn Saud, i treguar si pasues në 2012 pas vdekjes së të vëllait Nayef. Sovrani i ri ka emëruar si Princ të Kurorës (domethënë trashëgimtar të fronit) nipin Mohammed, djali i dytë i Nayef, 56 vjeçar, që ka studiuar në Shtetet e Bashkuara duke frekuentuar edhe kurse në FBI. Të gjithë në Riad janë të bindur se është një zgjidhje urë për t’i ngrohur vendin trashëgimtarit të vërtetë, që quhet po Mohammed, djali i Salman, sapo ka mbushur të 30-at, i caktuar si Zëvendësprinc i Kurorës dhe Ministër Mbrojtjeje, pavarësisht përvojës së pakët të tij.
Grushti i shtetit ka nxjerrë nga loja një sasi kushërinjsh dhe pretendentësh në favor të grupit Sudairi, domethënë fëmijëve të Hassa bint Ahmed al Sudairi, gruaja favorite e Abdulaziz, e vdekur në 1969. Salman është më i moshuari, por më i ndershmi, më i përgatituri, më popullori, si edhe më i shëndetshëm i 7 vëllezërve konsiderohet 73 vjeçari Ahmed. Për 30 vjet Zëvendësministër i Brendshëm, në vitin 2012 emërohet Ministër, për t’u shkarkuar 2 vite më pas. Ministria e Brendshme është tashmë pozicioni kyç në shkallën e pushtetit, pasi duhet të garantojë ekuilibrin e brishtë midis komponentit wahabit dhe atij fisnor mbi të cilin mbahet regjimi, kështu që është një pasazh i detyruar përpara ngjitjes në fron.
Komploti i fundit ndodh pikërisht në ditët ku Mbreti i plakur Abdullah përgatitet të fluturojë drejt kopshteve të Allahut: shefi i oborrit Khaled al-Tuwaijri manovron për të caktuar Princin Muqrin, djali i 35-të dhe më i ri i Ibn Saud, duke shpëtuar pozicionin e vet influent. Por plani zgjat pak, Salman del fitimtar dhe në prill e shkarkon Muqrin në favor të Nayef, në pritje që të jetë i gatshëm djali i vet, i përshkruar jo vetëm nga armiqtë e tij, por edhe nga arabologë me autoritet perëndimorë si i pamëshirshëm dhe po aq vulgar, i dashuruar pas pushtetit dhe larg nga populli. Pritja nuk duhet të jetë shumë e gjatë po të kihet parasysh gjendja shëndetësore e brishtë e sovranit 80 vjeçar.
Me pak fjalë, intriga pallati të kohës së perëndimit të Perandorisë Osmane, tregues të sëmundjeve që trondisin mbretërinë e Saudëve, aq sa incidenti katastrofik i ndodhur gjatë pelegrinazhit të përvitshëm në Mekë merr një vlerë simbolike. Të premten 11 shtator, përpara xhamisë së madhe, një vinç i madh bie mbi turmën e mbledhur për ritualin e haxhit. Një masakër e vërtetë: vdesin 107 persona dhe 238 të tjerë mbesin të plagosur. Përgjegjëse është kompania që po punon në zgjerimin e xhamisë, një prej sipërmarrjeve më të mëdha të vendit: Saudi Binladin Group, e themeluar 80 vite më parë nga Mohammed bin Anwad bin Laden, babai i Usama, djali i 17-të i tij, dhe sot e drejtuar nga Bakr, vëllai i themeluesit të al Qaedas. I tërbuar, Mbreti Salman urdhëron që të pezullohen të gjitha kontratat me grupin Binladin edhe pse ka qenë gjithmonë favoriti i kurorës. Por ajo e premte është e destinuar që të lërë plagë të tjera të thella në botën e të nënshtruarve, e sakatuar më shumë se kurrë nga tensione fetare, politike, ekonomike dhe ushtarake. Guida Supreme e Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, ka kërkuar menjëherë që monarkia saudite të pranojë përgjegjësinë para gjithë myslimanëve. E nënkuptuar është që trashëgimtarët e Ibn Saud nuk janë të denjë të ruajnë vendet e shenjta. Konkurrenca midis dy vendeve, që thellon hendekun midis sunitëve dhe shiitëve, pasurohet me një tjetër emblemë: viktimat e xhamisë.
Një prej lëvizjeve të para të monarkut të ri saudit ka qenë në frontin jemenas. Natën midis 25 dhe 26 marsit, avionët e Riadit kanë bombarduar vendqëndrimet e rebelëve shiitë Houthi, të mbështetur nga Teherani, që kishin pushtuar kryeqytetin Sana’a dhe qytete të tjera në perëndim të vendit. Lufta civile e përgjakshme e shpërthyer në dimrin e 2012 menjëherë pas rënies së Ali Abdullah Saleh, diktatorit që kish mbajtur pushtetin për 30 vjet, është transformuar në konfrontim ushtarak midis dy fuqive të Gjirit Persik. Pavarësisht një aviacioni luftarak, i gjithi made in USA, i mbështetur pakashumë hapur nga luftëtarë në terren, fatet e luftës nuk u qeshin sauditëve. Ajo që komplikon gjithçka është prania e fortë e al Qaedas, e cila e ka bërë Jemenin një prej bazave kryesore të saj jashtë Pakistanit dhe Afganistanit, si dhe futja e milicëve të Kalifatit. Sauditët qenë tunduar t’i përdornin kundër rebelëve Houthi, bile inteligjenca perëndimore thekson sa tashmë janë duke e bërë, edhe pse Shtetet e Bashkuara duan që avionët e Riadit t’i sulmojnë kampet e guerrilasve islamistë. Prova e forcës në këtë vend shumë të varfër, një shtet i dështuar, çerdhe e terrorizmit dhe portë e Detit të Kuq nëpërmjet Ngushticës së Adenit, është bërë një test themelor edhe për kurorën e lëkundur të Mbretit Salman.
Dyfishtësia diplomatike dhe ushtarake ndaj islamistëve sunitë ka rindezur në Shtetet e Bashkuara dyshimet e vjetra. Është kthyer në skenë polemika mbi faqet ende top sekret të raportit mbi 11 shtatorin. Çfarë përmban kaq tronditëse? Fajet e CIA-s, hutimet e FBI-së? Jo, kjo është viviseksionuar gjerësisht dhe denoncuar nga komisioni. Ato 28 faqe në 838 të tilla, sipas letrës së 46 senatorëve demokratë e republikanë, përmbajnë provën se koka e gjarprit është në Arabi Saudite, strehohet në shërbimet sekrete të Riadit të manovruar nga tribùja e madhe dhe jo e besueshme e Saudëve. Në javët e fundit, sulmet polemike janë bërë gjithnjë e më të shpeshta dhe vijnë nga burime të kundërta. Donald Trump ka kërkuar që t’i hiqet mbështetja amerikane Arabisë Saudite. “Motivi i vetëm i mbështetjes tonë ishte nafta”, ka thënë ai nga ekrani i NBC-së. “Tani pa këtë naftë mund të bëjmë qetësisht. Ne i mbrojmë, u dërgojnë anijet dhe avionët tanë – ka vazhduar manjati që aspiron për Shtëpinë e Bardhë – dhe çfarë kemi fituar? Hiç asgjë”.
Një pozicion shumë popullor edhe në Amerikën liberale. Thomas Friedman e ka shkruar qartë në “New York Times” duke kujtuar se 15 nga 19 terroristët e 11 shtatorit vinin nga Arabia Saudite: “Asgjë nuk ka qenë më korrozive për stabilitetin dhe modernizimin e botës islamike të miliarda e miliarda dollarëve që sauditët kanë investuar nga vitet Shtatëdhjetë për të flakur tej pluralizmin e islamit dhe imponuar në vend të tij markën wahabite salafite të islamit puritanik, antifemëror, antiperëndimor, antipluralist”. Jo vetëm kaq, duhet të jetë e qartë për të gjithë, duke filluar nga establishmenti amerikan, se “grupet xhihadiste sunite, ISIS-i, al Qaeda, al Nusra, janë degëzime ideologjike të ëahabizmit të injektuar nga sauditët në xhamitë dhe medresetë nga Maroku në Pakistan dhe deri në Indonezi”. Atëhere, janë më mirë ajatollahët?
Edhe pse mbështet marrëveshjen e dëshiruar nga Obama, Friedman thekson se ambicia bërthamore e Iranit është një kërcënim për t’u luftuar. Megjithatë, “nuk vjen nga aty burimi i vetëm i jostabilitetit të rajonit, rreziku i vetëm për paqen dhe për Perëndimin”. Janë në gjendje Shtetet e Bashkuara të luftojnë në dy fronte? Izraeli thekson se jo dhe ka zgjedhur midis të këqijave atë që konsideron më të keqen, domethënë Iranin. Nga ana e tyre, sauditët shfrytëzojnë çarjen midis Netanyahu dhe Obama. Mbreti Salman, që e ka ndërmarrë një kthesë akoma edhe më konservatore duke miratuar veç të tjerave dekrete të reja kundër atij që tundohet nga zakonet perëndimore të asimiluara nga ateizmi, në brendësi të vendit të tij nuk mund të përdorë si sukses miqësinë e re të detyruar me “shtetin hebraik”. Provë tjetër e konfuzionit strategjik në të cilin gjendet regjimi saudit, pjellë e dobësisë së papritur të zotërinjve të naftës.
Javëve të fundit ka qarkulluar një letër misterioze e nënshkruar “një trashëgimtar i Mbretit Abdulaziz të shtëpisë së Saudëve”; Princi anonim kërkon një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit Suprem të familjes me qëllim shqyrtimin e gabimeve të Mbretit Salman dhe të djalit të tij të ri në moshë, të cilëve u faturohen mossukseset në Jemen, vështirësitë me aleatin amerikan, paaftësia për të menaxhuar krizën e naftës dhe, natyrisht, manovrat për të nxjerrë jashtë loje një pjesë të familjes. Burimi i protestës do të vinte nga anëtarët e shumtë që prej kohësh ndjehen të marxhinalizuar nga superfuqia e fëmijëve të degës Sudairi. Kurse të tjerë shikojnë dorën e Princit Ahmed që nuk e përtyp dot faktin se është anashkaluar nga nipi i sertë. Sipas një disidenti saudit të intervistuar nga “Middle East Eye”, portali i mprehtë mbi Lindjen e Mesme që ka zbuluar lajmin, bëhet fjalë për një lëvizje që të rrëzojë menjëherë Salman dhe ta zëvendësojë me Ahmed. Nga ana tjetër, në rreshtat e fundit nuk lihen dyshime mbi synimet reale të autorit: “Nuk do të jemi në gjendje të bllokojmë hemorragjinë e parave, dobësinë politike dhe rreziqet ushtarake në rast se nuk jemi në gjendje të ndryshojmë metodat vendimmarrëse, edhe nëse kjo kërkon të ndryshohet vetë Mbreti”.
Kriza dinastike dhe ajo ekonomike nxisin krizës sociale të një vendi që është bërë tashmë i populluar: në 1970, kur nis bunaca e vërtetë e naftës, kishte pothuajse 6 milion banorë, kurse sot ka 29 milion. Gjysma e krahut të punës përbëhet nga emigrantë: 9 milion filipinas, indianë, palestinezë, afrikanë, të shfrytëzuar e të keqpaguar, të përzënë e të riatdhesuar me forcë kur nuk ka më nevojë për “shërbimet” e tyre. Ndërkohë, koeficenti i papunësisë ka arritur në 12 përqind. Sipas raportit të fundit të Human Rights Watch, gratë në punë u nënshtrohen abuzimeve të vazhdueshme, përveç diskriminimeve në rroga dhe profesionale. Çdo tentativë për të denoncuar situatën shtypet me akuza të habitshme si ajo e shtriganisë. Kur torta kufizohet, tensionet shumëfishohen dhe dendësohen. Arabia Saudite do të bëhet një kokëçarje për Perëndimin dhe një faktor paqëndrueshmërie në Lindje të Mesme? Irani do të kthehet fuqia referuese si në kohërat e Shahut? E sigurtë është se vija e kuqe e hequr nga Roosevelt në “Lord Halifax” në vitin 1944 nuk ekziston më prej kohësh. Atëhere Presidenti amerikan u shpreh pa ekuivok: “Nafta persiane është juaja, ajo arabe e jona”. Sot askush nuk e kontrollon deri në fund resursin strategjik që ka transformuar sheikët nga barinj nomadë në rentierë pasanikë.
Vëllezër, fëmijë dhe fëmijë jashtëmartese të Ibn Saud për 70 vite kanë vendosur rolin e shtyllës duke përdorur rëndësinë strategjike të tyre. Kanë arritur të shantazhojnë Shtetet e Bashkuara, t’i kërcënojnë duke përdorur militantët xhihadistë në mos si agjentë të vetëdijshëm, sigurisht si memento mori: kini kujdes, shikojini këta gjeninj që i mbajmë të fshehur në llambë, nëse i çlirojmë mund të shkaktojnë fundin e botës. Kurse tani, në të kundërti, ajo që e lëviz monarkinë saudite është dobësia e saj, është frika se mos mbetet e shtypur midis fuqisë së re të Iranit, që nga Kaspiku shkon në Mesdhe duke kaluar nëpër luginat e Tigrit dhe të Eufratit, dhe një Amerike që mbulon nevojat e veta në planin energjetik, më e tunduar që të braktisë kokëçarjen e pazgjidhshme e Lindjes së Mesme. Është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme që dobëson kapjen e autokracisë saudite, duke mos qenë asnjë elitë tjetër drejtuese në horizont. Dhe kur e vjetra vdes përpara se e reja të lindë, historia mbetet pa frymë.
(nga Geopoliticus)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA / Bota.al