Letersi

“E fortë si vdekja”, fragmenti më prekës prej romanit të Guy de Moupassant

“… Nëse do të kishte diçka që mund të më ngushëllonte në këtë gjëmë të zezë që më ka gjetur, i dashur mik, kjo do të ishte letra juaj. Dje e varrosëm, dhe qysh nga çasti kur trupi i saj i ngratë e i pajetë doli nga kjo shtëpi, më ngjan sikur kam mbetur fillikat në këtë botë. Nënën e vet njeriu e do thuajse pa e kuptuar, pa e ndier, meqë kjo gjë është diçka po aq e natyrshme sa vetë jeta, dhe vetëm në çastin e lamtumirës së fundit vë re sa të thella i ka rrënjët kjo dashuri. Nuk ka dashuri tjetër që mund të përqaset me të, sepse të gjitha të tjerat janë të rastësishme, kurse kjo është e lindur, të gjitha të tjerat na i sjellin më pas rrethanat e ndryshme të jetës, kurse kjo rron në vetë gjakun tonë qysh nga dita e parë kur vijmë në këtë botë.

Dhe pastaj, njeriu s’humbet vetëm nënën, bashkë me të zhduket edhe gjysma e fëmijërisë sonë, sepse jeta jonë e shkurtër fëmijërore ruhej në kujtesën e saj aq sa dhe në kujtesën tonë. Vetëm ajo e njihte njësoj si ne, ajo dinte një mori vogëlimash të largëta, të parëndësishme, por të çmuara, që kanë qenë e mbeten përgjithmonë të parat emocione të ëmbla të zemrës sonë. Vetëm asaj mund t’i thosha akoma: “Mama, të kujtohet ajo ditë kur…? Mama, të kujtohet kukulla prej porcelani që më pati dhënë gjyshja?” Të dyja bashkë sillnim ndër mend një varg të tërë kujtimesh të thjeshta e të hareshme, të cilat tani nuk i di më njeri tjetër në këtë botë përveç meje. Ka vdekur, pra, një pjesë e vetes sime, pjesa më e hershme, më e mira. Kam humbur atë zemër të mjerë ku jetoja ende e plotë ashtu siç kam qenë kur isha vajzë e vogël. Tani atë s’e njeh më askush, askujt s’i kujtohet më vogëlushja Anë, askujt s’i kujtohen fundet e shkurtra, të qeshurat dhe ojnat e saj.

Dhe do të vijë një ditë, e cila mbase nuk është aq e largët, kur do të iki edhe unë e do ta lë të vetme në këtë botë Anetën time të dashur, ashtu siç më la mua nëna sot. Sa e trishtuar, e rëndë e mizore është e gjithë kjo! E prapëseprapë, njeriu s’mendon kurrë për këtë, nuk vë re se vdekja në çdo çast merr dikë rreth e qark nesh, ashtu siç do të na marrë edhe ne së shpejti. Po ta vinim re këtë, po ta mbanim mendjen aty, po të mos ishim të shkujdesur, të gëzuar e të verbër ndaj gjithçkaje që ndodh para syve tanë, atëherë s’do të ishim në gjendje të jetonim, sepse pamja e kësaj masakre të pafund do të na shkallonte.

Jam aq e dërrmuar, aq e trishtuar, sa nuk bëj dot më asgjë. Ditë e natë e kam mendjen te mamaja ime e gjorë, e mbyllur në atë arkë, e kallur në dhe, atje në fushë, në mes të shiut, dhe fytyra e saj e plakur, që e puthja me aq gëzim, tani s’është gjë tjetër veçse një kalbësirë e llahtarshme. Oh, çfarë tmerri, miku im, çfarë tmerri! Kur humba babanë, sapo isha martuar dhe atëherë gjithë këto gjëra s’i ndjeva kështu siç po i ndiej sot. Qamëni hallin, mendoni për mua, shkruamëni. Tani kam aq shumë nevojë për ju”. Ana

 

Back to top button