Bota

Donald Trumpi ka futur panikun mes europianëve. Ja çfarë shkruajnë opinionistët në gazetat e kontinentit

Screen Shot 2016-03-07 at 10.15.01

Temperamenti fëmijëror i miliarderit më tremb. Ai është agresiv dhe tërbohet kur e pengojnë dhe kërkon hakmarrje. Si do i ndëshkonte presidenti Trump, aleatët europianë që nuk ndjekin urdhëra? Me sanksione ekonomike? Shfuqizim të marrëveshjeve? “Të hyjnë të dridhurat kur mendon që një njeri si ai mund ta ketë gishtin mbi butonin që aktivizon arsenalin më të madh bërthamor në botë”

Europianët janë të shtangur e të tronditur, shkruante Max Hastings këtë javë tek Daily Mail (Britani). Duket se gara mes republikanëve do të fitohet prej një miliarderi gënjeshtar dhe racist, i cili dëshiron të nisë “një xhihad kundër myslimanëve dhe një luftë tregtare me Kinën”. Dhe duke qenë se kandidatja demokrate me shumë gjasë do të jetë Hillary Clinton, “dhe shumë njerëz vërtetë e urrejnë atë”, Donald Trumpi mund të fitojë Shtëpinë e Bardhë në nëntor. Urrejtja është çelësi i këtyre zgjedhjeve. Trumpi shfrytëzon zemërimin e klasës së mesme të të bardhëve, dhe ata janë të mbushur me urrejtje. Ata urrejnë “myslimanët, zezakët, mbështetësit e martesave mes homoseksualëve, mbrojtësit e abortit”, si dhe ata që dëshirojnë të kufizojnë aksesin tek armët. Ata urrejnë faktin që janë lënë prapa, prej ekonomisë së globalizuar. “Në hidhërimin e tyre, shumë prej tyre kthehen nga Trumpi, i cili sigurisht nuk mund t’ua thotë kurrë se tani ai nuk është në gjendje të zhbëjë atë ndryshim të madh industrial”. A do t’i jepen amerikanët dëshpërimit dhe zemërimit përçarës? A do të zgjedhin vërtetë një klloun injorant për t’i udhëhequr?

Italianët dikur e zgjodhën, shkruante Ugo Magri për La Stampa (Itali). Versioni ynë i Trumpit ishte kryeministri i zgjedhur katër herë, Silvio Berlusconi. Megjithatë, ai të paktën kishte një “politikë ekonomike reale”, dhe më shumë seriozitet se sa imituesi i tij amerikan. Të dy ata e nisën me ndërtimet dhe kaluan në televizion, por ndërkohë që Trumpi thjeshtë u shfaq në një shfaqje televizive, Berlusconi bleu tre rrjete televizive. Pasuria e Trumpit, sipas Forbes, është thjeshtë 4.1 miliardë dollarë, ajo e Berlusconit është 7.4 miliardë. Ndërkohë që Trumpi u mor për pak kohë me mundjen profesioniste, Berlusconi bleu skuadrën e Milanit, një prej ekipeve të futbollit më të mirë në botë. Të dy kanë një vanitet të pamerituar, një fiksim për flokët, si dhe pëlqimin për vajzat e bukura. Megjithatë, ndërkohë që Trumpi është mburrur për historitë e tij të shumta me gra të martuara, ai të paktën nuk është gjykuar asnjëherë, si Berlusconi, për faktin se ka fjetur me kërcimtare në moshë minorene.

Ne qeshëm me Berlusconin sepse Italia është shfaqje e veçantë, por Trumpi mund të udhëheqë një superfuqi, shkruante Markus Feldenkirchen tek Der Spiegel (Gjermani). Temperamenti fëmijëror i miliarderit më tremb. Ai është agresiv dhe tërbohet kur e pengojnë dhe kërkon hakmarrje. Si do i ndëshkonte presidenti Trump, aleatët europianë që nuk ndjekin urdhëra? Me sanksione ekonomike? Shfuqizim të marrëveshjeve? “Të hyjnë të dridhurat kur mendon që një njeri si ai mund ta ketë gishtin mbi butonin që aktivizon arsenalin më të madh bërthamor në botë”.

Vërjani fajin televizionit amerikan, shkruante Dirk Hautkapp në Kölnische Rundschau (Gjermani). Opinionistët amerikanë vënë kujën dhe ngrenë duart për këtë demagog, por kanalet telvizive të lajmeve i japin atij një platformë për të shpëlarë trutë e njerëzve me “mburrjet dhe fyerjet” e pafundme. Edhe sistemi arsimor në SHBA ka faj – përse ka kaq shumë votues të painformuar dhe krenarë? Amerikanët do ta meritojnë nëse e zgjedhin këtë kokoroç – ndërsa ne të tjerët do të jemi viktima të pafajshme. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button