Alberto Nisman, prokurori që vdiq në mënyrë misterioze dhe që bëri të kthehet në lajmin kryesor në të gjithë Argjentinën kishte hartuar një urdhër për arrestimin e presidentes së vendit Cristina Fernández de Kirchner (lart në foto djathtas). Ai e akuzonte atë se po përpiqej të mbronte zyrtarët iranianë nga përgjegjësia në bombardimin e vitit 1994 të një qendre hebreje. Lajmi u publikua nga hetuesi që kryeson çështjen për zbardhjen e vdekjes së tij.
Dokumenti 26-faqesh, i cili u gjet në koshin e mbeturinave në banesën e Nisman (në foto majtas), kërkonte gjithashtu arrestimin e Héctor Timerman, ministër i Jashtëm i Argjentinës. Të dy, Presidentja Kirchner dhe ministri Timerman kanë mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat e zotit Nisman se ata u përpoqën për të arritur një marrëveshje sekrete me Iranin për heqjen e urdhër-arresteve ndërkombëtare për zyrtarët iranianë të kërkuar në lidhje me bombardimet.
Zbulimi i ri, se prokurori Nisman kishte hartuar urdhër-arreste për presidenten dhe ministrin e jashtëm, tregon tensionin mes tij dhe qeverisë para se ai të gjendej i vdekur në 18 janar në apartamentin e tij me një plagë plumbi në kokë. Pikërisht të nesërmen ai ishte thirrur të jepte detaje para Kongresit për akuzat e tij kundër zonjës Kirchner. “Do të kishte provokuar një krizë pa precedentë në Argjentinë,” – tha Sergio Berensztein, një analist politik – nëse ai do të vërtetonte se kishte garanci të lëshuara nga presidentja për iranianët e arrestuar. Do të ishte një skandal në një nivel të paparë në të kaluarën” – tha zoti Berensztein.
Presidentja Kirchner, e cili është për një vizitë në Kinë, bëri disa komente në Twitter për marrëdheniet mes dy vendeve, por asnjë deklaratë për faktin që prokurori Nisman kishte kërkuar arrestimin e saj. Viviana Fein, prokurorja që heton vdekjen e Nisman, konfirmoi të martën se ai e kishte përgatitur urdhrin e arrestit, por nuk kishte gjetur asnjë gjykatës ta mbështeste. Vdekja e prokurorit Nisman ka ngritur një vorbull teorish nëse ajo që i ndodhi atij ishte vrasje apo vetëvrasje. Presidentja ka thënë se kjo është pjesë e një komploti për njollosjen e qeverisë së saj. /lapsi.al/
1 minute read