Bota

Doktrina Obama e ka bërë botën më të rrezikshme

Screen Shot 2016-04-18 at 07.41.01

Nga Jeff Jacoby

Pesë vjet më parë, presidenti Obama përshëndeti fushatën ushtarake në Libi që përmbysi Muamar Kadafin, si një prej arritjeve të politikës së jashtme të presidencës së tij. Sot ai e quan Libinë si gabimin e tij më të madh. Por edhe pse ai mund të ketë ndryshuar notën nga 10 në 4, angazhimi i tij për të “udhëhequr nga prapa” – një eufemizëm për pasivitetin dhe abdikimin amerikan – nuk ka ndryshuar.

Ditën kur u rrëzua Kadafi në tetor 2011, Obama mbajti një fjalim prej fitimtari. “Pilotët tanë trima kanë fluturuar mbi qiellin e Libisë, marinarët tanë mbështetën rebelët në brigjet e Libisë, dhe lidershipi ynë në NATO ka ndihmuar në drejtimin e koalicionit tonë”- deklaroi ai. “Pa dislokuar në terren asnjë amerikan, ne arritëm objektivat tona”.

Ai e kishte gabim. Shumë shpejt Libia u zhyt në kaos dhe dhunë. Ajo u shndërrua në një bazë terroriste, ku deri më sot kanë humbur jetën më shumë se 10.000 njerëz – duke përfshirë edhe ambasadorin amerikan Kristofer Stivens dhe 3 kolegët e tij, i vrarë nga islamikët në Bengazi vetëm 11 muaj pas “misionit të realizuar” të shpallur nga Obama në Rose Garden.

Presidenti e pranon tanimë se politika e tij në Libi përfundoi në katastrofë. Në një intervistë për “Fox Neës”, ai e pranoi neglizhencën e tij në “dështimin për të planifikuar hapat për ditët pas”  rrëzimit të diktatorit. Në intervista të tjera, Obama e mbështet fajin për përmbysjen e gjendjes në Libi më pak tek mungesën e përgatitjes për një tranzicion post-Kadafi, dhe më shumë tek dështimi i Evropës për të qëndruar e angazhuar.

“Kur kthehem pas në kohë dhe pyes veten se çfarë shkoi keq, sigurisht që ka vend për kritika”-u shpreh ai së fundmi për “The Atlantic” e Xhefri Goldbergut, “pasi unë kisha shumë besim tek evropianët, duke pasur parasysh afërsinë e Libisë, se ata do të investoheshin në vazhdimësi”. Por, kur Shtetet e Bashkuara synojnë të dalin nga një situatë, aleatët e saj priren të ndjekin shembullin. Dhe Obama, i cili kishte rënë dakord vetëm me gjysmë zemre për të ndërhyrë në Libi parë, nuk kishte asnjë interes për të qenë vërdallë.

Nuk u desh shumë kohë që Libia të dilte jashtë ekranit të radarit të Shtëpisë së Bardhë. ”Mungesa e vëmendjes nuk qe vetëm një lënie pas dore. Ishte një politikë e mirrfilltë”-, e përfundonte analizën e saj në fillim të këtij viti “The New York Times”, duke bërë një përmbledhje të gjatë të fiaskos libiane. Administrata imponoi “kufizime të ashpra” mbi çfarëdolloj roli të SHBA-së në metamorfozën e Libisë – kushte aq strikte sa që Amerika efektivisht i lau duart e tij e përgjegjësisë së saj për fatin e vendit. Ndaj nuk është e habitshme, pse ai qe i kobshëm.

Mund të duket habitshme që Obama, i cili dënoi ashpërsisht gabimet e paraardhësit të tij në Irak, do të mbërrinte deri atje sa t’i përsëriste edhe më rëndë ato gabime në Libi – pra, duke mos qenë gati për paqëndrueshmërinë dhe kryengritjet që do të pasonin ndërhyrjen perëndimore. Sikurse vëren historiani ushtarak Maks Bot, deri në vitin 2011 “nuk ishte saktësisht një sekret që gjëra të këqija ndodhin nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj përmbysin një njeri të fuqishëm, pa pasur një plan për atë që vjen më pas”.

Por Obama është më i aftë në kritikat ndaj rrëmujes së politikës së jashtme të njerëzve të tjerë, se sa të mësojë prej tyre. Mësimi që ai nxorri nga lufta në Irak, ishte se Shtetet e Bashkuara nuk duhej të ndërhynin ushtarakisht në Lindjen e Mesme – dhe se sa më e madhe ndërhyrja, aq më e madhe fiaskoja që prodhohet. Vetë faktet nuk të çojnë në këtë përfundim. Por Obama nuk do të tërhiqej nga e vetja.

Kur Xhorxh W. Bush njoftoi në janar të vitit 2007 se kishte për qëllim të “shtonte” numrin e trupave në Irak, dhe zbatonte një strategji të re kundër kryengritësve, Obama atëherë senator deklaroi:”Unë nuk jam i bindur nëse 20.000 trupat shtesë në Irak do t’i japin fund dhunës sektare atje. Në fakt, unë mendoj se ajo do të shkaktojë të kundërtën”- tha ai.

Natyrisht në atë rast, strategjia e Bushit provoi të ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Në kohën kur Obama mori detyrën, Al-Kaeda në Irak ishte e gjymtuar, sulmet kishin rënë me 90 përqind, dhe Iraku qe duke u qeverisur nga politikanë të zgjedhur në mënyrë demokratike. Komandanti i ri suprem, ishte i lumtur të fitonte kredi politike për fitoren në Irak, të cilën nënpresidenti Bajden e trumbetoi më herët si “një nga arritjet më të mëdha” të administratës Obama.

Por asnjë nga ato nuk e nxitën Obamën të vërë në dyshim mençurinë e tërheqjes së të gjitha forcave amerikane nga Iraku, apo të merrte parasysh paralajmërimet se zhdukja e shpejtë e dhjetëra mijëra paqeruajtësve amerikanë do të linte një vakum katastrofik, të cilin do të nxitonin ta shfrytëzonin forcat vdekjeprurëse të rajonit.

Mosangazhimi i vendosur i Obamës, ‘mbyti’ atë çfarë ishte fituar me aq shumë kujdes në Irak. Pa praninë e kufizimit Amerikan, qeveria shiite e dominuar nga Nuri al-Maliki u shndërrua në një rregjim të pamëshirshëm autoritar, ndikimi i Iranit u intensifikua, dhe ISIS-i filloi mbretërimin e tij të tmerrshëm të terrorit.

Më shumë “udhëheqje nga prapa” vazhdoi në Siri. Obama bëri kërcënime të ashpra mbi përdorimin e armëve kimike që shkeli “vijën e kuqe”, dhe i kërkoi Bashar Al-Asadit të jepte dorëheqjen, por fjalët e hidhura nuk u mbështetën kurrë nga veprat. Teksa kredibiliteti i Amerikës qe në rënie, pasuan pasoja të parashikueshme:rritje drastike e numrit të të vdekurve, fluks i madh refugjatësh, si dhe trimërim i regjimeve antidemokratike nga Moska në Pekin.

Edhe tani, Obama nuk arrin të shohë se një doktrinë e bazuar tek  shmangia e përfshirjes amerikane tek konfliktet në botë, është e detyruar të dështojë. Një politikë e ndërtuar rreth mosangazhimit të SHBA –së vetëm sa e përshkallëzon kaosin global. Presidenti pranon se duhet të kishte patur një plan më të mirë për “ditët që pasuan” në Libi – por ende pohon se fatkeqësia që shkaktoi qasja e tij dëshmon se tek e fundit ai kishte të drejtë.

Sipas fjalëve të Goldbergut, “Libia i provoi Obamës, se Lindja e Mesme qe me mirë të shmangej”. Ajo e përforcoi vendimin e tij të mëvonshëm, për të mos bërë asgjë mbi luftën në

Siri. Obama nuk ka asnjë keqardhje për braktisjen “vijës së tij të kuqe” – ai thotë tashmë se është “shumë krenar” që vendosi të mos ndalojë shfaqjen horror të Asadit. Deri më sot, Obama nuk e ka ndryshuar mënyrën e të menduarit:se fuqia amerikane nuk mund të ndreqë atë çfarë shqetëson lagjet e këqija të planetit, madje ka të ngjarë t’i përkeqësojë problemet.

Por politika e jashtme e kujdesshme e Obamës, na jep një leksion shumë të ndryshëm. Që nga viti 2009, besueshmëria e Amerikës është dëmtuar rëndë, dhe bota është bërë shumë më e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Çmimi i tërheqjes amerikane ka qenë i tmerrshëm, dhe gjithçka bëhet më e rëndë falë një presidenti shumë të ngurtë për të ndryshuar mendjen e tij.

“The Boston Globe” – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button