Mijëra njerëz kanë shpërndarë online foton e një fëmije sirian, me duart e ngritura lart për t’u dorëzuar- por cila është historia e saj? Ata që e kanë shpërndarë foton, thonë se janë prekur nga frika në sytë e fëmijës, pasi duket që po sheh tytën e armës. Nuk ishte një armë në fakt, ishte një kamera dhe momenti është fiksuar që bota ta mësojë.
Por kush e ka bërë foton dhe cila është historia e saj? BBC Trending ka mundur të gjurmojë fotografin origjinal- Osman Sagirli- dhe e ka pyetur se si u bë kjo foto. Fotoja nisi të shpërndahet me shpejtësi të martën, kur u postua në Twitter nga Nadia Abu Shaban, një fotoreportere e vendosur në Gaza. Imazhi u përhap me shpejtësi në internet. “Po qaj”, “pabesueshmërisht e trishtueshme”, “njerëzimi ka dështuar”, thuhet në disa komente. Postimi origjinal është shpërndarë më shumë se 11 mijë herë. Të premten, imazhi u shpërnda në Reddit, duke sjellë një tjetër vërshim emocionesh.
Menjëherë pasuan akuza se fotoja ishte false ose e stisur si moment. Abu Shaban konfirmoi se nuk e ka bërë ajo foton, por nuk shpjegonte dot se kush e ka bërë. Në Imgur, një faqe për shpërndarje fotosh, një përdorues gjurmoi foton dhe zbuloi se ajo ishte botuar në një gazetë. Ai tha se fotoja është e vërtetë, por është bërë diku në vitin 2012 dhe se fëmija është djalë. Postimi mbante emrin e fotoreporterit turk, Osman Sagirli. BBC foli me Sagirli- që tani punon në Tanzani- dhe konfirmoi origjinalitetin e fotos. Fëmija nuk është djalë, por një vajzë 4- vjeçare, e quajtur Hudea. Ajo është bërë në kampin e refugjatëve Atmeh në Siri, dhjetorin e shkuar. Ajo kishte udhëtuar drejt kampit- 10 kilometra larg kufirit turk- me mamanë dhe dy fëmijët e tjerë. Kampi është 150 kilometra larg shtëpisë së saj në Hama. “Po përdorja një lente telefotoje dhe ajo mendoi se ishte armë,” thotë Sagirli. “E kuptova se ishte e tmerruar, për shkak se kafshoi buzën dhe ngriti duart. Normalisht fëmijët vrapojnë për t’u larguar, fshehin fytyrën ose buzëqeshin kur shohin një kamera”. Imazhi u publikua për herë të parë në një gazetë turke në janar, ku Sagirli ka punuar prej 25 vitesh duke mbuluar luftërat dhe katastrofat natyrore jashtë vendit. Ajo është shpërndarë gjerësisht në mediat turke në atë kohë. Por u deshën disa muaj derisa të bëhej virale në botën anglishtfolëse, duke gjetur një audiencë në Perëndim javën e shkuar./Mapo.al/