Bota

Donald Trumpi dhe pesë dyshimet mbi ndërhyrjet e rusëve

“Helm”, kontradikta dhe heshtje. Pesë dyshimet mbi ndërhyrjen e rusëve: Ku janë provat? Wikileaks është në shërbim të Moskës? “Washington Post” është vërtetë e pavarur? Përse FBI nuk ekzaminon kompjuterët e Clintonit? Përse askush nuk garanton të vërtetën antiTrump?

Putini (dhe hackerat e tij) mundën Hillary Clintonin, ashtu si thotë CIA? E pamundur të demonstrohet. Edhe detajet e mohojnë

E vërteta është “shërbyer”. I keqi Vladimir Putin ishte i terrorizuar nga një fitore e Hillary Clintonit, dhe për ta shmangur ngarkoi spiunët e tij që të nxirrnin jashtë baltën e fshehur në kompjuterët e “Komitetit Elektoral Demokratik”, dhe ta hidhnin atë në vorbullën e Wikileaksit.

Vetëm falë kësaj manovre, Donald Trumpi mundi të fitojë zgjedhjet dhe të bëjë të qajë Hillarynë e gjorë. Për të çertifikuar të vërtetën, e firmosur tashmë nga Obama dhe të tjerët, u shtua të premten një dosje zyrtare e CIA-s, FBI-së dhe NSA-së, agjencia amerikane përgjegjëse për spiunazhin elektronik. Por djalli fshihet në detaje. Dhe për të kuptuar se sa të paqarta janë “të vërtetat” e “armiqve” të Trumpit dhe Putinit, mjafton të ngrihen pesë pikëpyetje të vogla, të cilat askush nuk i ka sqaruar deri më tani.

  1. Ku janë provat?

Raporti i CIA-s, FBI-së dhe NSA-së akuzon shërbimin e fshehtë të ushtrisë ruse, se ka krijuar Guccifer 2.0, hackerin misterioz, apo grupin e hackerave, përgjegjës për vjedhjen e dokumentave informatike të përdorur më pas për të përbaltur Clintonin. Raporti nuk shpjegon megjithatë, se si CIA, FBI dhe NSA arritën të mbledhin provat e përdorura për të mbërritur në atë konkluzion. Dhe nuk rendit asnjë prej këtyre provave.

2. Wikileaks është në shërbim të Moskës?

Sipas shërbimit të fshehtë amerikan, dosjet e vjedhura i janë dorëzuar më pas Wikileaks-it, po nga shërbimet e fshehtë ushtarakë, të fshehur prapa identitetit të Guccifer 2.0. Craig Murray, një ish ambasador britanik që u shndërrua në bashkëpunëtor të ngushtë të Wikileaks, thotë, se ka marrë dokumenta nga një komponent i Komitetit Elektoral Demokratik, të cilit “i kish ardhur në majë të hundës” nga mënyra se si partia favorizonte Clintonin, në dëm të kandidatëve të tjerë. “Asgjë nuk erdhi nga rusët”, shpjegon Murray në një intervistë për Daily Mail. “Burimi kishte qasje të ligjshme në materialet dhe informacionet. Dokumentat erdhën falë një rrjedhjeje të brendshme dhe jo prej punës së hackerave”.

3. “Washington Post” është vërtetë e pavarur?

E përditshmja amerikane udhëheq prej muajsh kryqëzatën kundër Donald Trumpit dhe ka qenë e para që ka shtënë në dorë “të vërtetat” antiruse. Por “Washington Post” është në pronësi të Jeff Bezosit, themeluesi i Amazon dhe për të cilin Trumpi ka thënë se do e detyrojë të paguajë taksat që ka shmangur, duke shfrytëzuar qendrën e kompanisë në Luksemburg. Dhe për ta bërë edhe më të paqartë kryqëzatën e çuditshme të së përditshmes, shtohen edhe kontratat prej më shumë se 600 milionë dollarë, që Bezos ka firmosur me CIA-n, në këmbim të menaxhimit të burimeve të saj informatike.

4. Përse FBI nuk ekzaminon kompjuterët e Clintonit?

Agjencia përgjegjëse për sigurinë e brendshme heton prej muajsh mbi vjedhjen e dokumentave duke treguar me gisht Rusinë, por nuk ka ekzaminuar asnjëherë kompjuterët e Komitetit Elektoral Demokratik. Hetimet e Quantico-s bazohen ekskluzivisht në raportet e agjencive private, të ngarkuara për menaxhimin e rrjetit informatik të Clintonit.

5. Përse askush nuk garanton të vërtetën antiTrump?

Nëse raporti i paraqitur të premten nuk përmban asnjë provë, ai i dedikuar “Veprimtarisë kibernetike dashakeqe të Rusisë” i bërë publik në 29 dhjetor nga “Departamenti i Sigurisë” dhe FBI, ngjan edhe më evaziv. Dokumentit i paraprin një shënim ku thuhet se “Departamenti i Sigurisë nuk ofron asnjë garanci të asnjë lloji në lidhje me informacionet që përmban ky dokument”. Si të thuash, lexojeni, por mos e besoni deri në fund. / Il Giornale – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button