lexo.al
Fredi Belerin e njohin tanimë të gjithë. I gjithë opinioni publik i di edhe bëmat, edhe deklaratat e tij që do mbronte tokat greke në Himarë, edhe pozimet me në krah flamurin e Vorio Epirit.
Fredi Belerin e njohin tanimë të gjithë. I gjithë opinioni publik i di edhe bëmat, edhe deklaratat e tij që do mbronte tokat greke në Himarë, edhe pozimet me në krah flamurin e Vorio Epirit. I dimë të gjitha përfshirë edhe masakrën e Peshkëpisë apo më e freskëta, krimin elektoral të blerjes së votës për të cilën sot ai ndodhet në burg më vendim gjykate.
Mirëpo, pavarsisht të gjitha këtyre fakteve, Greqia (Beleri e quan veten grek, punë për të), po ngre një krizë marrëdhëniesh me Shqipërinë pikërisht për emrin e Belerit. Por, pse po e bën Greqia këtë dhe cili është mesazhi që ajo po përcjell me këtë qasje diplomatike?
Greqia dukshëm do që të marrë një rol në Ballkan. Pra, ajo po tenton të sillet si faktor vendimtar në Ballkan dhe deri këtu është në të drejtës e saj. Por pyetja është si po e bën? Aktet e saj diplomatike qartazi tregojnë së po e bën në mënyrën më anti-europiane që mund të përfytyrohej dhe kundër çdo norme demokratike.
Sepse nuk mund të jesh faktor në një rajon dhe të punosh për përçarjen e tij, siç po bën Greqia me qasjen ndaj Shqipërisë e cila është një faktor i padiskutueshëm stabiliteti dhe aleat ndër më të rëndësishmit të SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s. Thënë këtë, ky qëndrim përçarës i Greqisë ngjan më shumë si një adoleshentizëm diplomatik, ku ”për një plesht, po djeg jorganin” (siç thotë populli).
Dhe këtu vijmë tek mesazhi që ajo po jep me qasjen e saj. Çfarë mesazhi po përcjell Greqia duke kërkuar lirimin nga qelia të një të akuzuari për një vepër ndër më të rëndat sa i përket demokracisë, siç është ajo e shit-blerjes së votës? Mesazhi është i qartë: Në Ballkan drejtësia nuk mund të funksionojë njëlloj për të gjithë dhe nuk mund të jetë e pavarur. Ky mesazh dhe kjo kërkesë që ajo bën sot bie ndesh me të gjitha vlerat e BE-së dhe sigurisht në kundërshtim të plotë me sistemin demokratik dhe sovranitetin e një vendi tjetër.
Pyetja që mund t’i bëhet Greqisë (e cila në fakt nxjerr zbuluar standartin e dyfishtë të saj) në këtë rast është: Pse nuk i liruat, por i dënuat pesë shtetasit grekë që në 20 maj të 2023-shit u kapën duke blerë vota në fshatin Sovadhes të Kardhicës në Greqi? Pse për shtetasit grekë në Greqi (larg qoftë të kishin qenë shqiptarë) drejtësia juaj bën drejtësi, ndërsa për shtetasin shqiptar (dhe grek, por në Republikën e Shqipërisë ai përgjigjet si çdo qytetar tjetër shqiptar përpara ligjit) Fredi Beleri kërkoni që të mos zhvillohet gjyq por të lirohet?
Thënë këto, Greqia me qasjen ndaj Shqipërisë po bën dy autogola. E para nuk po merr dot rol në Ballkan sepse po tenton ta përçajë rajonin dhe e dyta, po jep mesazhin që në Ballkan, drejtësia nuk mund të jetë e pavarur. Që të dyja janë në kundërshtim me frymën Europiane e sigurisht në kundërshtim të plotë me çdo normë demokratike.