BotaMAIN

Duam Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë. Nuk e përjashtoj përdorimin e ushtrisë

Donald Trump ngre tensionet

Donald Trump, i cili pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake amerikane për të rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe për të blerë Groenlandën, duke përmendur si justifikim sigurinë ekonomike. Deklaratat e tij gjatë një konference për shtyp në Mar-a-Lago kanë ngritur shqetësime ndërkombëtare për një ndryshim të mundshëm në politikat amerikane.

Gjatë një takimi me gazetarët në rezidencën e tij në Florida, Trump tha se nuk mund të jepte garanci se nuk do të përdorte forcë ushtarake ose presion ekonomik për këto çështje. “Nuk mund t’ju jap siguri për asnjërën prej këtyre,” tha ai në përgjigje të një pyetjeje nga një reporter. “Por mund të them këtë: na duhen për sigurinë ekonomike.”

Kërkesa për Kanalin e Panamasë

Trump pretendoi se Kanali i Panamasë, i cili iu transferua Panamasë në vitin 1999 sipas një traktati të vitit 1977, po “menaxhohet nga Kina”. Ai shtoi se kanali është kritik për interesat amerikane.

“Kanali i Panamasë u ndërtua për ushtrinë tonë,” tha Trump. “Shikoni, Kanali i Panamasë është jetik për vendin tonë. Po menaxhohet nga Kina. Kina! Dhe ne ia dhamë Kanalin e Panamasë Panamasë, jo Kinës.”

Objektivi Groenlandë

Sa i përket Groenlandës, Trump kërcënoi me masa ekonomike ndaj Danimarkës, duke theksuar se, nëse kjo e fundit kundërshton ambiciet e tij territoriale, “do t’i vendosim Danimarkës tarifa shumë të larta”. Ai gjithashtu kritikoi Kanadanë, duke thënë se vendi mbështetet te ushtria amerikane dhe paralajmëroi për tarifa të rënda ekonomike ndaj saj.

“Kanada subvencionohet me rreth 200 miliardë dollarë në vit dhe, praktikisht, nuk ka një ushtri. Ata mbështeten te ushtria jonë,” tha Trump.

Fushata e djalit të Trump në Groenlandë

Në ndërkohë, Donald Trump Jr., i cili ndodhej në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, shpërndau kapele me sloganin “Make Groenland Great Again” duke pretenduar se ishte atje thjesht si turist. Në një video, Trump Sr. dëgjohet duke thënë gjatë një telefonate: “Do t’ju trajtojmë mirë.”

Tensionet me Panamanë dhe Danimarkën

Qasja e Trump ndaj Kanalit të Panamasë dhe Groenlandës ka shkaktuar reagime të forta. Presidenti i Panamasë, José Raúl Mulino, refuzoi kërkesat e Trump për kthimin e kanalit, duke deklaruar se “çdo metër katror” i tij do të mbetet nën sovranitetin panamez. Këto deklarata vijnë pasi Trump kërcënoi që SHBA do të “kërkojë që Kanali i Panamasë të kthehet nën Shtetet e Bashkuara – plotësisht, shpejt dhe pa asnjë pyetje”.

Këto qëndrime janë parë si një përshkallëzim i tensioneve mbi këtë pasazh të rëndësishëm detar, që SHBA fillimisht e ndërtoi në vitin 1914 dhe e menaxhoi për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të. Qasja e tij konfrontuese risjell jehonën e tensioneve që çuan në pushtimin e Panamasë nga SHBA në vitin 1989. / bota.al

Back to top button