Më 12 shkurt 1809, lindi Çarls Darvin, babai i teorisë së evolucionit me anë të përzgjedhjes natyrore. E gjithë bota e kremton këtë ngjarje me Ditën e Darvinit. Më poshtë do t’ju tregojmë se cila është teoria e evolucionit, dhe cilat janë besimet e zakonshme (dhe të pasakta), në lidhje me të.
Speciet e gjalla ndryshojnë me kalimin e kohës, kur përzgjedhja natyrore vepron mbi popullatat, të përbërë nga individë të ndryshëm. Pasojat e kësaj dhe teorive të tjera, duhet ende të kuptohen nga shoqëria. Kjo është arsyeja pse ne jemi përballur me evolucionin e të kundërtës, duke filluar nga ajo që nuk është (por që gjithkush mendon se është).
1. Evolucioni është vetëm një teori
Po dhe jo. Evolucioni është një fakt, por është gjithashtu edhe një teori shkencore:megjithatë, kuptimi i termit është i ndryshëm nga ajo që në përgjithësi nënkuptojmë ne. Një teori, në kuptimin e zakonshëm, është një spekulim pa shumë baza. Nga pikëpamja e shkencës, një teori është një shpjegim i plotë dhe i konfirmuar i disa aspekteve të botës natyrore, i arritur me zbatimin e metodës shkencore.
Një teori, na lejon gjithashtu të shpjegojmë aspektet e panjohura të natyrës, dhe madje të parashikojmë të ardhmen. Teoria e evolucionit, përveç përzgjedhjes natyrore, përfshin gjithashtu aspekte të tjera, të tilla si përzgjedhja seksuale dhe prejardhja gjenetike, të cilat e kompletojnë atë.
2. Është ligji i më të fortit!
Jo. Shpesh dëgjojmë, se evolucioni justifikon agresionin dhe shtypjen, pasi është “ligji i më të fortit”. Koncepti është absolutisht i huaj për shkencën:më “të përshtatshmit” në një popullsi, nuk janë individët fizikisht më të fortë apo më agresivë, por individët që riprodhohen gjithnjë e më mirë. Për shembull, brejtësit, si lepujt nuk mund të thuhet se janë agresive apo më të forte, se një grabitqar. Megjithatë, ata janë ndër llojet më të përhapura të gjitarëve në Tokë.
3. Është një dukuri e së kaluarës
Jo. Biologët kanë qenë në gjendje të studiojnë dhe të përshkruajnë shumë shembuj të ndryshimit evolutiv në kohën që ai ndodh. Për shembull, bashkëshortët Grant, biologët evolucionistë britanikë, kanë studiuar një popullsi të vogël të një zogu të vogël që banon në një ishull të Galapagos, dhe ata e kuptuan se gjatë dekadave, kjo popullatë kishte ndryshuar.
Një tjetër shembull i njohur, është zhvillimi i rezistencës së baktereve ndaj antibiotikëve, që ndodh vazhdimisht dhe në mbarë botën. Edhe njeriu, pavarësisht pretendimeve të disa biologëve, nuk ka ndalur kurrë së evoluari. Prandaj, evolucioni nuk kufizohet vetëm tek qeniet e së kaluarës siç janë dinosaurët.
4. Është një proçes që ka një synim
Jo. Shumë njerëz e shohin evolucionin si një rrugë të gjatë që fillon në të kaluarën e largët, dhe ka një objektiv të saktë:lindjen e specieve tona, apo llojeve të tjera më të evoluara. Por vetë proçesi, siç shpjegohet nga Çarls Darvini, bazohet vetëm në suksesin e sjelljeve ose përshtatjet e tjera që lejojnë mbijetesën në një mjedis të veçantë dhe vetëm në momente të veçanta historike. Prandaj nuk ka lloje më të evoluara sesa të tjerët, ose veçanërisht “të preferuara” nga përzgjedhja natyrore.
5. Ekzistojnë specie të ndërmjetme
Jo. Koncepti i një specieje të ndërmjetme, ose një hallke të zinxhirit është i gabuar, pasi këto specie do të ishin në gjysmë të rrugës, mes një të shkuare të papërsosur, dhe një të tashme në të cilën evolucioni e ka arritur përsosmërinë.
Për më tepër, ideja e hallkave lidhëse, si Homo Naledi, do të sugjeronte praninë e një zinxhiri të gjatë ose një shkalle të formave të jetesës, që fillojnë nga ato më pak të përsosurat, dhe deri tek më të përsosurat. Tanimë e dime, se speciet formojnë një lloj “shkurreje” komplekse dhe të ndërlikuar, pa një vijë të saktë që varion nga e kaluara deri në të tashmen.
6. Ka “fosile të gjalla”
Jo. Kjo është vetëm një metaforë:Edhe pse shumë forma të jetës, si kafshë ashtu edhe bimë, janë të ngjashme me ato të së kaluarës, kjo s’do të thotë që ato nuk kanë ndryshuar për miliona vjet, a thua se evolucioni i tyre të mos kishte filluar asnjëherë.
Një shembull i njohur është çelakantoja, një peshk, forma më e ngjashme e të cilit daton rreth 400 milionë vjet më parë, por ngjashmëria me të kaluarën është vetëm sipërfaqësore, dhe këto specie kanë qenë shumë të ndryshme nga ato të sotmet.
7. Ai mbështet vetëm tek rastësia
Jo. I gjithë procesi i evolucionit përmes përzgjedhjes natyrore, përfshin të paktën 2 faza bazë:E para është gjenerimi i ndryshueshmërisë nëpërmjet mutacioneve, ose ndryshimeve të tjera në gjenomën (ADN-në e një individi). E dyta është zgjedhja e vërtetë natyrore, e cila eliminon individët që nuk arrijnë të riprodhohen në atë mjedis të veçantë.
Mutacionet, së bashku me rikombinimin dhe emigrimin në vende të tjera, mund të konsiderohen të krijuara rastësisht. Por përzgjedhja natyrore është një proçes i përkryer deterministik, shumë larg nga zgjedhja e rastësishme.
8. Është gjithmonë përparim
Jo. Mendohet se speciet e së kaluarës, ishin më pak evolucionare se ato të sotmet, më pak të përsosura dhe të përshtatura për mjedisin. Në fakt, meqenëse evolucioni zgjedh vetëm individët që arrijnë të mbijetojnë në një kohë dhe vend të caktuar, në të kaluarën kanë jetuar specie që nuk ishin as më të mira dhe as më të keqija sesa sot, por vetëm të ndryshme.
9. Është një teori për origjinën e universit dhe të jetës
Jo. Evolucioni përshkruan dhe shpjegon, vetëm atë që ka ndodhur, ndodh dhe do të ndodhë me speciet e gjalla. Proçesetkimike dhe fizike, që kanë çuar në format e para të jetës, si dhe Big Bengu, dhe shumë dukuri të tjera fizike nuk kanë të bëjnë me evolucionin përmes përzgjedhjes natyrore. Evolucioni “hyri në veprim” vetëm kur ka pasur qeliza, madje edhe ato shumë të thjeshta, që u riprodhuan.
10. Është një udhëzues për sjelljen
Jo. Evolucioni nuk dikton udhëzime për sjelljen njerëzore. Këto të fundit, bazohen në themele të tjera:socialiteti, simbolet, morali, kultura …që ndryshojnë me kalimin e kohës, dhe nga populli në popull. Nuk ka të bëjë aspak me skllavërinë apo racizmin, të cilat janë sjellje njerëzore, dhe as me pseudo-shkenca të tilla si fizionomia, që në fund të viteve 1800, pretendonte se kishte një lidhje direkte mes sjelljes së njeriut dhe tipareve të tij fizike. / Fokus – Bota.al