Nga Carter Malkasian “Washingon Post”
Bota mësoi javën e kaluar, se udhëheqësi i talebanëve Muhamed Omar ka vdekur, dhe se kjo mund të ketë ndodhur që në prill të vitit 2013. Ky ishte një lajm i keq për bisedimet e paqes, dhe një zhvillim pozitiv për Shtetin Islamik. Omar, ishte një figurë e rëndësishme në Afganistan dhe Pakistan. Në vitet e mia në Afganistan, si këshilltar civil i ushtrisë amerikane, kam mësuar se ky njeri edhe pse me një arsim modest, kishte fituar në mënyrë të pazakontë respektin e shumë afganëve.
Një ish-anëtar i njohur i Talebanëve, e përshkroi Omarin si një “mulla, Pashtun dhe një afgan të vërtetë”. Madje edhe shefi famëkeq i policisë Kandaharit, Abdyl Razik, aspak mik me talebanët, një herë më tha:”Të gjithë Talebanët i binden Mullah Omarit. Talebanët nuk do të fillojnë të luftojnë njëri-tjetrin. Ata janë një. Kjo është përparësia e tyre mbi qeverinë”.
Shpallja e vdekjes së Omarit ishte e parakohshme. Deri të mërkurën, drejtuesit e tjerë në hierarki dhe militantët e thjeshtë, nuk e dinin se ai kishte vdekur dhe ende merrnin udhra në emër të tij. Bisedimet e paqes ishin thuajse në përfundim, supozohet me mbështetjen e Omarit. Ndërkohë, ISIS është përpjekur që të depertojë në Afganistan, por falë ndikimit të talebanëve dhe emrit tëOmarit, pati shumë pak sukses.
Tashmë ka dy të ardhme për talebanët. Si fillim, për shkak të kohezionit dhe përkushtimit të saj, lëvizja mbijeton. Megjithatë, së pari do të duhet të ketë një luftë e brendshme për pushtet, dhe kreu i ri (tani për tani, është raportuar të jetë zëvendësi i Omarit, Akhtar Muhamed Mansur), do të duhet të dëshmohet para militantëve të thjeshtë, se mund të bartë flamurin dhe luftojë kundër Shteteve të Bashkuara në Afganistan.
Në krye të kësaj, është kërcënimi i besueshëm ku ndodhet legjitimiteti i talibanëve për shkak të Shtetit Islamik, çka do të detyrojë edhe më tej cilindo udhëheqës të ri të talebanëve, të ketë një qasje të ashpër, në mënyrë që luftëtarët talebanë të mos mendojnë se ai është i dobët dhe do të ndryshojë aleancat. Rezultati është se çdo udhëheqës i ri do ta ketë të pamundur të bjerë dakord, për një marrëveshje paqeje në të ardhmen e afërt.
E ardhmja tjetër, është se gjakderdhja e brendshme dhe rritja e ISIS-it, do të përçajë talebanët në grupe të vogla. Atëherë,presidenti afgan, Ashraf Gani nuk do të ketë asnjë partner negociues me peshë të mjaftueshme për t’i dhënë fund dhunës, edhe pse pakti mund të jetë i mundur me grupet e vogla.
Çfarë do të thotë kjo për Shtetet e Bashkuara? Rritja e Shtetit Islamik, do të jetë ndoshta e mjaftueshme për të shkaktuar një dhimbje koke dhe nxitur diskutime të mëtejshme, në lidhje me planin aktual për të tërhequr edhe trupat trajnuese nga vendi, me përjashtim vetëm të ambasadës në Afganistan, deri në fund të vitit 2016.
Bisedimet e paqes, do të jenë gjithashtu në diskutim. Shtetet e Bashkuara duhet të kenë durim, dhe të inkurajojnë Afganistanin dhe Pakistanin të vazhdojnë përpjekjet e tyre, për t’u angazhuar në bisedime. Progresi mund të ngecë gjatë muajve të ardhshëm, por pas asaj që është arritur deri më tani, ky zhvillim nuk mund të cilësohet dhe aq negativ.
Dobësimi i talebanëve dhe konkurrenca me Shtetin Islamik, mund ta ndihmojë qeverinë afgane të ruajë pozicionet e saj në fushën e betejës, të cilat mund t’i japin Ganit mekanizmat e duhur për të arritur një marrëveshje me udhëheqësin e ri taleban apo udhëheqësit e grupeve të reja të shkëputura. Çdo marrëveshje e tillë paqeje, nuk do t’i jepte fund dhunës, por do ta linte Afganistanin në një pozitë më të mirë sesa është sot.
Shënim:Carter Malkasian drejtoi programin e stabilitetit dhe zhvillimit në Qendrën për Analizat Detare, dhe është autor i librit “Tridhjetë vitet e konfliktit në kufirin afgan”.
PERKTHEU:Bota.al