… Dostojevski përbuzte sidomos idetë që gjeti në Shën Petërsburg, kur u kthye nga dekada e internimit në Siberi. Brezi i ri i intelektualëve rusë ishte mbërthyer tashmë prej teorive dhe filozofive europiane. Materializmi francez, humanizmi gjerman dhe utilitarizmi anglez ishin shkrirë së bashku, në një kombinim të posaçëm rus, që do të quhej “nihilizëm”. Ne kemi prirjen të mendojmë për një nihilist, si dikush që nuk beson në asgjë, por nihilistët rusë të viteve 1860 ishin shumë të ndryshëm. Ata besonin shumë tek shkenca, dëshironin të shkatërronin traditat fetare dhe morale që kishin udhëhequr njerëzimin në të kaluarën, me qëllim që të sillnin lindjen e një bote të re dhe më të mirë. Ka shumë njerëz që besojnë në diçka të tillë sot. Kritika e Dostojevskit ndaj nihilizmit paraqitet në romanin e tij të madh, “Djajtë”. I botuar në vitin 1872, libri është kritikuar se është didaktik nga toni, dhe nuk ka asnjë dyshim se ai dëshironte të tregonte se idetë dominuese të brezit të tij ishin të dëmshme. Por historia që rrëfen Dostojevski është edhe një komedi e zezë, mizorisht komike në përshkrimin që u bën intelektualëve që luajnë me idetë revolucionare, pa kuptuar asgjë se çfarë do të thotë revolucion në praktikë…
[real3dflipbook id=”428″]