Bota

Drejtori i FBI hedh poshtë akuzat e Trump për përgjim

Drejtori i FBI-së, James Comey i refuzoi pretendimet e Donald Trump se paraardhësi i tij Barack Obama i ka përgjuar telefonin.

Comey raportohet t’i ketë kërkuar Departamentit të Drejtësisë t’i hedhë poshtë akuzat se Obama ka urdhëruar përgjimin gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar.

Ai sqaroi se e ka kërkuar këtë korrigjim, pasi në mënyrë të pavërtetë supozohet, veç të tjerash, se FBI-ja ka shkelur ligjin. Lajmin e deklaratës befasuese të Trump e përcolli fillimisht “New York Times” e më pas “NBC”. Comey beson se nuk ka asnjë provë që të mbështesë pretendimet e Presidentit, ndërsa Departamenti i Drejtësisë, për momentin, hesht.

Akuza se Obama ka vënë nën përgjim bisedat telefonike në Kullën Trump një muaj para zgjedhjeve të nëntorit, erdhi pa asnjë argument mbështetës. Kreu i Shtëpisë së Bardhë është thirrur nga anëtarë demokratë dhe republikanë të Kongresit që të ofrojë prova për akuzat e tij.

Edhe ish-drejtori i Shërbimeve të Zbulimit, James Clapper tha të dielën për emisionin “Meet the Press” të rrjetit NBC se “nuk kishte aktivitet përgjimi të kryer kundër Presidentit të zgjedhur në atë kohë, apo gjatë kohës kur ishte kandidat dhe as ndaj një pjesëtari të fushatës së tij”. / Top Channel

Leave a Reply

Back to top button