Zhvillimet teknologjike, rritja ekonomike dhe evolucioni kulturor – të gjitha karakteristika të globalizmit – ka zhvilluar aftësinë tonë për të zgjidhur shumë nga “të këqijat sociale” që vazhdojnë të ekzistojnë.
Identifikimi i mjeteve të duhura për t’u përballur me problemet është element shumë i rëndësishëm, por hapi i parë që duhet ndërmarrë është të identifikuarit dhe të kuptuarit e problemeve më të mëdha dhe se cilat prej tyre kanë karakter global. Nëse këto probleme konsiderohen globale, atëherë, në një botë tërësisht të ndërvarur, ne duhet të aplikojmë metoda që do të përdoren nga të gjitha kombet për të zgjidhur këto probleme.
Dy dekadat e ardhshme do të jenë të një rëndësie mjaft të madhe për planetin tonë. Mënyra se si do të zgjidhen këto probleme do të përcaktojë fatin e planetit dhe të të gjitha gjeneratave. Më poshtë renditen dhjetë problemet më urgjente me të cilat bota përballet sot.
1 – Kolapsi global ekonomik
Sistemi global financiar sot është më i ndërlidhur dhe bashkëveprues se ndonjëherë tjetër, dhe një krizë në një nga bankat më kryesore apo në një nga vendet më të rëndësishme në botë, mund të përhapet me shpejtësinë e dritës. Çdokush që në ditët e sotme flet për qëndrueshmëri të sistemit ekonomik botëror, nuk ka informacionin e mjaftueshëm për ta thënë këtë. Nëse shihen, të paktën depozitat bankare botërore, është konkluduar se sasia totale e borxhit të marrë nga qytetarët është shumë më e madhe se sasia totale e parave në qarkullim. Vende të ndryshme të botës, në kohë të ndryshme, janë përballur me krizën ekonomike të vendit. Kjo nuk ka qenë aspak e lehtë, dhe pritet që e njëjta gjë të vlejë dhe për krizën aktuale ekonomike me të cilën po përballemi.
2 – Terrorizmi
Terrorizmi është problemi aktual global që vë po vë në rrezik jetën e çdo personi në tokë. Qëllimi kryesor dhe parësor i çdo qeverie duhet të jetë inkurajimi dhe nxitja e individëve që të bashkojnë forcat e tyre ndaj terrorizmit dhe ta fitojnë luftën ndaj tij përmes përpjekjeve të përbashkëta. Qeveritë duhet të njohin rëndësinë madhore të këtij problemi dhe si rrjedhojë, aktiviteti politik i saj duhet të bazohet në këtë konsideratë madhore. Për të zgjidhur problemin madhor të terrorizmit, ne duhet të zbulojmë origjinën e tij, të analizojmë veprimet që kanë ndërmarrë kombet kundër tij, dhe qëndrimin social të shoqërive ndaj këtij fenomeni. Politikat aktuale globale nuk kanë qenë në gjendje ta ndalojnë përhapjen e terrorizmit dhe kanë bërë një punë të pamjaftueshme për ta minimizuar atë. Njohja e konceptit të terrorizmit do të ishte e një rëndësie mjaft të madhe pasi terrorizmi shpeshherë ngatërrohet dhe lidhet vetëm me vende dhe popuj të caktuar. Ndaj është e nevojshme që bota të marrë masa të forta për tu përballur me këtë problem.
3 – Prodhimi i armëve të shkatërrimit në masë
Prodhimi i armëve të shkatërrimit në masë (armët bërthamore, kimike dhe biologjike) dhe teknologjia e përdorur për prodhimin e tyre është sot një ndër problemet më madhore që kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Përdorimi i këtyre armëve kundërshton dhe bie ndesh me të gjitha ligjet ndërkombëtare, dhe veçanërisht ato humanitare dhe çështjet që ato mbrojnë. Kryetarët e shteteve dhe qeveritë kombëtare që morën pjesë në Samitin në Çikago në Maj të 2012s, argumentuan se “prodhimi i armëve të shkatërrimit në masë kërcënon dhe vë në rrezik vizionin tonë të përbashkët për të krijuar kushtet e nevojshme për një botë pa armë bërthamore, në përputhje me qëllimet e Aktit Kundër Prodhimit të Armëve Bërthamore (NPT).
4 – Ndryshimet klimaterike
Ndryshimet klimaterike me të cilat po përballemi sot në shek XXI, është një ndër problemet më urgjente me të cilat përballet bota. Toka po ngrohet, dhe ekziston një konsensus i madh ndërmjet shkencëtarëve që kjo realisht po ndodh dhe është e shkaktuar nga njerëzit. Me rritjen e përmasave të ngrohjes globale dhe me zhdukjen e specieve dhe habitateve të tyre, aftësia e ekosistemeve për të përshtatur natyrshëm është zvogëluar jashtëzakonisht shumë. Shumë studiues tashmë kanë pranuar dhe rënë dakord se ndryshimet klimaterike janë një ndër problemet kryesore dhe një ndër kërcënimet kryesore me të cilat po përballet planeti. Në vitet e fundit është regjistruar një rritje e madhe e temperaturave në rajone të ndryshme të botës, dhe ndryshime ekstreme në kushtet klimaterike, ku përmenden uraganet dhe tërmetet që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit.
5 – Mbipopullimi
Numri i popullsisë në botë shumë shpejt do të arrijë nivele të paparashikueshme dhe të paprecedentë, gjë e cila do të shoqërohet me shkurtime dhe mungesë burimesh për të përballuar jetën. Rritja duhet të ndalohet ose të paktën të limitohet, në mënyrë që të mund të shmanget kjo katastrofë. Shumë nga problemet mjedisore, sociale dhe ekonomike janë krijuar ose janë rritur për shkak të problemit të mbipopullimit. Në mënyrë që të stabilizohet numri i popullsisë, jo vetëm në zonat e botës së tretë, por dhe në zonat e industrializuara, bota duhet të bashkëpunojë që të arrijë rritjen zero të popullsisë. Toka nuk zotëron burime të mjaftueshme që të përballojë rritjen e madhe dhe të pakontrollueshme të popullsisë. Shumë njerëz sot po vdesin për shkak të kequshqyerjes dhe problemeve që lidhen me të. Ndaj nevoja për të kontrolluar rritjen e popullsisë merr një rëndësi madhore.
6 – Mungesa e ujit
Një tjetër burim, dhe në një masë mjaft të madhe një problem botëror, i lidhur ngushtësisht dhe me rritjen e popullsisë, është uji. Furnizimi me ujë të pijshëm është i limituar. Thatësira dhe mungesa e zgjatur e ujit në Kaliforni është një shembull i qartë i këtij problemi. Shpesh kanë lindur probleme dhe konflikte ndërmjet fermerëve, njësive bashkiake, ambientalistëve dhe të tjerëve rreth të drejtave mbi ujin. Kohët e fundit ka patur debate dhe konflikte mes ambientalistëve dhe qeverisë së Los Anxhelos, lidhur me problemin e ujit: filtrimi i ujit nga liqeni Mono në bazën ujore të LA. Ky konflikt i lindur tregon në një masë të madhe problemet që lindin si pasojë e mungesës së ujit, ku furnizimi me ujë të pastër dhe të pijshëm është shumë i kushtueshëm.
7 – Varfëria
Në sondazhet e realizuara këtë vit, varfëria është cilësuar dhe renditur si një nga problemet më serioze me të cilin po përballet bota në ditët e sotme – e lidhur ngushtësisht me kolapsin ekonomik – përfshi këtu dhe vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, ShBA dhe vende të tjera, që konsiderohen si vende të fuqishme ekonomike. Është argumentuar, në bazë të gjetjeve të këtyre sondazheve, se rritja e kostove ushqimore dhe të energjisë ishte një nga arsyet më serioze të uljes së nivelit ekonomik dhe rrjedhimisht të rritjes së varfërisë. Varfëria në ditët e sotme konsiston në atë që miliona njerëz sot nuk kanë ku të jetojnë; jetojnë nën nivelin minimal të jetesës; kanë pamjaftueshmëri në konsum ushqimor; vuajnë nga kequshqyerja; nuk kanë akses ndaj shërbimeve shëndetësore, për të siguruar ujë të pijshëm. Megjithëse Bota ka burimet dhe aftësitë e mjaftueshme dhe të nevojshme për të zhdukur varfërinë, që përbën vetëm 1 % të të ardhurave botërore, ende njerëzit përballen me varfëri ekstreme dhe pasojat që vijnë si rezultat i saj.
8 – Speciet në zhdukje
Në ditët e sotme, aktivitetet njerëzore përbëjnë shqetësim për shkak të zhdukjes masive të specieve të ndryshme – një pasojë e cila nuk mund të kuptohet tërësisht. Rritja e temperaturës në oqeane redukton aftësinë e planktonevepër tu riprodhuar, dhe si rrjedhojë duke dëmtuar dhe vënë në rrezik e gjithë ekositemin oqeanik. Për më tepër, praktikat moderne agrikulturore dëmtojnë hapësirat e punueshme të tokës përmes ujërave dhe erozionit, dhe gjatë këtij procesi shkatërrohet mikro ekosistemi i mahnitshëm të cilit i janë dashur miliona vite për tu formuar dhe për t’i dhënë jetë jetës në tokë.
9 – Impakti potencial i meteorëve
Në shkurt të 2013-s, njerëzit që shkuan të punonin në qytetin Chelyabinsk dëgjuan se si ishte zhurma e një shpërthimi dhe panë një ndriçim të shndritshëm dhe më pas ndjenë valën e tronditjes në këtë qytet industrial, vetëm 1500 km në lindje të Moskës. “Topi i zjarrit” që udhëtonte me një shpejtësi pre 30km/sek, sipas agjencisë hapësinore Ruse, shpërtheu në horizont, duke lënë shenja të mëdha të bardha që mund të shiheshin deri në 200 km larg. U ndezën mijëra alarme makinash, mijëra xhama dritaresh u thyen dhe rrjetet e kompanive telefonike pësuan dëme. Ministri i Brendshëm i Rusisë është shprehur se shpërthimi i meteorit, një ndodhi mjaft e rrallë, ka rritur shqetësimet rreth ardhjes së fundit të botës, transmeton tiranaobserver.
10 – Nafta dhe gazi
Nafta si lëndë djegëse dhe bazë për shumë produkte është një problem që shkon përtej ngrohjes globale. Edhe po të mos kishte ngrohje globale, nafta do të ishte problem, sepse është shumë e kushtueshme dhe ka nxitur lindjen e luftërave të shumta. Konflikte të shumta kanë lindur mes shteteve të ndryshme me qëllim marrjen në zotërim dhe kontrollin e zonave të pasura në këto lëndë. Rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi gjenden në det, në pjesë të ndryshme të botës. Megjithatë, kërkimet, shpimet dhe transporti i këtyre lëndëve mund të dëmtojë rëndë zonat ujore dhe speciet që jetojnë në këto zona.