Bota

Donald Trumpi kundër Merkelit, NATO-s dhe BE-së

Me dorën e zgjatur drejt Rusisë, duke cilësuar si gabim katastrofik politikën migratore të Merkel, duke quajtur NATO-n si të vjetëruar dhe duke nxitur vende të tjera të BE-së të ndjekin shembullin e Brexit, presidenti i zgjedhur Donald Trump riaktivizoi makinerinë e polemikave dje në një intervistë për median evropiane.

Pesë ditë para se të marrë drejtimin e fuqisë së parë botërore, miliarderi republikan përdori si zakonisht formula shokuese për të komentuar aktualitetin evropian përballë të përditshmes britanike “Times” dhe asaj gjermane “Bild”.

“E kam thënë para shumë kohësh se NATO-ja ka probleme. Në radhë të parë që ajo është e vjetëruar pasi është ideuar shumë vite më parë dhe se ajo nuk është marrë me terrorizmin (…) në radhë të dytë, vendet anëtare nuk paguajnë atë që duhet”, vlerësoi Trump.

Shumë pak shtete të Aleancës së Atlantikut arrijnë nivelin e dy për qind të PBB-së së tyre për shpenzimet ushtarake, objektiv i vendosur nga NATO-ja në vitin 2014.

“Mendoj se Merkel ka bërë një gabim katastrofik duke marrë gjithë ata migrantë ilegalë”, kritikoi Trump.

Kancelarja gjermane Angela Merkel kishte vendosur më shtator 2015 të hapte kufijtë e saj për qindra mijëra migrantë, ku shumica i largoheshin liftës civile në Siri.

Sipas miliarderit, pasojat e kësaj politike pritjeje u shfaqën qartësisht kohët e fundit, duke bërë aludime për kamionin që u përdor për të sulmuar një treg të Krishtlindjeve në Berlin më 19 dhjetor, të marrë përsipër nga organizata xhihadiste Shteti Islamik.

Donald Trump ka akuzuar Gjermaninë gjithashtu se po dominon BE-në.

“E shikoni Bashkimin Evropian (…) është në përgjithësi një instrument për Gjermaninë. Mendoj se kjo është një arsye e mirë për Britaninë e Madhe për të dalë”, tha presidenti i zgjedhur.

“Brexit do të jetë një sukses”, theksoi ai duke shpallur se kërkon të arrijë një marrëveshje tregtare me Britaninë e Madhe sa më shpejtë dhe të takojë menjëherë kryeministren britanike Theresa May.

Këto deklarata i kundërvihen atyre të Barack Obama, që kishte njoftuar se Britania e Madhe do të ishte në fund të radhës për arritjen e marrëveshjeve tregtare me SHBA-në nëse do të largohej nga BE-ja.

Trump ka vlerësuar gjithashtu se edhe vende të tjera do të largohen nga Bashkimi Evropian.

Sot, pas deklaratave të Trump, sterlina britanike ka rënë në nivelin më të ulët përballë dollarit që prej muajit tetor, ditën që Theresa May mbajti një fjalim të rëndësishëm për Brexit.

Leave a Reply

Back to top button