Bota

Dosja e shërbimeve të fshehtë: Italia nuk ka qenë kurrë kaq në rrezik

007-at lëshojnë alarmin: 200 mijë imigrantë gati për t’u nisur. Në Libi janë 7 mijë luftëtarë të gatshëm të mbjellin terror. Në rrezik impiantet e Enit dhe Finmeccanica-s

Screen Shot 2015-02-17 at 10.45.49Italisë i duhet t’u bëjë ballë dy fronteve shumë të nxehtë. Nga njëra anë emergjenca e imigrantëve, nga ana tjetër përparimi i miltantëve të ISIS deri në brigjet e Libisë.
Ndërkohë që Kryeministri Matteo Renzi merr kohë, në pritje që të miratohen rregullat e angazhimit të OKB-së, situata rrezikon të bëhet shpërthyese.
Në një dosje të fshehtë, e publikuar dje në Corriere della Sera, shërbimet e fshehtë italianë e pranojnë që “vendi ynë nuk ka qenë kurrë kaq në rrezik”.
Zbarkimet dhe xhihadi janë pjesë e planit të kalifit Abu Bakr al Baghdadi për të asgjësuar Perëndimin. Sepse pikërisht përmes dhjetëra mijëra të dëshpëruarve, që cdo ditë sfidojnë Mesdheun për të arritur në Itali, Shteti Islamik synon të infiltrojë xhihadistë gjakatarë në të gjithë Europën. Gjatë 2014-ës kanë zbarkuar më shumë se 180 mijë klandestinë. Dhe 2015-a rrezikon të jetë një vit  edhe më i keq. “Vlerësimet e fundit flasin për 600 mijë të huaj të pranishëm në Libi, 200 mijë janë sistemuar tashmë në pesë kampe grumbullimi dhe gati për t’u nisur – thuhet në Corriere della Sera – por flitet mbi të gjitha për 7 mijë luftëtarë të Ansar Al Sharias që i janë përgjigjur apelit të Kalifit dhe po marshojnë për të pushtuar vendin”. Këtyre mund t’u shtohen edhe fondamentalistë të tjerë që aderojnë në celula dhe që duan triumfin e Islamit në Perëndim.
Sic shpjegojnë shërbimet e fshehtë në dosjen sekrete, pesë kampet e refugjatëve gjenden në portin e Zvaras, Sabratas, Janzurit, Tripolit dhe Garabullit. Këtu, trafikantët e njerëzve po grumbullojnë të gjithë të dëshpëruarit e Afrikës së Veriut në pritje për t’i nisur me gomone dhe anije drejt Italisë. Shërbimet e fshehtë europianë druhen se “një luftë civile mund të shkaktojë rritje të numrit të atyre që duan të largohen duke u bërë kështu pre e militantëve që fitojnë miliona dallorë përmes trafikut”.
Situata në Detin Mesdhe është që tani shpërthyese. Dje, ndërkohë që Roja Bregdetare italiane po ndërhynte për të shpëtuar 12 varka me 2100 imigrantë, disa skafistë nxorrën kallashnikovët dhe ua drejtuan ushtarakëve italianë, duke i detyruar të lënë varkat dhe të largohen.
Për të ndalur zbarkimet dhe parandaluar sulmet qeveria Renzi po i bën presion OKB-së për një ndërhyrje ushtarake. Koha nuk premton por “mungon mbulimi juridik ndërkombëtar për dërgimin e 20 mijë ushtarëve”. Aq sa në tryezë është edhe një propozim për një ndërhyrje në kuadrin e NATO-s. “Relacionet e 007-ave italianë – thotë CdS – vënë theksin në rrezikun e atentateve kundër vendburimeve të naftës dhe gazit, selive të kompanive që janë të detyruara të mbajnë personelin në vend për të bërë të funksionojnë impiantet”. Mes kompanive më në rrezik janë Eni dhe Finmeccanica.
www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button