Bota

Dita e zonjës së hekurt që tremb Donald Trumpin. Kështu Nancy diti të presë momentin e saj

Çfarë sikleti duhet të jetë për “presidentin ngacmues” që gjeti në rrugën e vet, këtë “vajzë kokëfortë italo-amerikane”. Sikur Nancy Pelosi të ishte burrë, Donald Trump do të kishte përdorur taktikën e tij të preferuar: sulmin për ta demashkullorizuar.

Ai u përpoq gjithsesi, duke i vënë asaj një nofkë siç bën me të gjithë kundërshtarët, “Nervous Nancy”. Por asgjë nuk mund të bësh, zoti President, sepse, ashtu siç shkruante në New York Times Maureen Dowd, rrëfyesja e përpiktë e politikës, “Nancy është gjithçka, por vetëm nervoze jo”. Eshtë kujdesur edhe vetë Nancy t’ia bëjë të qartë: “Unë jam nënë e pesë fëmijëve dhe një gjyshe e nëntë, i njoh mirë tekat kur i shoh”. Nancy-n e quajnë Thatcher-i liberale.

Që kur rrugët e tyre janë kryqëzuar, ata nuk janë dakordësuar praktikisht për asgjë. Muri për emigrantët, politikat shëndetësore, mbrojtja e arsimit publik. Megjithatë, në lidhje me impeachment-in, Nancy vazhdoi të thoshte jo deri në fund, në mbrojtje të asaj “vije të hollë blu” që shenjon dhe mbron demokratët e moderuar, nga lëkundjet e së majtës. Ajo u druhej efekteve të një akti kaq të rëndë, ende u frikësohet atyre sot kur, pak para se të hynte në sallë, këshilloi të gjithë njerëzit e saj që të mos ngazëllehen, apo të shfaqin kënaqësi, gjatë punës. Ajo dëshiron që amerikanët të shohin se si demokratët e marrin seriozisht impeachment-in, dhe ata nuk e konsiderojnë atë një mënyrë për të hequr presidentin. “Nëse nuk e ndalojmë, rrezikojmë një president-mbret”. Trump, ndërkohë, nuk mund të mos hedhë në Tëitter frazat më të këqija që i vijnë në mendje: “Ajo do të hyjë në histori si kryetarja më e keqe në Dhomën e Përfaqësuesve”.

Këtë do ta shohim. Ndërkohë, topin e ka ajo, gruaja e parë italo-amerikane presidente e Dhomës së Përfaqësuesve. Një familje e madhe dhe shumë katolike nga Molise dhe Abruzzo. E rritur me politikë në dhomën e ndenjes, u përgjigjet gjithmonë telefonatave të atij që e ka frymëzuar që fëmijë, babait të saj, Big Tommy, një demokrat që u ngjit në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e 1938 me presidentin Franklin Delano Roosevelt dhe qëndroi atje deri në vitin 1947, kur u bë kryetar bashkie i qytetit të tij, Baltimore, Maryland. Ishte këtu që lindi Nancy në vitin 1940. Fushata e saj e parë elektorale ishte në moshën shtatë vjeç, duke rendur pas babait të saj. Në vitin 1961, Big Tommy u prezanton vajzave të tij John Fitzgerald Kennedy-n, në ditën e betimit të tij.

Entuziasmi dhe dëshira për të dalë në pah e bëjnë të madhe, edhe pse në fillim dëshira e saj ishte të merrej me kishën. Studion në një kolegj shumë katolik dhe më pas kryen Universitetin në Uashington, ku njeh Paulin, të shoqin. Pesë fëmijë në gjashtë vite, një marrëdhënie solide dhe ndarje e roleve: ajo rri në shtëpi dhe ai fiton para. 25 milion dollarë të ardhura. Nancy pret me durim momentin e saj, pret deri në moshën 47 vjeç. Merr detyrën e tretë më të rëndësishme në vendin më të fuqishëm të botës, është fytyra e opozitës ndaj presidentit, nuk e ka me nxitim sepse ndërkohë organizohet dhe krijon rrjet. Eshtë femërore, gjithnjë e rrethuar nga bijtë dhe nipërit “por duket krejt e lirë nga pasiguria që lidhet me gjininë e saj”, shkruan New York Times. “Nuk duhet të bëjmë impeachment për motive politike, por as nuk duhet ta shmangim impeachment-in për motive politike”, kishte thënë ajo në prag të zgjedhjes së vet. Një deklaratë lufte, kaq femërore… / Il Giornale – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button