Marrëdhëniet e këqia mes të dyve nuk lindin aq shumë nga zilia, meskinitetet pak inteligjentë që duket se shfaqen më shumë tek shkrimtarët, se sa në çdo sivëllazëri tjetër, dhe që janë banale jo vetëm tek një gjeni, por në çdo njeri. Përplasja ndodh mes kristianizmit pacifist dhe humanitar pa Krisht të Tolstoit, që Dostojevski e refuzon, dhe qendërsisë së Krishtit, apo besimit në një Zot të përtejmë, për autorin e “Djajve”
Një libër i famshëm i Thomas Mannit, dedikuar Dostojevskit, ka titullin: “Dostojevski – me masë”. Titull jo shumë i lumtur, sepse përballja me një autor dhe veprën e tij – sidomos nëse janë gjigandë, turbullues dhe tronditës – nuk ndjek një dietë, as edhe dozat e rekomanduara në etiketat e ilaçeve. Në veprën e një autori të madh – madje aq më shumë kur flitet për një të madh – zhytesh pa u matur dhe pa hezitim, pa mjete shpëtimi, si në një det të trazuar, ose nuk zhytesh fare. Kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga gjykimi yt dhe nga vlerat e tua, t’i nënshtrohesh në mënyrë idhujtare madhështisë së tij; me krijuesit e mëdhenj bëhen hesapet duke u përballur me kokën lart dhe pa druajtje, edhe duke i kontestuar, në një dialog dhe në një marrëdhënie që, nëse janë autentike, janë gjithmonë në atë moment, një takim mes të barabartësh, mes dy personash që, në atë marrëdhënien e tyre – në këtë rast në momentin e leximit – janë gjithmonë të barabartë, pavarësisht se çfarë rëndësie ka njëri dhe tjetri, përtej këtij dialogu mes tyre, në historinë e botës. Në çdo përballje, në çdo dialog, protagonisti, ashtu si në Trininë, është shpirti, ose më saktë marrëdhënia mes të dyve, në atë moment kur janë të dy ballë për ballë. Dostojevski është një shkrimtar që i trondit që nga themelet siguritë tona, mbrojtjet tona, akomodimin tonë me botën. Nëse do të duhej të tregonim një datë dhe një vepër të lindjes së narrativës bashkëkohore, zgjedhja më e drejtë do të ishte “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”; njeriu i shtëpisë së të vdekurve, që Niçe e identifikonte me super-njeriun do të bëhej, në format më të ndryshme, protagonisti i letërsisë perëndimore për pothuaj dy shekuj, dhe është ende. Në të njëjtën kohë, Dostojevski ka ngritur, si asnjë shkrimtar tjetër, pyetjet finale mbi fatin e njeriut, mbi vuajtjen dhe mbi dashurinë; mbi shpëtimin dhe humbjen e njeriut.
Dostojevski dhe Niçe kanë jetuar në thellësi nihilizmin si e vërtetë thelbësore dhe historike të kohës; i pari e ka konsideruar një sëmundje për t’u shëruar, ndërkohë që i dyti e ka lartësuar – ose më saktë është detyruar ta lartësojë – si një çlirim për t’u festuar. E ardhmja e qytetërimit tonë, shkruante kohë më parë Vittorio Strada, do të varet edhe nga ajo se cili prej të dyve do të ketë të drejtë.
Për të dokumentuar qendërsinë trazuese, të pashtershme të Dostojevskit – për atë që ka të bëjë me pyetjet themelore të jetës sonë, të historisë sonë, të fatit tonë individual dhe politik – ka dalë tani një libër i Gustav Zagrebelskit, “Shërbëtorë të lirë: Inkuizitori i madh dhe enigma e pushtetit”, që përball e një mprehtësi të fortë dhe pjesëmarrje plot pasion, temat tronditëse të veprës së Dostojevskit, të pyetjes radikale mbi hiçin dhe mbi pushtetin, me të gjithë pasojat e saj. Një libër me të cilin duhet të matesh deri në fund.
Ashtu si tek Dostojevski, edhe tek Tolstoi letërsia, pikërisht sepse ai është kaq tmerrësisht i madh, tejkalon vlerën më të lartë poetike për të prekur pyetjet e skajshme mbi jetën, gjërat e fundit mbi të cilat luhet shpëtimi apo humbja e njerëzores. Për marrëdhënien shpesh herë konfliktuale mes të dy gjigandëve ka dalë në Itali një libër i Graziano Bianchit, me një forcë të madhe sintetike. Dostojevski lexon “Ana Kareninën”, thotë titulli i librit të Bianchit, që bën pjesë në një përmbledhje librash dedikuar autorëve të ndryshëm, por mbi të gjitha, dy gjigandëve rusë, veçanërisht autorit të “Krim dhe ndëshkim”.
Dostojevski lexues i Tolstoit. Të dy titanët e njohin, secili, vlerën e pamatshme të tjetrit. Për Dostojevskin, “Ana Karenina” është vepra e përsosur dhe “asgjë në letërsinë bashkëkohore europiane nuk mund të krahasohet me të”. Tolstoi, sipas Steinerit, në arratinë e tij ekstreme drejt vdekjes, thuhet se ka marrë me vete “Vëllezërit Karamazov”.
Marrëdhëniet e këqia mes të dyve nuk lindin aq shumë nga zilia, meskinitetet pak inteligjentë që duket se shfaqen më shumë tek shkrimtarët, se sa në çdo sivëllazëri tjetër, dhe që janë banale jo vetëm tek një gjeni, por në çdo njeri. Përplasja ndodh mes kristianizmit pacifist dhe humanitar pa Krisht të Tolstoit, që Dostojevski e refuzon, dhe qendërsisë së Krishtit, apo besimit në një Zot të përtejmë, për autorin e “Djajve”.
Por përplasja ndodh mbi të gjitha në vizionin mbi Rusinë, një vend metafizik takimi mes Lindjes dhe Perëndimit, siç nënvizonte
Merežkovskij, dhe bartëse e një misioni
universal dhe kristianizmit të ri. Dostojevski, që vendoset në anën e të fyerve dhe të poshtëruarve – për të perifrezuar titullin e një tjetër romani të tij – qorton Tolstoin se shkruan një “letërsi të pronarëve të tokave”, dhe e qorton madje edhe për interesin për njerëz të kotë si Vronski, dhe të ngjashmit e tij, që “nuk mund të flasën për gjë tjetër veç kuajve”. Tolstoi, nga ana tjetër flet, sigurisht jo me më pak përçmim, për “të gjithë këta idiotë adoleshentë jo realë, si Raskolnikov e të tjerë”.
Por Dostojevski kritikon mbi të gjitha Tolstoin – dhe veçanërisht Levinin e tij tek “Ana Karenina”, për mungesën e një “ndjenje të menjëhershme për shtypjen e skllevërve, dezertimin, shkëputjen nga kauza e madhe e përbashkët ruse”. Pacifizmi i Levinit i duket një humanitarizëm i rremë, sepse është i pandjeshëm ndaj vuajtjeve të popullit rus dhe të popujve sllavë – që Dostojevski i përshkruan të masakruar, të torturuar dhe dhunuar nga turqit – dhe sepse është kundër rrëmbimit të armëve për t’i mbrojtur. Pacifizmi tolstoian – në atë kohë për luftën ruso-turke – i duket Dostojevskit një dorëzim i pakuptueshëm ndaj të Keqes, një hyjnizim egoist i Unit. Universaliteti i Dostojevskit, që ka kuptuar si askush tjetër honet e mendjes dhe zemrës së njeriut, ndërthuret jo vetëm me një pjesëmarrje shumë njerëzore në vuajtjet e popullit të tij, por edhe me vizionin e një misioni universal të popullit rus që, i madh siç është, nuk mund të pranojë më misionet e privilegjuar dhe specialë që përvetëson cilido popull tjetër, e që aq shumë e irritonin Krishtin.
Sot më shumë se kurrë, është e domosdoshme të kthehemi e të lexojmë shkrimtarët e mëdhenj, për të gjetur ose rikonfirmuar përmes tyre, të vërtetën tonë. Nuk mund të zgjedhësh mes Tolstoit dhe Dostojevskit, mes Shekspirit dhe Dantes, apo mes Homerit dhe Servantesit; edhe në letërsinë e madhe, në shtëpinë e Babait ka shumë dhoma. Një shoku im i shkollës së mesme, besonte se Dostojevski ishte emri në rusisht i Tolstoit…
Burimi: Il Corriere della Sera / Përgatiti: www.bota.al