Bota

E PLOTË/ “Financial Times”: Integrimi Europian, Shqipëria mund të parakalojë Serbinë!

“Shqipëria mund të parakalojë Serbinë, duke u anëtarësuar më shpejt se të gjithë vendet e tjera ballkanike në Bashkimin Europian”.

Ky është njëri prej përfundimeve në të cilën arrin gjigantja “Financial Times”, në një analizë të publikuar me titullin “BE përpiqet të rifitojë infuencën e tij në Ballkan”.

Në qendër të kësaj analize mbetet dokumenti strategjik i prezantuar nga Komisioni Europian javën e shkuar.

“Është në interesin e të gjithëve, që BE t’a shndërrojë integrimin një perspektivë të realizueshme për vendet e Ballkanit, shumë prej të cilave janë të prirura për të dyshuar në sinqeritetin e BE-së, sidomos pas shumë vitesh të mbetura në vendnumëro duke pritur pas derës”, komenton “FT”.

Sipas “Financial Times”, përcaktimi i një date për zgjerimin e ardhshëm në Ballkan, viti 2025 në skenarin më pozitiv, do të shërbejë për t’i dhënë një shtysë të rëndësishme reformave të domosdoshme që duhen ndërmarrë.

“Komisioni ka bërë mirë që ka theksuar se çdo progres do të vlerësohet në mënyrë objektive dhe në teori, çdo shtet mund të parakalojë favoritët e tanishëm. Një deklaratë e tillë shpërblen në veçanti përpjekjet e një vendi si Shqipëria dhe gjithashtu, i përgjigjet dyshimeve për favorizimin e Serbisë”, shkruan më tej “Financial Times”.

Gjigantja e specializuar në analiza ekonomike, gjithashtu mirëpret negociatat “e vështira” që po ndodhin midis shumë vendeve, si negociatat Serbi-Kosovë apo ato të Maqedonisë me Greqinë.

“Për BE-në do të ishte e pakonceptueshme importimi i këtyre konflikteve, e bashkë me konfliktet edhe etno-nacionalizmi i flaktë që i motivon ato. Në të shkuarën, Brukseli e ka vendosur gjithmonë theksin tek integrimi ekonomik, me shpresën se bashkëpunimi politik do t’a pasojë. Tanimë, me të drejtë i ka vendosur një “ultimatum” këtyre vendeve, ose të zgjidhin me negociata mosmarrëveshjet që kanë ose të pranojnë arbitrimin e jashtëm”, komenton “Financial Times”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në linkun : https://www.ft.com/content/70c4b524-0b33-11e8-839d-41ca06376bf2

Bashkangjitur, përkthimi integral i këtij artikulli në shqip

Pas një pauze të gjatë, BE është sërish e gatshme t’ia nisë bisedimeve për zgjerimin e kufijve të saj. Vitin e shkuar, Jean-Claude Juncker i premtoi gjashtë vendeve të Ballkanin Perëndimor një perspektivë “të besueshme” integrimi.

Këtë javë, presidenti i Komisionit Europian prezantoi një strategji që shpjegon se çfarë nënkupton ai me “besueshmëri”, të paktën përsa i përket disa prej vendeve që mund të bëhen anëtarë deri në 2025-n.

Nuk ka fjalë të shpenzuara për idealizmin në këtë dokument. Ndienja e domosdoshmërisë që udhëhoqi zgjerimin e vitit 2004 në Europën Qëndrore dhe atë Lindore është venitur.

Lodhja nga zgjerimi ka përfshirë BE-në, me votuesit e nxehur nga emigracioni brenda kufijve dhe zyrtarët e lartë të BE-së, të pasigurtë mbi kapacitetin e Unionit për të përballur gjithçka përtej problemeve ekonomike imediate.

Është e qartë për të gjithë se disa vende janë lejuar që t’i bashkohen BE-së përpara se të korrigjonin mangësitë në lidhje me zbatimin e ligjit. Së fundmi, rritja e frymës iliberale, në qeveritë nacionaliste të Hungarisë dhe Polonisë, ka treguar se është e vështirë për BE-në që të kundërveprojë nëse parimet demokratike shkelen pas integrimit.

Megjithatë, “përqafimi” nga Brukseli i vendeve post-komuniste të lindjes përbën një prej arritjeve më të mëdha të BE-së. Dhe është në interesin e të gjithëve, që BE t’a shndërrojë integrimin një perspektivë të realizueshme për vendet e Ballkanit, shumë prej të cilave janë të prirura për të dyshuar në sinqeritetin e BE-së, sidomos pas shumë vitesh të mbetura në vendnumëro duke pritur pas derës.

Në fund të ditës, vendet e Ballkanit Perëndimor janë gjeografikisht të rrethuara nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Stabiliteti i fituar me shumë mund, pas konflikteve të viteve 1990, nuk mund të merret si i mirëqënë dhe bashkëpunimi me këto vende është shumë i rëndësishëm edhe në pikëpamjen e përpjekjeve të BE-së për të kontrolluar emigracionin.

Premtimi i BE-së për anëtarësim ka qenë një nxitës kryesor për shumë qeveri që të marrin vendime të vështira. Serbia ka bërë disa koncensione të rëndësishme ndaj Kosovës, sa për të dhënë një shembull.

Megjithatë, mbetet një rrugë e gjatë përpara dhe influence e BE-së është zbehur. Tanimë, vetëm 26% e serbëve mendojnë që integrimi në BE do të ishte diçka e mirë. E nëse BE-ja do të tërhiqet, të tjerë, si Rusia apo Turqia janë të gatshëm që të mbushin vakumin.

Thënë kjo, do të jetë një sfidë e jashtëzakonshme për të gjashtë vendet që të plotësojnë kushtet për anëtarësim. Strategjia hodhi gjithashtu “disa shuplaka”, duke nënvizuar se të gjitha vendet tregojnë “shenja të kapjes së shtetit”, me lidhje me krimin e organizuar, korrupsionin në çdo nivel të qeverisjes dhe ndërhyrje të vazhdueshme të shtetit në media.

Asnjë prej të gjashtëve nuk mund të klasifikohet si ekonomi funskionale tregu. Zoti Junker thekson se 2025-sa është për momentin “një datë tejet optimiste”, por përsëri përcaktimi i një afati mund të shndërrohet në një motivues të qartë reformash, sidomos nëse vullneti i Brukselit shoqërohet me fonde shtesë dhe afate kohore të mirëpërcaktuara.

Komisioni duhet të fillojë të flasë tani me gjuhën e tij të shkoqur, e të sigurohet që qeveritë e këtyre vendeve të mos kalojnë thjesht ligje të mira, pa i zbatuar ato më pas.

Gjithashtu, Komisioni ka bërë mirë që ka theksuar se çdo progres do të vlerësohet në mënyrë objektive dhe në teori, çdo shtet mund të parakalojë favoritët e tanishëm.

Një deklaratë e tillë shpërblen në veçanti përpjekjet e një vendi si Shqipëria dhe gjithashtu, i përgjigjet dyshimeve për favorizimin e Serbisë.

Gjithashtu e mirëpritur është këmbëngulja për të mos lejuar asnjë vend të anëtarësohet pa zgjidhur problemet me fqinjët e tij, qoftë ky vend Serbia që refuzon të njohë Kosovën apo Maqedonia, që përplaset me Greqinë rreth emrit të saj.

Për BE-në do të ishte e pakonceptueshme importimi i këtyre konflikteve, e bashkë me konfliktet edhe etno-nacionalizmi i flaktë që i motivon ato. Në të shkuarën, Brukseli e ka vendosur gjithmonë theksin tek integrimi ekonomik, me shpresën se bashkëpunimi politik do t’a pasojë.

Tanimë, me të drejtë i ka vendosur një ultimatum këtyre vendeve, ose të zgjidhin me negociata mosmarrëveshjet që kanë ose të pranojnë arbitrimin e jashtëm.

Mbetet ende për t’u parë nëse Brukseli ka në dorë mjetet për të udhëhequr në këtë proces ripajtimi. Megjithatë, në pritje, është vendimtare që BE t’i mbajë dyert të hapura për fqinjët që janë realisht të përkushtuar ndaj vlerave europiane.(TemA)

Leave a Reply

Back to top button