Bota

E vërteta “e paleverdisshme” në lidhje me luftën kundër ISIS

siria

Nick Paton Walsh

ISIS-i i ka shtrirë metastazat dhe është shndërruar në diçka që, të shumtë ishin ata që e kishin parashikuar, dhe po kaq të shumtë ishin ata që kishin shpresuar të mos ndodhte: një grup nihilist militantësh, të cilët kanë njëkohësisht, një strehë të sigurtë në një vend të zhytur në anarshi, si dhe celula në Europë, në gjendje të godasin civilë. Franca, Siria dhe koalicioni i vendeve perëndimore tani tingëllojnë më luftëdashëse se kurrë, dhe kanë filluar të veprojnë ushtarakisht. Po sa e kollajtë është që të hartohet një plan ushtarak afatgjatë? Ja pesë fakte të paleverdisshëm, për ata që mendojnë se ka një zgjidhje të thjeshtë ushtarake në Siri.

  1. Ka shumë pak “djem të mirë” për të mbështetur

ISIS-i dhe regjimi sirian kanë pak kundërshtarë ushtarakë. Fushëbeteja është e mbushur me një dyzinë grupesh militantësh, të papenetrueshëm dhe të shumëllojshëm. Eshtë një rrëmujë totale – por shumë pak prej tyre bëjnë dalllim, shpesh herë për arsye të këqia.

Forca më e madhe arabe sunite kundër tyre quhet Jaish al-Fateh: janë një aleancë mes të moderuarve, atyre që janë gjithmonë e më radikalë (si për shembull Ahrar al Sham, që pavarësisht se quhen “radikalë nga Departamenti i Shtetit, i dënuan sulmet e Parisit), dhe Fronti Nusra, dega e al Kaedës në Siri.

Kjo aleancë, e cila kishte patur kaq shumë sukses kundër regjimit të Asadit, saqë shumëkush mendoi se ndërhyrja e Rusisë po ndodhte pikërisht për të ndalur përparimin e saj, është dobësuar. Për pak kohë, Jaish al-Fateh i ndali operacionet, kur një pjesë e aleancës së tyre nuk ra dakord në lidhje me qëndrimin anti-ISIS.

Ndërkohë, grupet që Perëndimi dikur i quante “të moderuar” janë lënë mënjanë tashmë, pa financime dhe ata janë shumë të vegjël. Forca Siria e Re, e cila ishte produkt i një programi 500 milionë dollarësh të Pentagonit, prodhoi 54 luftëtarë. Dezertimet dhe përplasjet bënë që, në një moment, atyre t’u mbeteshin vetëm pesë luftëtarë.

Forca tjetër e moderuar, Fronti Demokratik i Sirisë, është gjithashtu e financuar keq. Kritikët i konsiderojnë thjeshtë një “gjethe fiku” arabësh sunitë, që shërbejnë për t’i bërë kurdët të duken si më shumëetnikë.

REZULTATI: Nuk ka shumë forca pro SHBA në Siri në këto momente. Regjimi i Asadit ka Hezbollahun që lufton krah tij, një grup që SHBA i konsideron si terroristë, si dhe ushtarakë nga Irani, të cilët kanë luftuar kundër SHBA në Irak. Al Kaeda është pjesa më e aftë ushtarakisht e aleancës kryesore anti Asad. Pastaj është ISIS. Shumëkush i sheh kurdët si aleatët më të mirë kundër ISIS, por…

  1. Kurdët? Ata nuk janë zgjidhja për gjithçka

Kurdët shihen ndonjëherë me mosbesim nga grupi kryesor që SHBA ka aq shumë nevojë ta bëjë për vete: arabët sunitë. Ata, si në Irak edhe në Siri, janë pikërisht elementi, zhgënjimi i të cilëve me regjimin alavit dhe shiit në Damask dhe qeverinë e dominuar nga shiitët në Bagdad, i dha oksigjen ISIS-it për të ekzistuar.

Kur regjimi i Asadit bombardoi civilët sunitë në fillim të konfliktit sirian, dhe më pas vazhdoi përditë, për vite të tërë, al Kaeda dhe më pas ISIS u shfaqën si mbrojtësit e tyre. Sunitët janë pakicë në Irak, por shumicë në Siri. Pa besimin dhe bashkëpunimin e tyre, nuk mund të presësh dëbimin e ISIS-it. Dhe sunitët nuk u besojnë kurdëve. Kurdët në Siri kanë bashkëpunuar me regjimin që nga fillimi – ose të paktën kanë rënë dakord të mos luftojnë njëri-tjetrin.

Dhe kurdët janë më të interesuar për të krijuar atdheun e tyre në veri të Sirisë, që e quajnë Rojava. Kjo do të thotë që, kur ata të çlirojnë toka nga ISIS, nuk është e garantuar që do të mirëpresin menjëherë, sunitët që jetonin dikur në ato troje.

Edhe në Irak është problem: një komandant kurd që takova pranë Sinjarit javën e kaluar, më tha se i dikuj sikur të gjithë arabët sunitë përreth zonës ishin mbështetës të ISIS-it.

Shtimi i këtij mosbesimi është një pengesë për ata që mbrojnë përdorimin e kurdëve, si një forcë tokësore kundër ISIS-it. Nuk mund të presësh që të sulmosh Raqqan, një qytet arab sunit, të largosh ISIS-in dhe më pas të jesh në gjendje të administrosh një popullsi të madhe, sunite. Mbrojtësit e kurdëve thonë që ata munden, dhe shtrojnë argumentin që të gjithë palët kundër ISIS-it janë sirianë, dhe ata kanë bashkëjetuar në të kaluarën. Por do të jetë një sfidë.

Arabët sunitë janë të domosdoshëm – dhe ka shumë pak prej tyre, me të cilët SHBA do të donte të bashkëpunonte.

  1. Turqia është pjesë e problemit, ndonëse është në NATO

Ishte dështimi i Turqisë për të ndalur xhihadistët që vërshuan drejt Sirisë në vitin 2013, që mundësoi rritjen e ISIS-it. Kufiri Turqi-Siri mbetet i dobët, dhe të hsumtë janë ata që thonë se, turqit janë më të interesuar të luftojnë kurdët në Turqi, Irak dhe Siri, të cilët i konsiderojnë terroristë, se sa të luftojnë ISIS-in. Kjo gjë ka ndryshuar, që kur ISIS-i sulmoi Ankaranë në tetor, dhe është bërë më i dhunshëm në jug të Turqisë.

Por, SHBA iu deshën muaj për të negociuar përdorimin e bazës së Incirlikut në jug të Turqisë, për të bombarduar Sirinë dhe Irakun. Ky ishte një avantazh që Uashingtonit i duhej shumë, për të zvogëluar kohët e fluturimeve dhe rritur saktësinë – e megjithatë, zvarritja ndodhi, ndonëse po negocionte me një aleat të NATO-s.

Nëse kufiri mes Sirisë veriore dhe Turqisë nuk mbyllet, ISIS-i mund të vazhdojë të rifurnizojë “Kalifatin” me rekrutë të rinj dhe të dërgojë atentatorë drejt perëndimit. Mbyllja e atij kufiri 900 kilometra të gjatë është një fillim thelbsor – por ende nuk ka ndodhur.

  1. Strategjia e Obamës tingëllon e lodhur dhe e kompromentuar – por mund të jetë zgjedhja më e mirë

në takimin e G20-ës në Ankara këtë javë, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë më të fuqishme të botës, dukej sikur po përpiqej të justifikonte politikën e tij të sulmeve nga ajri dhe këshilltarëve ushtarakë që stërvisin militantët vendas – një politikë që pak kush mendonte se po funksiononte.

Por sfida e tij, që të tjerët të paraqisnin alternativa të efektshme dhe serioze ishte e fortë.

Pas Irakut dhe Afganistanit, një pushtim ushtarak pa një plan kohor në territor armiqësor nuk ka gjasa të mirëpritet nga publiku amerikan – sdo e kënaqshme mund të tingëllojë ideja për disa politikanë.

Sulmet nga ajri dhe forcat speciale i dobësojnë kryengritjet e tilla, siç e pamë në Afganistan. Disa zyrtarë perëndimorë kanë pranuar se sulmet e netëve kundër talebanëve ishin në fakt shumë të efektshëm, duke shkatërruar strukturën e komandë.

Obama thotë se do të duhet kohë, dhe kjo është e papranueshme, si për parizienët që kërkojnë shpagim, ashtu edhe amerikanët, të cilët duan që SHBA të rimarrë rolin udhëheqës në mposhtjen e terroristëve.

Por sfida e presidentit për alternativa të qarta nuk ka marrë ende një përgjigje koherente. Shtëpia e Bardhë ka vitet që përballet me këtë realitet, fillimisht duke e injoruar, më pas duke u përpjekur të qëndrojë jashtë, edhe atëherë kur vijat e saj të kuqe për armët kimike shkeleshin, dhe tani duke u përpjekur për ta frenuar.

Koha për një ndërhyrje të kollajtë ishte në vitin 2012, përpara ISIS-it, kur rebelimi në Siri ishte i moderuar dhe regjimi i Asadit nuk mbështetej kaq fuqimisht nga Rusia. Tani gjërat kanë ndryshuar. Eshtë shumë vonë.

  1. Duhet një zgjidhje lokale, për atë që duket si një luftë rajonale me përfaqësim

ISIS është një organizatë radikale, nihiliste, e cila përdor boshllëkun e kaosit në Siri dhe Irak për të gjetur strehë. Ky kaos është shkaktuar nga beteja më e madhe mes Iranit dhe Arabisë Saudite (shpesh herë me shtete të tjerë të Gjirit), që kërkojnë të vendosin supremacinë e tyre në rajon.

Të dy këta shtete kanë udhëheqje të plakur, popullsi shumë të mëdha të rinjsh, ulje të të ardhurave prej shitjes së naftës, dhe si rezultat shohin ndryshime gjithëpërfshirës në horizont, për të gjithë rajonin. Ata kërkojnë të dalin para tjetrit, sa më shpejt që të munden.

Por në Irak, Perëndimi ka treguar se është e kotë të pushtosh, rimodelosh dhe administrosh një vend të Lindjes së Mesme. Arabia Saudite dhe Irani e dinë këtë, dhe nuk e shohin si një mundësi në të ardhmen.

Strategjia diplomatike e SHBA e pranon gjithashtu këtë kacafytje rajonale, prandaj edhe mbështesin bisedimet e udhëhequra nga OKB në Vienë, për të shtyrë Iranin dhe Arabinë Saudite që të ulen në të njëjtën sallë bisedimesh dhe të bien dakord për pikat themelore mbi të ardhmen e Sirisë.

Konsensusi më i fundit bëri që OKB, SHBA dhe Rusia të deklarojnë se mbështetësit e grupeve të ndryshëm në Siri, do i detyronin “përfaqësuesit” e trye në konflikt që të respektojnë çdo nismë për armëpushim nga OKB. Eshtë një mundësi e largët dhe shumë optimiste, por merret me rrënjën e problemit: me nivelin e mbështetësve të grupeve militante në Siri, dhe jo ushtarakisht në terren.

Shkurt, vetë rajoni duhet të lodhet nga lufta dhe kaosi, dhe duhet të kërkojë të negociojë për t’i dhënë fund, pasi Perëndimi nuk do të jetë në gjendje të imponojë një zgjidhje.

A ka ndonjë lajm të mirë?

Një krahasim i vogël historik me ISIS-in është regjimi i Kmerëve të Kuq. Ata nuk sulmuan Perëndimin, është e vërtetë, por ata ishin njësoj nihilistë dhe të egër gjatë sundimit të shkurtër në Kamboxhia, pas kaosit që shkaktoi Lufta e Vietnamit. Pas disa vitesh tmerri, Kmerët e Kuq u gjendën të izoluar, të paaftë për të ushqyer popullsinë që kishin brutalizuar, e si pasojë, dalëngadalë u shembën. Për këtë duhet kohë, siç thotë dhe Obama – dhe kjo nuk është diçka që, ata njerëz në rrugët e kryeqyteteve të Europës, do të donin t’ia jepnin ISIS-it në këtë moment./CNN

Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button