Bota

“Diaboliku” Aleksandr Dugin. Brenda ideologjisë së Kremlinit

“Ne besnikë ndaj kristianizmit, ju keni gjininë”. Intervistë me “mendjen” e Vladimir Putinit: “Admiroja Europën e intelektit, jo këtë të idiotëve pasmodernë”

Europa dhe Shtetet e Bashkuara shpesh ia kanë shkëmbyer favorin Aleksandr Duginit. Një vit më parë, politologut të famshëm rus i është mbyllur dera në Greqi. i shoqëruar nga Patriarku i Moskës Kiril për një konferencë në Malin Athos, Dugin është ndaluar në aeroportin e Selanikut dhe i është komunikuar se hyrja e tij në territorin e Bashkimit Europian ishte ndaluar. Një vit më parë, Departamenti amerikan i Thesarit e kishte futur në listën e qytetarëve rusë nën sanksion prej krizës ukrainase. Një muaj më pas ka qenë Kanadaja ajo që e ka vënë nën embargo Duginin. Për të kanë shkruar të gjithë, nga “Foreign Policy”, që e quante “truri i Putinit”, tek “Il Sole 24 Ore”, që pak ditë më parë e ka quajtur “Rasputini i Putinit”. Djali i një oficeri sovjetik, disident në vitet Tetëdhjetë, kundërshtar i Jelcinit në vitet Nëntëdhjetë, Dugini është një mendimtar rus që një shkrim në revistën australiane “Quadrant” e ka quajtur “një i çmendur i vetëdijshëm pasmodern”. Ama një I çmendur me aksese politike të rëndësishme. Libri i tij, “Themelet e gjeopolitikës”, është përdorur në shkollat ushtarake, Dugini është një prani fikse në televizionin Tsargrad (kanal patriotik i dëshiruar nga Kremlini dhe i financuar nga miliarderi Konstantin Malofeev) dhe kur Turqia ka rrëzuar dy avionët rusë, ai ka përdorur kontaktet e tij në Ankara për ta ndihmuar Putinin të pajtohet me Erdoganin. Filozofi kultivon edhe raporte në të gjithë Europën, si në Greqi, ku është shumë mik me Ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias, ashtu siç duket edhe se se ekziston një lidhje me Steve Bannon, krahu i djathtë i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Dugini e ka dhënë këtë intervistë ekskluzive për “Il Foglio” që të shpjegojë jo vetëm idetë e tij, por edhe vizionin që udhëheq Rusinë e Putinit. Në Konferencën e Mynihut për Sigurinë, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov ka folur për lindjen e një “rendi pasperëndimor”. Kjo është puro Dugin.

Sa afër jeni me Putinin?

Është e vështirë të përgjigjesh, nuk jam edhe aq i afërt me Presidentin siç mendojnë disa, por shumë ide që kam shprehur në filozofi, në politikë, e kanë influencuar shumë Putinin. Nuk duhet ekzagjeruar, edhe pse është e vërtetë që ka pasur një influencë autentike të ideve të mia tek Presidenti. Idetë kanë një fat të tyrin dhe mund ta influencojnë logjikën e politikës dhe të historisë. Idetë janë ente të gjalla dhe mund të gjejnë shumë mënyra për të arritur tek njerëzit. Problemi me Perëndimin është pikërisht ky, është se nuk beson më tek idetë, dhe se Perëndimi nuk njihet më”.

Aleksandr Duginin e pyesim se ku lind antipatia kulturore e tij për Europën, që duket se aq shumë e ka frymëzuar Putinin.

“Sot Europa Perëndimore është në kurthin e modernizmit e të pasmodernizmit, projekti i modernizmit liberal shkon drejt çlirimit të individëve nga të gjitha kufizimet me shoqërinë, me traditën shpirtërore, me familjen, me vetë humanizmin. E çliron edhe nga gjinia e tij dhe një ditë edhe nga natyra njerëzore e tij.  Kuptimi i politikës sot është ky projekt çlirimi. Udhëheqësit europianë nuk mund ta ndalojnë këtë process, por vetëm mund të vazhdojnë: më shumë emigrant, më shumë feminizëm, më shumë shoqëri e hapur, më shumë gjini, kjo është linja që nuk diskutohet për elitat europiane. Dhe nuk mund ta ndryshojnë kursin. Por sa më shumë kalon koha, aq më shumë njerëzit nuk pajtohen. Përgjigja është reaksioni që rritet në Europë dhe që elitat duan ta ndalojnë duke e demonizuar. Elitat europiane janë ideologjikisht të orientuara nga liberalizmi ideologjik”.

Në Moskë, fitorja e Donald Trump, për të përdorur një eufemizëm, është pritur me favor.

“Trump në Shtetet e Bashkuara e ka marrë pushtetin duke e ndryshuar paksa këtë situatë dhe sot Europa gjendet e izoluar. Rusia është sot armiku numër një I Europës sepse Presidenti ynë nuk e ndan këtë ideologji pasmoderne liberale. Jemi në luftë ideologjike, por kësaj radhe nuk është midis komunizmit dhe kapitalizmit, por midis elitës liberale politikisht korrekte, aristokracisë globaliste, dhe kujt nuk e ndan me ta këtë ideologji, si puna e Rusisë, por edhe e Trump. Europa Perëndimore është dekadente, e humb të gjithë identitetin dhe kjo nuk është pasojë procesesh natyrore, por ideologjike. Elitat liberale duan që Europa ta humbasë identitetin e saj, me politikën e emigracionit dhe atë gjinore. Kështu, Europa humbet forcë, humbet mundësinë për t’u riafirmuar, natyrën e brendshme të saj. Në kuptimin e intelektit, Europa është shumë e dobët, është kulturalisht e dobët. Mjafton të shikosh sesi gazetarët dhe qarqet kulturore diskutojnë për problemet e Europës, unë nuk e njoh më këtë Europë. Mendimi qëndron në nivelin më të ulët të mundshëm. Europa ishte atdheu i logos-it, i intelektit, i mendimit dhe sot është një karikaturë e vetvetes. Europa është e dobët shpirtërisht dhe mendërisht. Nuk është e mundur të shërohet, pasi elitat politike nuk do ta lejonin. Europa do të jetë gjithnjë e më shumë kontradiktore, gjithnjë e më shumë idiote. Rusët duhet ta shpëtojnë Europën nga elitat liberale që po e shkatërrojnë”.

“E pazgjidhur çështja ukrainase”

Po Rusia a nuk duhet të aspirojë të afrohet me Europën, siç dukej pas rënies së komunizmit?

“Rusia është një qytetërim i veçantë, kristian ortodoksë. Ka aspekte të ngjashme midis Europës dhe Rusisë, por pas rënies së komunizmit, kur Rusia i është afruar Perëndimit, kemi kuptuar se Europa nuk ishte më vetvetja, se ishte një parodi e lirisë, se ishte dekadente dhe pasmoderne, se dergjej në dekompozim total. Ky Perëndim nuk na duhej më si një shembull për t’u ndjekur, kështu që kemi kërkuar një frymëzim në identitetin rus dhe kemi gjetur se kjo diferencë është midis katolicizmit dhe ortodoksisë, midis protestanizmit dhe ortodoksisë. Ne rusët jemi trashëgimtarë të traditës romake, greke, bizantine, jemi besnikë ndaj shpirtit të lashtë kristian të Europës që ka humbur çdo lidhje me këtë traditë. Rusia mund të jetë një pikë mbështetjeje për restaurimin europian, jemi më shumë europianë ne rusët sesa këta europianë. Jemi kristianë, jemi trashëgimtarë të filozofisë greke”.

Në qendër të mendimit të Duginit, përkrah luftës ndaj liberalizimit, është Eurazia, në justifikim të ambicies së Moskës për t’u rikthyer në trojet ish sovjetike, nga Balltiku në Detin e Zi, për të restauruar dominimin mbi popullsitë joruse, duke arritur të vendosë deri një protektorat mbi Bashkimin Europian.

“Vendet fqinje me Rusinë qenë ngrehina artificiale pas shembjes së Bashkimit Sovjetik dhe nuk ekzistonin përpara komunizmit. Janë rezultat I rënies së komunizmit. Qenë në fakt pjesë të një qytetërimi euraziatik dhe e Perandorisë Ruse pararevolucionare. Nuk ka agresion nga Putini, por restaurim të një qytetërimi rus që ishte shpërbërë. Këto akuza janë rezultati I frikës se mos Rusia riafirmohet fuqi e pavarur dhe se mos do ta mbrojë identitetin e saj. Ukraina, Gjeorgjia dhe Krimeja kanë bërë shumë gabime ndaj Rusisë dhe kanë sulmuar pakicat ruse që jetojnë në këto vende”.

Po ju i keni pushtuar…..!!!!

“Rusia me forcë të madhe i është përgjigjur shkeljeve të drejtave gjeorgjiane, oshece, ukrainase, abkhaze, krimease. Europa nuk mund ta kuptojë aktin politik par excellance, sovranitetin, pasi vetë ajo e ka humbur kontrollin e sovranitetit të saj. Trump ka nisur ta ta ndryshojë situatën në Shtetet e Bashkuara dhe ka kujtuar se sovraniteti është një vlerë dhe ne rusët me Putinin ja kemi kujtuar këtë botës përpara tij”.

Kështu që Rusia do t’i hedhë sytë edhe nga vendet e NATO-s në kufirin e saj, çështjen e Kaliningradit, ish Kënigsbergut, atdheut të Kant, pyka midis Lindjes dhe Perëndimit?

“Gjeopolitikisht, vendet balltike nuk futen në sferën e interesave ruse, me Gjeorgjinë jemi në një moment stabiliteti, problem mbetet me Ukrainën, pasi situata nuk është paqësore, nuk kemi çliruar territoret ku identiteti prorus është dominues, ku është viktimë e një përzierje neonazistësh dhe neoliberalësh. Ukraina do të mbesë problem numër një, por me ardhjen e Trump ekziston probabiliteti i daljes nga logjika e luftës”.

Europa dhe islami. Putini mburret se ka ndërtuar një konkordat me islamin në Rusi, ndërsa Europa është nën sulm islamist.

“Problemi nuk është me islamin, por me elitat që kanë lejuar të futen miliona myslimanë, pa i integruar, sepse ekziston një boshllëk pa identitet. Në këtë liberalizëm nuk ka më asimilim kuturor, europianët nuk mund t’u propozojnë emigrantëve një sistem vlerash, por vetëm korrupsionin moral. Kjo politikë vetëvrasëse europiane nuk mund të pranohet nga emigrantët myslimanë. Europa impenjohet edhe që t’i vendosë myslimanët, sidomos fanatikët fondamentalistët, duke vazhduar ta shkatërrojë veten dhe nga ana tjetër mendojnë elitat liberale. Ideologjia ëahabiste dhe e Shtetit Islamik është problem, jo islami tradicional që është vetë viktimë e fanatizmit islamik. Pa këtë politikë emigracioni, islami që ekziston në trojet e tij nuk do të përfaqësonte ndonjë rrezik për Europën”.

“Putini është i fortë, por nuk lë trashëgimtarë”

Prej 3 vitesh, Rusia ka ndërtuar imazhin e një vendi që adopton politika të kundërta me ato të Europës.

“Martesat gei dhe LGBT-të janë çështje politike, jo morale. Jo rastësisht, ideologjia libertare dëshiron ta destrukturojë idenë e burrit dhe të gruas. Putini e ka kuptuar shumë mirë këtë dhe ka nisur të reagojë kundër këtij vizioni që shkatërron shoqërinë. Ky nuk është problem zgjedhjeje personale dhe individuale, nuk ka ligjet kundër homoseksualizmit, por ligje kundër propagandimit të kësaj ideologjie gei që shkatërron identitetin kolektiv, që shkatërron familjet, që shkatërron sovranitetin e shtetit duke kërkuar që t’i ndryshojë shoqërinë civile. Nuk është një çështje morale apo psikologjike, por politike”.

Dugini konsiderohet një mbështetës i madh i Putinit, por këtu i zbulon limitet.

“Historia është gjithmonë e hapur, nuk mund të themi se çfarë do të ndodhë me Rusinë. Për të krijuar një të ardhme të fortë e të shëndoshë për Rusinë duhet të bëjmë shumë përpjekje, asgjë nuk është e garantuar, ka shumë sfida për Rusinë dhe Putini ka arritur t’u përgjigjet shumë prej tyre, duke i fituar. Problemi i vendit tonë konsiston në forcën dhe dobësinë tonë, Putini i garanton Rusisë ruajtjen e sovranitetit dhe identitetit, rikthimin në skenë të Rusisë së madhe, por jemi edhe të dobët, pasi Putini përfaqëson vetveten, nuk ka arritur të krijojë një trashëgimi që të mund të garantojë mbijetesën e kësaj ideje të Rusisë. Deri kur të jetë Putini, Rusia ka shpresë që të jetë e fortë, por Putini është problem sepse nuk e ka institucionalizuar linjën e tij të mendimit. Rusia e sotme është Putinocentrike”.

Domethënë, çfarë shikoni në të ardhmen për Europën?

“Unë jam ndjekës i Rene Guenon, i cili ka identifikuar krizën e shoqërisë perëndimore shumë përpara shekullit të XXI-të. Forma e degradimit shpirtëror të Europës ka filluar me modernizmin, humbjen e identitetit Kristian, por e ka arritur kulmin në vitet Nëntëdhjetë, kur të gjitha institucionet u plazmuan nga liberizmi i djathtë në ekonomi dhe liberizmi i majtë në kulturë. Miratimi i martesave gei më ka bërë të kuptoj se për ku po shkonte Europa. Shpejt do të arrihet në momentin final, më pas do të jetë kaosi, lufta civile, shkatërrimi. Ndoshta është tepër vonë për ta përmbysur situatën”.

(nga Il Foglio)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / bota.al

Leave a Reply

Back to top button