HistoriMAINPersonazhe

Drakula: Një hero i keqkuptuar?

Emri Drakula ngjall frikë, neveri, përbuzje dhe urrejtje, dhe ndonjëherë edhe frikë, kurdo dhe kudo shqiptohet. Por a janë të bazuara këto mendime në fakte, apo thjesht në opinione popullore? Shumica e njerëzve do të thoshin se Drakula është një personazh imagjinar, që është përdorur për të trembur fëmijët.

Kjo mund të jetë e vërtetë në një farë mase, por nuk është sigurisht 100 qind e vërtetë. Shumica e të dhënave që na vijnë parmes rrëfimeve popullore, janë variante të shtrembëruara të një rrëfimi imagjinar, të shndërruar në një personazh afro 2 shekuj më vonë.

Drakula i vërtetë, është i njohur si Vladi i III-të ose Vlad Hungulësi. Ai lindi në vitin 1431, dhe e trashëgoi emrin e tij nga i ati Vlad Dracul (ose Vlad Dragoi) – pasi ai i përkiste sipas një rendi kalorësish. Drakula, në gjuhën sllave do të thotë Bir i Drakulit (ose Bir i Dragoit).

Ai ishte, mbreti i Vllahisë (një rajon në Rumaninë e sotme) në shekullin XV. Në atë kohë Perandoria Osmane ishte në kulmin e fuqisë, dhe shumica e shteteve evropiane, ishin në mëshirën e saj.

Gjatë fëmijërisë së tij, Princi Vlad dhe vëllai i tij i vogël u mbajtën peng nga Perandoria Osmane, në mënyrë që babai i tyre t’i qëndronte besnik pushtuesve turq. Kur Vladi i vogël u rrit dhe u bë mbret, sulltani turk i dërgoi lajmëtarët e tij, duke e urdhëroi të tregonte gjestin e nënshtrimit ndaj tij.

Duke pasur parasysh përvojën e hidhur me osmanët, Vladi i arrestoi lajmëtarët dhe i ekzekutoi duke ua ngulur trupat mbi disa hunj me maja të mprehta, një mënyrë shumë e tmerrshme për të vrarë një person. Ai nuk i dha asnjë haraç perandorit turk, dhe u rebelua kundër tij.

Edhe pse sulltani u përpoq ta kapte, Vladi u njoh me planet e armiqve të tij, dhe i eliminoi ata në kohë. Ndërkohë pushtoi disa territore të kontrolluara nga Perandoria Osmane, dhe i shkaktoi dëme të mëdha armiqve të tij turq.

Ai u përpoq të lidhte një aleancë me mbretin e Hungarisë, një lloj aleancë e bashkuar evropiane dhe e krishterë, kundër një armiku të përbashkët e të fuqishëm tiranik. Por u tradhtua nga njerëzit me të cilët po përpiqej të ndërtonte një aleancë (përfshi kushëririn e tij Stefan, udhëheqësin e Moldavisë, dhe vëllain e tij më të vogël Radu).

Vladi u burgos për 14 vite me radhë me akuza të fabrikuara. Pasi u lirua u përpoq edhe një herë të konsolidonte pozitat e tij si mbret, dhe vdiq në luftë kundër forcave osmane në dhjetorin e vitit 1476. Turqit e çuan kokën e tij në Stamboll si një trofe për sulltanin.

Është e vërtetë, që Vlad Drakula ishte realisht një njeri i dhunshëm, që i torturonte shumë para se t’i vriste armiqtë e tij, duke shkaktuar terror tek armiqtë e tij. Por është gjithashtu një fakt, që shumë nga historitë mbi të u zmadhuan, apo edhe madje u shpikën nga armiqtë e tij.

Duke përdorur shtypshkronjat që sapo ishin shpikur, kundërshtarët shkruan pamflete të shumta, që përshkruanin në detaje mizoritë e vërteta apo edhe të shpikura të Drakulës, dhe kjo synonte të krijonte në popull një urrejtje të madhe për të.

Nga ana tjetër, duhet gjithashtu të merret në konsideratë fakti që Vlad Drakula jetoi në një periudhë shumë të dhunshme dhe të trazuar. Ai e kishte kaluar fëmijërinë e tij si një peng tek osmanët, dhe kishte parë vrasjen e padrejtë të babait të tij. Ndërkohë vëllai i tij i madh, Mirçea, u torturua, u verbua dhe u varros i gjallë.

Pra, armiqtë ndaj të cilëve luftoi nuk ishin ëngjëj. Ai ishte në një situatë “vrit ose do vritesh”. Dhe ngjallja e tmerrit dhe frikës tek kundërshtarët, ishte një strategji për të luftuar me burime të kufizuara kundër një armiku, që ishte shumë më i madh në numër dhe në infrastrukturë.

Falë zgjuarsisë së tij, për pak sa nuk e vrau Sulltan Mehmetin II, kur e tromaksi ushtrinë  tij gjatë një sulmi të guximshëm orët e vona të natës. Në vitin 1462 Sulltan Mehmeti II u tërhoq me ushtrinë e tij, kur pa 20.000 kufomat e dekompozuara të ushtarëve të tij të ngulur secili mbi një hu në periferi të Tërgovishtes, kryeqytetit të mbretërisë së Vladit.

Fitoret e Vladit mbi ushtrinë pushtuese osmane u kremtuan në të gjithë Valakinë dhe pjesën tjetër të Evropës. Papa Piu II mbeti i mahnitur prej tyre. Vlad Drakula ishte një mbret i drejtë, që vendosi rregull dhe stabilitet në Valaki. Ai e forcoi ekonominë, dhe inkurajoi zhvillimin e bujqësisë.

Ai ndëshkoi kriminelët dhe hajdutët, në mënyrë që shtetasit e tjerë të ndershëm të mbretërisë të mund të jetonin në paqe. Gjithashtu, ai i ndihmoi tregtarët vendas dhe ndërtoi fshatra të rinj. Vlad Drakula respektohet shumë në Rumani dhe Bullgari, për mbrojtjen që u garantoi ndaj mizorive të osmanëve.

Ka shumë histori, ku Drakula përshkruhet si një hero kombëtar. Ion Budai Deleanu, shkroi një poezi epike ku Vladi paraqitet si një hero që lufton kundër armiqve të vendit të tij. Poetë si Dimitrie Bolintineanu dhe Mihai Eminesku, i bëjnë jehonë ndjenjave të ngjashme.

Një pjesë e madhe e historianëve rumunë, e kanë përshkruar atë si një nga mbretërit më të mëdhenj të Rumanisë, dhe aktet e dhunës justifikohen si mjete për ruajtjen e dinjitetit kombëtar, që kishin në çdo rast një logjikë racionale, dhe që nuk ishin veprime të një të çmenduri, siç donin që të besonte bota armiqtë e tij.

Ndërkohë, Bram Stroker ishte personi i parë që krijoi një vampir imagjinar – Kontin Drakula që ndërthurr personalitetet e sundimtarit historik rumun me një karakteri imagjinar. Pra aty ku historia takon mitet, lindin legjendat; dhe kështu lindi edhe romani më i shitur “Drakula”, botuar për herë të parë në vitin 1897.

Arsyeja kryesore ishte një poeme gjermane e shekullit XV-të, ku Vlad Drakula përshkruhej si i ndërvarur nga pirja e gjakut të njeriut (gjë që pa dyshim nuk ishte e vërtetë). Krahasuar me mbretin rumun të vërtetë Vlad Drakulën që vdiq duke luftuar; personazhi në romanin e Bram Stoker, ai është një vampir i etur për gjak, me superfuqi, dhe që nuk mund të vdiste nga pleqëria.

Në roman, Konti Drakula është një fisnik nga Transilvania, me njohuri të gjera mbi fusha të ndryshme dhe një person i guximshëm, me një sharm aristokratik. Ai ka fuqi të jashtëzakonshme fizike, dhe fuqi po aq të madhe telepatike dhe hipnotike, dhe mund të zhduket sipas dëshirës.

Ai ka fuqi mbi kafshët, dhe mund të manipulojë motin. Edhe pse është një personazh imagjinar, rrëfimet mbi të kanë shumë versione, siç përshkruhen në shumë filma dhe libra të ndryshëm. Në versionin e regjisorit amerikan Frensis Ford Kopola “Drakula i Bram Stoker”, Konti Drakula imagjinar tregohet si origjinali Vlad Drakula, që kthehet në shtëpi pasi kishte fituar një betejë kundër turqve dhe e gjen të vetëvrarë gruan e tij, Elisabetën, për shkak të një lajmi të rremë mbi vdekjen e tij.

Ai tërbohet kur merr vesh që shpirti i gruas së tij nuk do të shpëtojë në botën tjetër, pasi ajo ka kryer vetëvrasje. I zemëruar heq dorë nga besimi i tij fetar, përqafon fuqitë e errësirës dhe bëhet një ndjekës i Djallit, duke u shndërruar në një vampir të etur për gjak, dhe plot me superfuqi.

Më pas, Drakula takohet Xhonathan Harker (një avokat) dhe të fejuarën e tij Mina (që është ri-mishërimi i gruas së tij, Elisabetës). Edhe pas kaq shumë shekujsh, Drakula është ende i dashuruar me kujtimin e gruas së tij. Ai udhëton nga Transilvania për në Angli, dhe më në fund arrin të takojë Minën.

Pjesa tjetër e tregimit, përshkruan se si Drakula përpiqet të fitojë dashurinë e Minës. Edhe pse e hutuar, Mina e kujton jetën e saj të hershme si Elisabeta, dhe e pranon dashurinë e Drakulës. Në fakt ajo është aq shumë e dashuruar me Drakulën, saqë dëshiron të shndërrohet në një vampir, në mënyrë që të mund të qëndrojë përgjithmonë më të.

Mina mbetet në anën e Drakulës, edhe pasi ky vdes. Në fund zbulojmë se kjo nuk është një histori tmerri, por një histori dashurie që i ka rezistuar provave të kohës. Përndryshe nuk ka si shpjegohet dashuria e Drakulës për gruan e tij të ndjerë edhe pas 4 shekujsh.

Pra, si tek Vlad Drakula i vërtetë, ashtu edhe tek personazhi imagjinar i Bram Stoker, Konti Drakula Vampiri, kemi të bëjmë me një person të vendosur në një pozitë shumë të pasigurt, për shkak të situatave të paparashikueshme përreth tij. I rrethuar nga armiq të urryer dhe miq të dyshimtë, ai synoi të mbijetonte dhe të triumfonte mbi situatat, të cilat nuk ishin asnjëherë nën kontrollin e tij.

Historia e tregon atë si një sundimtar të përgjegjshëm (ndërsa trillimet letrare e tregojnë si një bashkëshort të dashuruar). Prandaj kur t’iu vijë ndërmend emri Drakula, ajo që duhet të mbajnë mend është trimëria e një njeriu, dhe jo pseudo-imazhi i një përbindëshi, që bota do të donte që ne ta besonim, pasi ndonjëherë janë përbindëshat heronjtë e vërtetë të historisë. / bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close