Sport

“Do të quhet Internazionale, sepse ne jemi vëllezër të botës’’. Kështu lindi Interi i Milanos

Jetojmë në një kohe kur divergjencat historike mes kulturave e racave nuk janë zbehur aspak, kur i huaji shihet me dyshim dhe emigranti si kërcënim, por edhe kur sporti “fair” shtrembërohet nga fitimet e paligjshme, keqdrejtohet nga ndërhyrjet autoritare, kur tifozët ndërhyjnë shpesh herë jo pozitivisht në shumë të dashurën lojën e futbollit, e kjo e fundit largohet gjithnjë e më shumë nga kultura dhe arti. Prandaj, rileximi, një të dielë, i disa reshtave të së shkuarës, përtej çdo përkatësie a simpatie prej tifozi, mbetet një akt i mirëfilltë reflektimi e respekti ndaj nismave fisnike e vllazërore.

Ishte marsi i vitit 1908, kur lindte një Klub ndërkombëtar.

“Do të lindë këtu, në restorantin ‘’L’Orologio’’, vendi i takimit të artistëve dhe do të jetë përgjithmonë një skuadër me talent të madh. Kjo natë e shkëlqyer do t’i japë ngjyrat stemës sonë: E zeza dhe ngjyra e qiellit në sfondin e artë të yjeve. Do të quhet Internazionale, sepse ne jemi vëllezër të botës’’.

“Foot-Ball Club Internazionale”

“Ky është emri i një Klubi të ri, i cili ka pak ditë që është themeluar në Milano.

Klubi i ri, që lindi nga një shkëputje me keqardhje, e krijuar nga jo pak mosmarrëveshje në gjirin e Milan Club, përbëhet kryesisht nga futbollistë aktivë e shumë të apasionuar.
Vullneti pozitiv maksimal dhe qëllimet më të mira janë baza e shoqërisë së re, e cila tani për tani premton pak gjëra, por të mira. Qëllimi parësor i Klubit të ri është të lehtëzojë ushtrimin e sportit të futbollit për të huajt me banim në Milano, dhe të përhapë pasionin mes rinisë milaneze, së cilës i drejtojmë përgëzime speciale e të lavdërueshme.

I urojmë jetë të gjatë e të mbarë, e ç’është më e rëndësishmja, në harmoni, këtij grupimi, që me siguri në gjirin e themeluesve do të gjejë vullnetin e mirë, të nevojshëm që synimet e mira të treguara, të arrijnë suksesin më të mirë.»

(ekstrakt i La Gazzetta dello Sport, mars 1908)

Siç na tregon historia, Inter-i lindi nga një shkëputje brenda gjirit të klubit “Milan Cricket and football club”. Ditën e hënë, 9 mars 1908, në një sallë të Restorantit “L’Orologio” (vendtakim tipik i intelektualëve milanezë, pas teatrit) u konsumua revolta e një grupi ortakësh të klubit, që kundërshtonin hapur orientimet e baballarëve-padronë të Milan-it. Divergjencat e opinioneve vinin si rezultat i vullnetit të këtyre ortakëve për të pranuar jo vetëm lojtarë italianë, por edhe të huaj, pra “ndërkmbëtarë”.

Piktori Giorgio Muggiani është më aktivi në përgatitjen e kësaj nisme ndarëse e do të jetë po ai, që më pas do të vizatojë shenjën dalluese të klubit: një rreth bojëqielli e një i zi, që mbyllin një  sipërfaqe të artë. Në të bardhë e të kundërvendosura, inicialet e Klubit, “Football Club Internazionale Milano”. Nga mbledhja doli edhe një proces-verbal historik, që përbën edhe aktin zyrtar të lindjes së shoqërisë:

“Zotërinjtë themelues janë mbledhur sot këtu me qëllimin për të themeluar Klubin e ri. Të pranishëm G. Muggiani – Bossard – Lana – Bertoloni – De Olma – Enrico Hintermann – Arturo Hintermann – Carlo Hintermann- Pietro Dell’Oro – Ugo Rietmann – Hans – Voelkel – Maner – Wipf – Carlo Ardussi. Pas diskutimesh të rastit, z. Muggiani propozoi të kalohej në emërimin e një këshilli të përkohshëm, që do të rikonfirmohej në seancën e datës 11 mars. Në emërimet u lanë vakante vendet e Presidentit dhe zv.Presidentit. U emëruan: Sekretar G. Muggiani; arkëtar De Olma; administrator Hans Rietmann; këshilltar i parë, Pietro Dell’Oro dhe i dytë Paramithiotti. Të pranishmit bien dakord të mos emërojnë një komision loje, por quajnë të nevojshëm vendin e administratorit. Muggiani propozoi emërimin e z. Rag. Bosisio, sekretar i Federatës Italiane të Futbollit (asokohe quajtur foot-ball edhe në Itali) si ortak nderi. Të pranishmit pranuan këtë propozim. Emri i shoqërisë u pranua unanimisht të jetë Foot-Ball Club Internazionale – Milano. Në orën 11 e gjysëm seanca mbyllet. Giorgio Muggi.

“Milano” duhej të kishte qënë emri kryesor në emërtimin e shoqërisë, por u vu re që herët se bashkëjetesa e emrave “Milano” e “Milan” do të kishte  sjellë ngatërresë, dhe u vendos që skuadra duhej quajtur me emrin programatik për të cilin u krijua: Internazionale.

President i parë u emërua ortaku e këshilltari Giovanni Paramithiotti, ndërsa roli i trainerit iu besua Virgilio Fossati-it, njëherësh kapiten i skuadrës, i cili vdes disa vjet më pas në Luftën e Parë Botërore. Në fillimet e viteve 20 të shekullit të kaluar, zë vend të qëndrueshëm edhe figura e trainerit. /www.bota.al

 

 

Leave a Reply

Back to top button