Grupi kalifornian i rrokut, Eagles of Death Metal kishte një orë që luante në shfaqjen e 13 nëntorit, ku të gjithë biletat ishin shitur, në sallën e koncerteve Bataclan në Paris. Në ato momente, disa persona të armatosur hynë brenda dhe nisën të qëllojnë. Mes të parëve që kuptoi se çfarë po ndodhte ishte inxhinieri i zërit i grupit, Shaun London, që po punonte pranë portës kryesore. Ai mendoi se ishin fishekzjarre, më pas pa fansa që binin përtokë. “Plagosje. Vdekje. Dhe pastaj, njerëz që vraponin”, kujton London në një intervistë për Vice, në të parën intervistë që ka dhënë grupi pas sulmeve. “Nuk kishte ku të shkoje”. Inxhinieri i zëri pa drejt e në sy një prej personave të armatosur. “Dhe ai më nguli sytë mua”, thotë London. “Dhe më qëlloi, por jo në shenjë”. Plumbat goditën pajisjet e tij. Londoni u shtri menjëherë dhe u bashkua me të tjerët, teksa terroristi vazhdonte të qëllonte. “Ai qëndroi aty dhe vazhdoi të qëllojë dhe të thërrasë ‘Allahu Akbar’, me sa kishte në kokë. Pikërisht në atë moment e kuptova se çfarë po ndodhte”. Në skenë, secili pjesëtar i grupit u mbërthye nga paniku, duke zgjedhur rrugë të ndryshme që më në fund i nxorrën nga klubi. Një prej punonjësve të tyre, Nick Alexander, ishte mes atyre 89-ëve që gjetën vdekjen. Ja dëshmitë e pjesëtarëve të grupit.
Eden Galindo, kitarist
Galindo mendoi se të shtënat e para ishin fishekzjarre. Kur u bë e qartë se ishin të sulmuar, këngëtari Jesse Hughes, një bashkëthemelues i grupit, rendi drejt tij. Së bashku u strukën në një qoshe të skenës. “Nuk ishim të sigurtë në kishin ne në shënjestër, apo çfarë po ndodhte”, thotë Galindo. Pas pak, një anëtar i grupit që quhet Boot vuri re që atentatori që ndodhej mëpranë ishte ndalur për të rimbushur automatikun. “Ai thirri: Shkojmë! Dhe pastaj ne u ngritëm, dhe dolëm jashtë skene”. Galindo tha se ai dhe Hughes u ngjitën lart për të gjetur të dashurën e Hughes, Tuesday Cross. Ajo nuk ishte aty. U kthyen dhe kërkuan një rrugëdalje.
Matt McJunkins, basist
“Kur nisën të shtënat, hodha basin në tokë dhe u fsheha për një sekondë, prapa perdeve”, thotë McJunkins. Më pas vrapo drejt derës, ku po qendronte menaxheri i grupit. Ajo të çonte në një dhomë, por jo tek dalja. Ata u futën brenda, ku shumë njerëz, shumë prej të cilëve të palgosur, po fshiheshin. Dikush e bllokoi derën me karrike. Një tjetër gjeti një shishe shampanjë, që ta përdorte si armë. “të shtënat vazhduan për 10, 15 minuta”, thotë McJunkins. “më pas u ndalën dhe patëm një ndjesi çlirimi, por ato nisën sërish. Dhe më pas dëgjuam një shpërthim”. Më pas, ai mësoi se një prej atentatorëve kishte hedhur veten në erë.
Julian Dorio, bateri
Dorio kujton se tëgjoi të shtënat dhe ndjeu erën e barutit. Ai u fsheh pas baterisë dhe u përpoq të shohë se ç’po ndodhte. ‘Pashë dy persona te dera kryesore, dhe mund të ketë qenë gjëja më e tmerrshme, ata që qëllonin pa dallim mbi audiencën”, thotë Dorio. Ai shkoi zvarrë deri tek qoshja e skenës dhe dëgjoi Boot, pjesëtarin, që thirri “Shkojmë!” Më pas ndoqi pas Galindon dhe Hughesin.
Jesse Hughes, këngëtar
Prioriteti i Hughes ishte të gjende Cross, të dashurën e tij. Hapi derën për në dhomën e zhveshjes, por ishte bosh. Më pas doli në holl. “Aty pashë atentatorin, dhe ai u kthye nga unë”, thotë Hughes. “Ai uli armën, dhe tyta goditi kornizën e derës. Thashë me vete: Oh, mos dhe u ktheva”. Kishte njerëz pas tij, që e ndiqnin. “Unë thirra: Jo, jo, jo, mos ejani këndej, mos dhe filluam të gjithë të zbrisnim”. Më pas gjetën një derë që të çonte përjashtë, por Hughes hezitoi, duke menduar për të dashurën. Por më pas, ai dëgjoi zërin e saj. Për një moment, u ndie i çliruar. Më pas pa njerëz që vinin nga qoshja. ‘Njerëzit as nuk dinin se çfarë të bënin”.
Shaun London, inxhinier zëri
London, që përpiqej të gjente një vend ku të futej bashkë me të tjerët, u përpoq të bindte një grua që të pushonte së thirruri. Ata dëgjuan atentatorin që u ndal të rimbushte armën, por nuk nxituan aq sa duhej që të iknin. Kështu që pritën për disa të shtëna të tjera. Kur ai u ndal ta mbushë sërish, u ngritën dhe vrapuan. Ai shtyu gruan e plagosur drejt derës. Më pas, atentatori u kthye nga ata. Plumbat goditën murin pranë tyre teksa vraponin për të dalë. Londoni zgjati dorën te një prej dyerve prej xhami, por sapo do ta prekte, ajo u bë copë e çikë. Ata vazhduan të rendin, deri sa dolën nga dera”, thotë London. “Na u desh të vrapojmë mbi trupa të vdekurish”. Më pas, anëtarët e grupit e gjetën njëri-tjetrin dhe shkuan në stacionin e policisë.
Së bashku, ata premtojnë se do të rikthehen në Paris. “Dua të jem grupi i parë që do të luajë në Bataclan kur të rihapet”, thotë Hughes. “Sepse isha aty kur e pushtoi heshtja për një minutë. Miqtë tanë shkuan atje të shohin rrok, dhe vdiqën. Do të rikthehem të luaj atje”./Bota.al