Bota

Dokumentet e dekonspiruara tregojnë një gjendje shqetësuese të ushtrisë ukrainase, SHBA duhet të ndryshojë urgjentisht qasje

Nga David Ignatius

“Washington Post”

Shefi i kundërzbulimit të CIA-s, James J.Angleton, më tha një herë se nuk kishte rëndësi nëse një spiun ishte një agjent i dyfishtë apo një agjent i trefishtë, për sa kohë që ti e di ndryshimin. Në atë kohë isha 29 vjeç dhe sapo isha caktuar si reporter mbi inteligjencën në gazetën “Wall Street Journal”, dhe sinqerisht nuk e kisha idenë se për çfarë po fliste Angleton.

Por kuptimi i atyre fjalëve më duket sot paksa më i qartë kur analizoj rrjedhjet e fundit të informacionit të shërbimeve sekrete ushtarake amerikane në lidhje me luftën në Ukrainë. A u zbuluan këto dokumente nga rusët për të nxjerrë në pah dobësinë e Ukrainës dhe për të thyer moralin e saj, gjë qe duket shumë e mundshme për analistët që kontaktova?

Apo ato u shpërndanë nga vetë Ukraina, siç duket se besojnë disa blogerë rusë, në një lloj loje të dyfishtë për ta bërë Kremlinin të mendojë se Ukraina është e dobët, dhe në këtë mënyrë të maskojë forcën e saj të vërtetë përpara një kundërsulmi të planifikuar këtë pranverë?

Siç do të thoshte Angleton këtu jemi në “vetminë e pasqyrave”. Ajo që ka rëndësi, do të më thoshte ai, është që e di se çfarë është e saktë dhe çfarë është një reflektim i manipuluar. Edhe pse disa dokumente duket se janë përpunuar, një zyrtar i administratës më tha të hënën në kushte anonimiteti: “Ne jemi ende duke i ekzaminuar ato, por në pamje të parë kjo duket të jetë e vërtetë”.

Inteligjenca ka të bëjë gjithmonë me atë që filozofët e quajnë epistemologji, pra studimin se si ne dimë atë që dimë. Por le të përpiqemi të përqendrohemi tek faktet, duke shqyrtuar disa nga çështjet kryesore që trajtojnë dokumentet e dekonspiruara dhe që përputhen me informacionin nga burime të tjera.

Së pari, Ukraina po përballet me një mungesë të madhe të armëve të mbrojtjes ajrore, gjëqë mund t’i kushtojë humbjen në luftë. Ne e dinim se kishte një problem, duke u bazuar tek njoftimi i javës së kaluar se Shtetet e Bashkuara po nxitonin të ofronin një shtesë prej 2.6 miliardë dollarësh në sistemet e mbrojtjes ajrore dhe armë të tjera.

Paketa e re përfshin municione për raketat e sistemit Patriot dhe të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë, HIMARS, bateri raketash; 9 kamionë me armë dhe 10 sisteme lazer anti-drone; radarë të rinj të vëzhgimit ajror, municione kundërajrore dhe raketa Grad.

Shifrat e papërpunuara në lidhje me mungesën e mbrojtjes ajrore të regjistruar në një dokument të 23 shkurtit janë shumë shqetësuese. Ukraina varet nga SA-10 dhe SA-11 të epokës sovjetike për 89 për qind të mbrojtjes ajrore të saj mbi 6 mijë metra lartësi.

Dokumenti parashikonte se me ritmet aktuale, municionet e SA-11 do të mbaronin deri më 31 mars ndërsa ato të SA-10 deri më 2 maj. Sistemet e tjera “nuk janë në gjendje të krahasohen me vëllimin rus” të sulmeve dhe mungesa është aq e madhe sa “opsione të shumta zbutëse duhet të ndiqen njëkohësisht.”

Nëse Ukraina nuk arrin të plotësojë këtë boshllëk, Rusia mund të ketë më në fund “epërsinë ajrore” për të sulmuar objektivat tokësorë ukrainas sipas dëshirës. Kjo do të thotë se Ukraina mund të mos jetë në gjendje të grumbullojë forcat tokësore për kundërsulmin e saj ose të mbrojë qytetet e saj.

Së dyti, “arsenali i demokracisë” i Perëndimit nuk është afër nevojave aktuale të Ukrainës. Teorikisht, logjistika duhet të jetë avantazhi i madh i Ukrainës kundër një Rusie që përballet me ato që supozohej se do të ishin sanksione “sakatuese”. Në fakt ka një mospërputhje të madhe midis shpenzimeve të Ukrainës për raketa dhe municione dhe furnizimeve të Perëndimit.

Pjesërisht kjo është pasojë e ukrainasve që kanë harxhuar shumë municione, por dokumentet përshkruajnë përpjekjet e dëshpëruara për të bindur vende si Koreja e Jugut dhe Izraeli që t’i shesin Ukrainës armë vdekjeprurëse.

Ky aspekt nuk duhet të ishte një problem për Shtetet e Bashkuara. Në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara i modifikuan fabrikat e prodhimit në të gjithë vendin për të prodhuar tanke, avionë dhe aeroplanmbajtëse që thjesht pushtuan Japoninë dhe Gjermaninë.

Asnjë mobilizim i ngjashëm nuk ka ndodhur kësaj here. Pse jo? Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin është takuar disa herë me kontraktorët e mbrojtjes, por pse Presidenti Biden nuk e ka emëruar ekuivalentin e Bordit të Prodhimit të Luftës që ngriti dikur Franklin D.Roosevelt?

Së treti, administrata Biden ka qenë më shumë kundërshtuese ndaj rrezikut se sa disa aleatë, dhe më shumë se sa duket të jetë e nevojshme. Në një nga dokumentet thuhet se Britania dhe Franca kanë dërguar mjete të luftës elektronike me ekuipazh mbi Detin e Zi, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë dërguar vetëm dronë.

Pse? Përgjigja është se ne nuk duam një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë, si ai që dokumentet thonë se ndodhi në shtator 2022, kur rusët gati sa nuk rrëzuan një avion britanik RC-135. Kujdesi që po tregon administrata amerikane është i arsyeshëm. Por a janë Biden dhe Austin shumë të kujdesshëm?

Ligji ndërkombëtar lejon që avionët e vëzhgimit të fluturojnë deri 12 milje larg bregut. Megjithatë, një nga dokumentet flet për një monitorim nga një distancë më e gjerë prej 50 milje përreth Krimesë, duke e përshkruar atë si një “Përballje të drejtuar nga SECDEF”.

Zyrtarët e Pentagonit vendosën se të dhënat e përftuara nga fluturimi më afër nuk ia vlenin rrezikun që kanosej. Por ata duhet t’i shpjegojnë publikut arsyen. Së fundi, gazetarët kanë dëgjuar privatisht për shumë muaj nga zyrtarët më të lartë të SHBA-së se ata besojnë se ky konflikt ka hyrë në një ngërç vdekjeprurës, me viktima të shumta nga të dyja palët. Dokumentet ofrojnë një panoramë akoma më të qartë. Një analizë e 23 shkurtit përshkroi një “fushatë ushtarake të egër që ka të ngjarë të shkojë drejt një ngërçi”. Ukraina shpreson që një kundërsulm pranveror mund t’i ndryshojë këto tendenca. Këtë gjë e mbështet edhe administrata Biden.

“Kohëzgjatja e luftës do të varet nga luftimet e pranverës”- më tha zyrtari i administratës.

“Në kohë lufte, e vërteta është aq e çmuar sa që ajo duhet të shoqërohet gjithmonë nga një ‘truprojë’ gënjeshtrash”- deklaroi në vitin 1943 kryeministri britanik Winston Churchill. Por dokumentet e dekonspiruara të inteligjencës ukrainase duket se janë kryesisht të sakta dhe ato rrëfejnë një histori rrëqethëse.

Back to top button