Bota

Donald Trump në qendër të një stuhie politike

Presidenti Donald Trump është në qendër të një stuhie politike, për ndryshimin e qëndrimit ndaj personave përgjegjës për dhunën e së shtunës në Sharlotsvill të Virxhinias. Dhuna e kishte burimin në një protestë të organizuar nga grupet e bardha nacionaliste. Komentet e zotit Trump të martën, ku ai fajësonte të dyja palët për dhunën janë denoncuar si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët dhe bëhen në një kohë kur sipas anketave, mbështetja për Presidentin vazhdon të bjerë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell më shumë hollësi nga Uashingtoni.

Në shkëmbimet e tensionuara me gazetarët në Nju Jork, presidenti këmbënguli se të dyja palët ishin fajtore për dhunën në protestat e Sharlotsvillit.

“Unë pashë çdo gjë me shumë vëmendje, shumë më tepër vëmendje se ju. Dhe kishte një grup nga njëra anë që ishte i keq dhe një grup nga ana tjetër që ishte gjithashtu ishte shumë i dhunshëm. Dhe askush nuk do që ta pranojë këtë. Por unë po e them”, tha ai.

Komentet e zotit Trump u dënuan nga demokratët dhe disa republikanë, përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan thanë në Twitter se “supremacia e bardhë është e neveritshme … dhe nuk mund të ketë mëdyshje morale”.

Senatori republikan, Cory Gardner foli në një takim me qytetarët në Kolorado.

“KKK, neonazistë dhe supremacistë të bardhë, po e përsëris: kthehuni mbrapsht në shpellat tuaja”.

Kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna Romney McDaniel e mbrojti presidentin, por nga ana tjetër denoncoi grupet e ekstremit të djathtë.

“Nuk e duam votën tuaj. Nuk ju mbështesim. Do ta ngremë zërin kundër jush. Këtë qëndrim ka mbajtur presidenti dhe nënpresidenti”, tha ajo.

Të hënën, preisdenti Trump i denoncoi grupet raciste të urrejtjes pasi u vendos nën një trysni të madhe për të korrigjuar një deklaratë të mëparshme të së shtunës, që dënonte dhunën nga “shumë palë”.

Reagimet janë tregues të natyrës luftarake të presidentit, thotë Julie Pace.

“Në fund të fundit bëhet fjalë për një 71 vjeçar që beson në atë që thotë. Ai nuk pranon të vihet nën kontroll dhe reagon ndaj përpjekjeve për ta vënë nën kontroll. Kështu pyetja që shtrohet është, si do të vazhdojë më tej?” thotë Julie Pace e agjencisë Associated Press.

Zoti Trump shpesh i merr kritikat personalisht, thotë analisti republikan Scot Faulkner.

“Ai flet me një larmi retorike kur flet për ‘njerëzit që nuk kanë zë, të harruar’ dhe vendin në përgjithësi. Por po ta gërvishtësh pak sipërfaqen, e sheh që ai do që çdo gjë të jetë për të”.

Presidenti e gjen veten nën kritika në një kohë kur mbështetja për të ka rënë nën 40 për qind sipas shumë anketave, thotë analisti Larry Sabato I Universitetit të Virxhinias.

“Gjendja është kaotike dhe e paqartë dhe të gjithë e shohin kështu. Ai ka mbështetjen më të ulët për një president në 200 ditët e para të mandatit, përsa kohë janë bërë sondazhe”.

Stuhia për komentet e presidentit vjen ndërkohë që u mbajt funerali për Heather Heyer, që vdiq të shtunën pasi një makinë u përplas me një grup kundërprotestuesish në Sharlotsvill.

Leave a Reply

Back to top button