Histori

“Dielli dhe Hëna pushuan së lëvizuri …” eklipsi biblik që mund të rishkruajë historinë

Ngjarja astronomike, e cila ndodhi më 30 tetor 1207, pes, mund të ndikojë në kronologjinë e botës së lashtë në mënyra të ndryshme nga ç’kishte imagjinuar deri tani.

Shkencëtarët në Universitetin e Kembrixhit kanë kombinuar një pasazh nga Bibla dhe një tekst egjiptian për të përcaktuar datën e atij që mund të jetë eklipsi diellor më i vjetër i regjistruar, sipas një studimi të botuar në revistën Astronomy & Geophysics.

Në kërkimin e tyre, ekspertët kanë përcaktuar datat kur kanë mbretëruar disa faraonë egjiptianë – në veçanti, Ramsesi i Madh – dhe, nëse bashkësia shkencore pranon versionin e ri të studimit, kjo mund të çojë në një përshtatje në llogaritjet e egjiptologëve, e si pasojë edhe rishkrimin e historisë.

Në Dhiatën e Vjetër, libri i Joshuas shpjegohet se, pasi ai udhëhoqi popullin e Izraelit në Kanaan, një rajon i Lindjes së Mesme të lashtë që mbulonte Izraelin dhe Palestinën e sotme, Joshua i tha Zotit në praninë e Izraelit:

“Diell, qëndro mbi Gibeon dhe ti, hënë, mbi Luginën e Ajalonit. Kështu dielli u ndal dhe hëna pushoi, deri sa kombi të hakmerrej kundër armiqve të tij, ashtu siç është shkruar në librin e Jasharit”. Dielli u ndal në mes të qiellit dhe vonoi të zbriste rreth një ditë të tërë. Asnjëherë nuk ka patur një ditë si ajo, më përpara dhe që atëherë, një ditë kur Zoti dëgjoi një qenie njerëzore. Me siguri Zoti luftoi për Izraelin”.

-Joshua 10: 12-14.

“Nëse këto fjalë përshkruajnë një vëzhgim të vërtetë, atëherë një ngjarje e madhe astronomike po ndodhte – pyetja që ne duam të kuptojmë është ajo që në fakt do të thotë teksti”, tha në një deklaratë bashkëpunëtori i studimit, profesor Sir Colin Humphreys nga Departamenti i Materialeve, Shkencës & Metalurgjisë, Universiteti i Kembrixhit.

Normalisht, “përkthimet në anglishten moderne” thonë se “Dielli dhe Hëna pushuan së lëvizuri”, por, sipas tekstit origjinal hebraik, “ne përcaktuam se një kuptim alternativ” mund të ishte që Dielli dhe Hëna “pushuan së shndërrituri”, shpjegon Hamfris.

Fenomeni mund të ketë qenë një eklips diellor – kur Hëna gjendet në shtegun midis Tokës dhe Diellit – një interpretim i mbështetur nga fakti që fjala hebraike e përkthyer “qëndron palëvizur“ ka të njëjtin rrënjë si një term babilonas që shfaqet në tekstet e lashta astronomike për të përshkruar eklipset.

Dëshmi të tjera se izraelitët ishin në Kanaan ndërmjet viteve 1500 dhe 1050 para Krishtit shfaqet në një tekst egjiptian të Faraonit Merneptah, birit të Ramsesit të Madh.

Kjo pllakë graniti, e cila është ruajtur në Muzeun egjiptian në Kajro, tregon se ishte gdhendur në vitin e pestë të mbretërimit dhe përmend një fushatë në Kanaan, në të cilën Merneptah mundi popullin e Izraelit.

Sipas ekspertëve, eklipsi diellor unik i dukshëm nga Kanaani midis 1500 dhe 1050 pes ndodhi më 30 tetor 1207, para erës sonë.

Nëse vërtetohet ky fakt, jo vetëm do të ishte ngjarja më e vjetër e regjistruar, por do të lejonte të përcaktohej koha e mbretërimeve të Ramsesit të Madh dhe djalit të tij Merneptah me saktësi  të madhe. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button