Bota

Doktrina e Përmbajtjes e Barak Obamës

Screen Shot 2015-10-14 at 09.23.04

Nga Roger Cohen

Një mënyrë për të përcaktuar politikën e jashtme të Barak Obamës, është ajo e një Doktrine të Përmbajtjes. Është e qartë, jo më pak në Kremlin, se ky president është mosbesues ndaj efikasitetit të forcës ushtarake, i kujdesshëm ndaj ndërhyrjeve të huaja, të cilat mund të shndërrohen në angazhime afatgjata, i bindur se epoka e zgjidhjeve të imponuara nga Uashingtoni ka përfunduar, dhe i prirur t’i shohë Shtetet e Bashkuara si një fuqi më pak të domosdoshme dhe më tepër si një partner të domosdoshëm. Ai në fakt po e zbeh fuqinë amerikane në botë.

Presidenti rus Vladimir Putin, e ka kuptuar këtë ndryshim të thellë politikës së jashtme në Shtëpinë e Bardhë. Ai e ka testuar këtë ndryshim ku ka mundur, më dukshëm në Ukrainë, dhe tanimë në Siri. Obama mund ta quajë këtë një formë të dobësisë ruse. Ai mund t’i ironizojë aktet e Putinit, si të kryera me qëllim shpërqëndrimin e vëmendjes nga një ekonomi ruse në pikiatë.

Por mbetet fakt se Putini e ka ritheksuar fuqinë ruse në vakumin e krijuar nga tërheqjet amerikane, dhe duket i vendosur për të formësuar një rezultat në Siri, duke përdorur mjetet të cilat Obama nuk i ka  preferuar kurrë. Për shefin e Kremlinit, është e qartë se ku qëndron dobësia:Në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërhyrja ushtarake në Siri, mund të jetë një truk i Moskës. Ajo mund të degjenerojë në kategorinë e “budallallëqeve”, të cilat zoti Obama i shmang. Edhe moçalishtet mund të jenë gjithashtu një prodhim rus. Por tani për tani, inisiativa duket se qëndron në anën e Kremlinit, me Shtëpinë e Bardhë në rolin e një fuqie reaktive. Që prej fundit të Luftës së Ftohtë një çerek shekulli më pare, Rusia nuk ka qenë kaq agresive dhe SHBA-ja kaq shumë e përmbajtur.

Doktrina e Përmbajtjes e Obamës, reflekton rrethanat dhe temperamentin e tij. Ai u zgjodh për të udhëhequr një komb i rraskapitur nga dy prej luftërave më të gjata e më të shtrenjta në historinë e vendit. Iraku dhe Afganistani konsumuan triliona dollarë, por pa dhuruar dot fitoren. Prioriteti i tij ishte i brendshëm: rimëkëmbje nga kriza financiare e vitit 2008 dhe pastaj krijimi i një shoqërie më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse. Boshti i vërtetë nuk ishte Azia, por vetë SHBA-ja.

Përveç kësaj, fuqia amerikane në shekullin e XXI-të, nuk mund të jetë ajo që ishte në shekullin XX-të, jo me një ekonomi kineze që është 5-fishuar në madhësi që nga viti 1990. Presidenti u bind intelektualisht mbi nevojën, për të ripërcaktuar peshën e politikës së jashtme të Amerikës, në një botë të ndërlidhur e me më shumë kompetenca të barabarta, dhe të prirur në aspektin e temperamentit për epërsinë që duhet të ketë maturia dhe diplomacia mbi forcën. Obstruksionizmi republikan dhe politizimi i politikës së jashtme në një Uashington të polarizuar, nuk e ndihmoi atë. Fuqia amerikane, sipas tij, mund të jetë ende dominuese, por s’mund të jetë më përcaktuese.

Sikurse deklaroi Obama në vitin 2013 për “New Republic:”Unë jam ndoshta më shumë i ndërgjegjshëm sesa shumica, jo vetëm mbi forcën dhe aftësitë tona të pabesueshme, por ndërkohë edhe mbi kufizimet tona”. Pas Irakut dhe Afganistanit, magazina gjigante të frustrimit amerikan, kush mund të fajësonte atë?

Por kur kombi më i fuqishëm mbi tokë, dhe shefi i sigurisë globale përqëndrohet tek kufizimet e tij, të tjerët mbajnë shënim, duke i menduar si mundësi apo edhe rreziqe të reja. Paqëndrueshmëria mund të bëhet ngjitëse. Kriza mund të shtrihet edhe në rajone të tjera përveç Lindjes së Mesme. Qendra nuk mund të rezistojë, pasi nuk ka asnjë të tillë.

“Unë mendoj se Obama i ekzagjeron kufizimet dhe e nënvlerëson fuqinë amerikane, edhe nëse prirja është drejt një mjedisi më të vështirë për përkthimin e pushtetit dhe ndikimit”- më tha Richard Haass, kryetar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë. “Duke vepruar në këtë mënyrë, ai rrezikon të përforcojë në fakt tendencat e vërteta që e çojnë atë drejt pauzave. Shumë shpesh gjatë presidencës së tij hendeku midis qëllimeve dhe mjeteve, ka qenë shthurja jonë”

Në Afganistan, në Libi dhe më tmerrësisht në Siri, Obama është dukur i rrethuar nga paqartësia:një kryengritje e shpërthyer për shkak një datë të caktuar për tërheqjen ushtarake nga Afganistani; një fushatë ushtarake e drejtuar në prapaskenë për të larguar diktatorin e Libisë; një deklaratë e bërë më shumë se katër vjet më parë se “ka ardhur koha” që presidentin Bashar Al-Asad të “largohet nga pushteti”, pa hartuar asnjë strategji konkrete për ta mundësuar këtë, dhe një “vijë e kuqe” për armët kimike që nuk u konfirmua asnjëherë.

E gjitha kjo dërgoi një mesazh të qartë tek Putini dhe presidenti kinez Xi Jinping,  se është koha për të lëpirë plagët e shkaktuara nga inkoherenca amerikane. Megjithatë, Obamës nuk i mungon kurajoja. Ai nuk është i papërgatitur për të marrë në sy rreziqet e mundshme. Kërkon vërtetë guxim të përfundosh marrëveshjen bërthamore me Iranin – një arritje kjo përballë një kakofonie sarkastike nga Izraeli dhe kongresi i kontrolluar nga republikanët.

Duhej gjithashtu kurajo për të rilidhur marrëdhëniet diplomatike me Kubën. Operacioni i suksesshëm për të vrarë Osama bin Laden, ishte i mbushur plot e rreziqe. Politika e tij e jashtme shënoi suksese në fusha të rëndësishme. Amerika shëroi plagët e luftërave të saj. Ekonomia në vend rilindi (të paktën për disa), dhe u garantua qasja në sistemin e sigurimit shëndetësor  për të gjithë amerikanët

E megjithatë, kostoja e Doktrinës të Përmbajtjes, ka qenë tepër e lartë. Sesa e lartë ne ende nuk e dimë, por bota aktualisht është shumë më e rrezikshme, sesa në sugjeron memoria e dekadave të fundit.

Skepticizmi i Obamës tek fuqia amerikane, gatishmëria e tij për t’u distancuar nga Evropa dhe reagimi i tij katastrofik në konfliktit në Siri e kanë lënë Lindjen e Mesme të përçarë e të zhytur në një konflikt gjeneratash, një Evropë të paqëndrueshme, dhe me Putinin që po dominon skenën ndërkombëtare.

“The New York Times” – Bota.al

Show More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close