Nga Richard North Patterson
Gjithnjë e më shumë, demokratët e shqetësuar nga fushata e Hilari Klintonit, shpresojnë që zv.presidenti aktual i SHBA-së, Xho Bajden të futet në garë me të gjithë humanizimin e tij të jashtëzakonshëm. Në këtë moment politikisht të pafrymë, ata do t’i kalojnë ditët e ardhshme duke pritur Bajdenin.
Arsyeja është shumë e thjeshtë. Në çfarëdolloj pikëpamje, Xho Bajdeni është një njeri i thjeshtë. Ata që kanë punuar me të e përshkruajnë si një politikan pranë votuesve – që i do njerëzit, që është i ngrohtë dhe bujar me ta. Por kjo nuk të thotë se në mjedisin e tij darvinian, pothuajse të gjithë e pëlqejnë.
Për demokratët, imazhi i Bajdenit zgjon tek një turmë një ngrohtësi, të cilën z.presidenti e reflekton qartazi.
Dhe ai nuk është kurrë më i mirë, sesa në kohë trishtimi apo fatkeqësie. Përmendja e Ted Kenedit në ceremoninë përkujtimore të senatorit, ishte një mrekulli e ndjeshmërisë – jo më pak, edhe kur iu drejtua secilit anëtar të familjes me një kujtesë të paraprirë nga “xhaxhai juaj” ose “babai juaj”.
Dhembja e tij për humbjen e djalit të tij Beau, po ndikon përtej fjalëve, aq më tepër kur ai lufton t’i gjejë ato. Është me siguri një pasuri për votuesit, të shohin një kandidat në momentet më të vështira dhe t’i përballojë ato. Edhe Presidenti Obama e ka bërë këtë – herë pas here, Bajden ka bashkëpunuar me ish-kolegët e tij për të çuar përpara axhendën e presidentit, duke u kthyer përgjatë procesit në një zëvendës president me të vërtetë të rëndësishëm
Ashtu si Bill Klinton, Bajden shijon çdo aspekt të politikës – me përjashtim, të mbledhjes së fondeve. Për të, arti i bindjes është një praktikë e gëzueshme, e nxitur nga angazhimi ndaj amerikanit mesatar me të cilin ai ende identifikohet. Për Bajdenin, angazhimi në vorbullin e politikës dhe banorët e saj, është i natyrshëm po aq sa edhe frymëmarrja.
Por kandidimi për president, nuk shihet me simpati nga kundërshtarët. Nuk është rastësi që një mori artikujsh kohët e fundit, kanë “zhvarrosur” momente të ashpra në të kaluarën politike të Bajdenit. Feministet me memorie të fortë, e sfidojnë punën e tij duke kujtuar gjyqin ndaj Klarens Tomasit, dhe akuzuar Bajdenin se lejoi që Tomas dhe aleatët e tij të diskretitonin Anita Hillin, pa thirrur dëshmitarët që mund të vërtetonin pretendimet e saj për ngacmim seksual.
Ka nga ata që vënë në dyshim ndershmërinë e tij, kur si kandidat për president në fushatën e vitit 1988, Bajden përvetësoi detaje nga jeta e një politikani britanik, duke i paraqitur si të tijat. Progresistët kujtojnë votën e tij në favor të luftës në Irak, dhe një ligj mbi falimentimin, që favorizoi kompanitë e kartave të kreditit në Delauer.
Kritikë të tjerë, ringjallin këshilla e tij për Obamën, për të mos shkuar pas Osama bin Ladenit. Nëse Bajden do të kandidojë, këto çështje të “mumifikuara” do të ringrihen. Tërheqja dhe paparashikueshmëria është në ADN-në e Bajdenit. Shumë shpesh kjo është një çështje angazhuese dhe e bukur për t’u parë.
Por fuqitë e tij mbi fjalën duken të mbi-programuara për rezultate, duke krijuar rrezikun e vazhdueshëm të një serie lapsusesh. Megjithëse zv.presidenca deri më tani ka heshtur, historikisht ai është dukur shpeshherë në pozita mbrojtëse rreth intelektit të tij, duke krijuar momente të pakëndshme të pasigurisë publike.
Dhe debatet e nivelit të lartë, që shtrihen përpara fushatës presidenciale, të sjellin në mendje Bajdenin e vitit 2012 në përballjen televizive me Pol Rajan, kur zv.presidenti aktual e prishi imazhin e tij përmes buzeqeshjeve të vazhdueshme në vetëkënaqësi, nënqeshjeve dhe zgërdheshjeve, të ndërprera me picërimi i syve dhe tundja e kokës.
Por çështja kryesore është kjo:cila është në thelb, arsyeja kryesore për zgjedhjen e Bajdenit mbi Hilari Klintonin? Bazat e tyre të mbështetjes kryesisht mbivendosen, ashtu si qëndrimet e tyre mbi çështjet kryesore – ndryshe nga Berni Sanders, Bajden s’mund të pretendojë se do ta luftojë Klintonin për shpirtin e Partisë Demokratike.
Dallimet vërtetë janë stilistike, dhe mesazhi i nënkuptuar i garimit të Bajden, do të ishte se imazhi i Klinton është dëmtuar shumë për të mundur të fitojë. Kjo është aq e vështirë të artikuluar, sa është edhe mbrojtja me çdo besim e superioritetit afatgjatë të Bajdenit si kandidat.
Në fakt, pranimi nga Kevin Mekarthi se komisioni hetimor mbi ngjarjet në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, është një gjueti politike shtrigash, mund të ndihmojë në rritjen e mbështetjes për Klintonin. Dhe në mesin e atyre demokratëve që frikësohen se emërimi i Sanders do të jetë një fatkeqësi zgjedhore, qëndron edhe droja që Bajden mund të zgjerojë ditën për diell rrugën e vetëshpallur si socialiste.
Në fund, vendimi i Bajden lidhet, sikurse ndodh shpesh me të, me elementin njerëzor. Ai është një burrë 72-vjeçar, që ka kapërcyer vështirësi të mëdha për të arritur një karrierë vërtetë të denjë në kulmin e politikës amerikane. Edhe pse mund të jetë e vështirë për të, t’ia ngulë sytë humnerës së daljes në pension, për Bajdenin hiri dhe nderi nuk janë gjëra të vogla.
Ai me siguri ngre pikëpyetje mbi “këngën e sirenave” që këndojnë shifrat e sondazheve të nxitura nga kompanitë që duan humbjen e tij, edhe duke e ditur se tirania e afateve do ta detyrojë për marrjen e një vendimi shumë shumë shpejt. Në reflektimet e tij fundore , ai duhet të ketë parasysh edhe mundësinë e një fushate të dështuar, apo akoma më keq, rrezikun e të mbajturit mend si një pykë që dobësoi shanset e demokratëve. Dhe ata që po shohin dhe presin, janë lënë të pyesin veten nëse një kandidaturë si e Bajdenit, do të jetë një vlerë e shtuar për partinë e tij, apo vetëm për atë vetë.
Shënim: Richard North Patterson Veriut është shkrimtar dhe publicist.
“Huffingtonpost.com” – Bota.al