Traineri i Shqipërisë, Kristian Panuçi ka nisur të ndërtojë skuadrën që do të përballet me Spanjën dhe Italinë, në një hark kohor prej katër ditësh. Një pjesë e ekipit është e dëmtuar ndërsa një pjesë janë prekur prej gripit të stinës, dhe trainerit i duhet të bëjë llogaritë edhe me këta faktorë.
Mavraj është i pezulluar, Agolli nuk është në gjendjen më të mirë fizike ndërsa edhe Elseid Hysaj është stërvitur më vete në seancën e djeshme. Janë tre lojtarë stabël të formacionit që pa dyshim ia shtojnë ankthin Panuçit. Traineri shpreson që deri ditën e ndeshjes Agolli dhe Hysaj do të mund të luajnë, ndërkohë që është në dilemë për të vendosur mes Veselit dhe Gjimshitit.
Kaçe, Lenjani dhe Xhaka mund të jenë tre futbollistët që do të zëvendësojnë Abrashin, Roshin dhe Kukelin.
Dilema ka traineri edhe për sulmin. I duhet të vendosë mes Cikalleshit, që kohët e fundit ka qenë në formë të shkëlqyer dhe Sadikut. Sidoqoftë ka dhe disa ditë në dispozicion të trainerit, para se të vendosë për 11-shen që do të hedhë në fushë.