Bota

Dita kur bota ndryshoi: Britania voton për t’u larguar nga BE

Mund të jetë fundi i karrierës së David Cameronit. Nigel Farage thotë se 23 qershori është “Dita e Pavarësisë”. Pezullohet Bursa

Screen Shot 2016-06-24 at 07.38.45

Britania e Madhe është goditur nga një tërmet politik pasi referendumi historik nxorri si rezultat një mbështetje të qartë për Brexit – dhe praktikisht i dha fund karrierës së David Cameronit.

Mbështetësit e fushatës për largim nga BE triumfuan pasi siguruan shumë vota në të gjithë Anglinë dhe në Uells – pavarësisht mbështetjes së lartë për qëndrimin, në Skoci dhe në qytete të mëdha, përfshirë Londrën.

Kryeministri Cameron pritet të ofrojë reagimin e tij për verdiktin dramatik, teksa ka spekulime se do të paralajmërojë fundin e qëndrimit të tij në detyrë. Udhëheqësi i UKIP, Nigel Farage e ka përshëndetur si një “fitore e popullit” dhe shpalli 23 qershorin, si “Ditën e Pavarësisë” për vendin e tij.

Stërlina angleze pësoi një fundosje në pikën më të ulët kundrejt dollarit amerikan, në 31 vite, teksa tregtarët u trembën prej lajmit dhe pritet që bursa të pezullohet. Udhëheqësi i SNP, Nicola Sturgeon ka flur tashmë për mundësinë e një referendumi të dytë në Skoci.

Megjithatë, qytetet angleze dhe Skocia nuk mjaftuan për të kompensuar vullnetin në pjesën tjetër të vendit. Duke folur në një miting në qendër të Londrës, Farage tha se 23 qershori do të hyjë në histori si “dita jonë e pavarësisë”.

Në një fjalim që me siguri mund të ngjallë debate të shumtë, pas vrasjes së deputetes Xho Koks javën e kaluar, Farage tha se vendi po ndahej nga BE “pa as edhe një të shtënë të vetme”. “Guxoni të ëndërroni se po vjen agimi i një Mbretërie të Bashkuar të Pavarur”, tha ai. “Ne kemi luftuar kundër shumëkombësheve, kemi luftuar kundër bankave të mëdha tregtare, kemi luftuar kundër politikës së madhe, kemi luftuar kundër gënjeshtrave, korrupsionit dhe mashtrimit. Dhe sot, ndershmëria, mirësia dhe besimi tek kombi kanë fituar”. 

Për “The Sun”, tabloid britanik në favor të Brexit, kjo është “Dita e Pavarësisë” ndërkohë që Times nuk e fsheh shqetësimin në atë që e ka quajtur “Dita e Gjykimit”. Afro 46.5 milionë qytetarë u thirrën të votojnë në referendumin e kërkuar nga Kryeministri Cameron, për qëndrimin apo largimin nga Bashkimi Europian. Sipas sondazheve të parë të YouGov, fronti i largimit ka fituar 52% të votave ndërsa ai i qëndrimit, 48%./bota.al

… vijon

Leave a Reply

Back to top button