Letersi

“Edhe kur kujtesa”, poezi nga Ismail Kadare. Kush e ka përjetuar ndarjen, duhet ta lexojë

Kjo është një ndër poezitë më të bukura nga Ismail Kadare. Trajtohet ndarja dhe në pak rreshta ndihet dhimbja e thellë e autorit për vajzën, nga e cila po largohet. Duket si një kundërshtim me veten që autori ndarjen e konsideron fillimisht “asgjë të jashtëzakonshme”, dhe më pas shpreh xhelozinë se dikush tjetër do ta ledhatojë vajzën që do, por që nuk do të jetë vetë ai. Kjo është ndoshta dhimbja më e madhe në një ndarje, jo vetë procesi i ndarjes, por mendimi se dikush tjetër do ta ketë personin që ti dikur ke dashur (dhe që ende mund ta duash)…

Edhe kur kujtesa

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Une ty s’do të harroj.

Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë…

Back to top button