Bota

Edhe pse në kohë lufte, NATO e ka shumë të vështirë të zgjedhë drejtuesin e ri

Nga Lili Bayer

“Politico.eu”

Për momentin është thashethemi kryesor që qarkullon në korridoret e Brukselit:Drejtuesja më e lartë e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, mund të lërë këtë post për të drejtuar NATO-n. Dhe ky propozim duket logjik. Zonja Von der Leyen ka një marrëdhënie të mirë pune me Uashingtonin.

Ajo është ish-Ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë. Dhe si presidente e Komisionit Evropian,  ka një përvojë të gjatë pune me shumicën e krerëve të qeverive të vendeve të NATO-s. Për më tepër nëse do të zgjidhej në këtë detyrë, do të bëhej udhëheqësja e parë femër e aleancës. Diskutimet mbi këtë çështje janë shtuar javët e fundit, teksa Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, do të lërë detyrën në fund të shtatorit.

Megjithatë, sipas atyre që punojnë dhe kanë informacione brenda NATO-s dhe Komisionit Evropian, këto zëra janë më shumë dëshira sesa sugjerime konkrete për një ndryshim të pritshëm në krye të aleancës veri-atlantike. S’ka asnjë provë që zonja Von der Leyen është e interesuar për këtë post, dhe në Bruksel nuk presin që ajo të japë dorëheqjen përpara se të përfundojë mandati i saj i parë në vitin 2024.

Të njëjtat zëra qarkullojnë rreth kryeministrit holandez Mark Rutte, një udhëheqës me përvojë që i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara, por që këmbëngul se nuk e dëshiron këtë post. Këto spekulime tregojnë gjithsesi se sa shumë e ka ndryshuar NATO-n pushtimi rus i Ukrainës, dhe se kush mund ta udhëheqë atë.

Lufta e ka vendosur aleancën në qendër të vëmendjes, duke e bërë këtë post shumë më të rëndësishëm se sa në të kaluarën. Dhe befas aleatët janë bërë shumë më të kujdesshëm se cilët kandidatë duan që të mund të shprehen për ta.

Prandaj këto zëra synojnë më shumë të tregojnë se cilët janë kandidatët idealë për disa grupime dhe të testojnë idetë, sesa të nxisin ndonjë negociatë të vërtetë. “Sa më shumë emra që qarkullojnë, aq më e qartë është se në fakt nuk ka një kandidat potencial”- më tha një diplomat i lartë evropian në kushte anonimiteti.

Një diplomat tjetër i lartë bie dakord me të: “Aktualisht ka shumë thashetheme. Por në këtë fazë nuk ka asnjë gjë konkrete”. Zyrtarët thonë se shefi i ardhshëm i NATO-s duhet të jetë një evropian që mund të bashkëpunojë ngushtë me cilindo që është në Shtëpinë e Bardhë.

Por jo vetëm kaq. Kreu i ardhshëm i NATO-s duhet të jetë dikush që duhet ta mbështesë Ukrainën, por të mos jetë aq i ashpër sa t’i frikësojë vendet që shqetësohen për pasojat e provokimit të Rusisë. Dhe ai duhet të ketë një staturë të nivelit të lartë – me gjasë të jetë një ish-kryetar shteti ose qeverie – që të mund të marrë mbështetjen unanime nga 31 kryeqytete dhe më e rëndësishmja nga SHBA-ja.

Në fakt lista nuk është e gjatë. Von der Leyen është në të, por kandidatura e saj përballet me disa pengesa. E para është koha. Nëse Stoltenberg e lë detyrën në vjeshtë siç është planifikuar, zëvendësimi i tij do të ndodhte një vit përpara se të përfundojë mandati i Von der Leyen në krye të KE-së në fundin e vitit 2024.

Madje ajo mund të kërkojë edhe një mandat tjetër 5-vjeçar. “Unë nuk mendoj se ajo nuk do të bëjë asgjë para përfundimit të mandatit të saj”- deklaroi zyrtar i lartë i Komisionit Evropian, që foli gjithashtu në kushte anonimiteti. Për këtë arsye, ka shumë spekulime se shefit aktual të NATO-s mund t’i kërkohet të qëndrojë në detyrë, të paktën për pak kohë më shumë, derisa një kandidat si Von der Leyen të shfaqet në një fazë të mëvonshme.

“Nëse mandati i Stoltenberg do të zgjatet deri në verën e ardhshme, kandidatura e Ursula von der Leyen do të dukej logjike”- shtoi një diplomat tjetër evropian. Por në një intervistë me POLITICO javën e kaluar, Stoltenberg shfaqi dëshirën për t’u kthyer në shtëpi.

Shefi i NATO-s ka qenë në detyrë për më shumë se 8 vjet, mandati i dytë më i gjatë në historinë 7-dekadëshe të aleancës. I pyetur për zërat se ai mund të vazhdojë në këtë detyrë, Sekretari i Përgjithshëm u përgjigj në një mënyrë sarkastike: “Së pari, ka shumë më tepër çështje në botë që janë shumë më të rëndësishme se sa kjo. Së dyti, plani im është të rikthehem në Norvegji. Unë kam qenë këtu për një kohë të gjatë”.

Aleanca është e ndarë mbi këtë çështje. Disa vende – sidomos ato jashtë BE-së – do të preferonin një vendim të shpejtë për të shmangur ndërhyrjen në zgjedhjet e vetë BE-së të vitit 2024. Frika, tha një diplomat i katërt evropian, është që NATO mund të bëhet një “çmim ngushëllues në politikën evropiane”, ndërsa liderët bëjnë pazare se kush do të drejtojë institucionet kryesore të BE-së.

Një sfidë tjetër për Von der Leyen është historia e Gjermanisë mbi shpenzimet në mbrojtje, dhe rekordi i saj si Ministre e Mbrojtjes e këtij vendi. Një dekadë më parë, vendet e NATO-s u zotuan të shkojnë drejt shpenzimit të 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm për mbrojtjen deri në vitin 2024.

Por pavarësisht se është ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania ka dështuar vazhdimisht ta përmbushë këtë zotim, edhe pasi shpalli caktimin e një fondi prej 100 miliardë eurosh vitin e kaluar për të modernizuar ushtrinë e saj.

Për më tepër, disa analistë thonë se Von der Leyen mban njëfarë përgjegjësie për gjendjen relativisht të dobët të mbrojtjes së Gjermanisë. Nga këndvështrimi i qeverisë gjermane, qëndrimi i Von der Leyen në krye të Komisionit Evropian mund të jetë një prioritet më i madh sesa NATO-ja, edhe pse ajo vjen nga opozita aktuale e qendrës së djathtë.

Ekzekutivi i BE-së është ndoshta më i fuqishëm se sa shefi i NATO-s brenda Evropës, duke nxitur politika që prekin pothuajse çdo cep të jetës. Siç mund të parashikohej, vetë Komisioni Evropian hedh zyrtarisht hedh poshtë çdo spekulim. “Presidentja nuk është kandidate për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Ajo nuk ka asnjë koment mbi spekulimet”- tha të hënën një zëdhënës i Komisionit për POLITICO.

Por kush tjetër mund ta bëjë këtë punë? Ashtu si me Von der Leyen, është e paqartë nëse disa emra të tjerë që po qarkullojnë janë të disponueshëm për ta marrë këtë detyrë. Kryeministri holandez Rutte ka hedhur poshtë spekulimet për një rol udhëheqës në NATO, duke u thënë gazetarëve në janar se ai donte “të largohej nga politika dhe të bënte diçka krejtësisht të ndryshme”.

Një zëdhënës i kryeministrit përsëriti këtë javë se pikëpamja e tij nuk ka ndryshuar. Megjithatë njerëz pranë tij thonë se kandidatura e udhëheqësit holandez nuk duhet të përjashtohet plotësisht. Në detyrë që nga viti 2010, Rutte ka një përvojë të konsiderueshme duke punuar me liderët e aleancës, teksa është një promotor i një lidhje të ngushtë transatlantike.

Ndërkohë edhe Holanda është shumë e fortë në sektorin e mbrojtjes. Ajo ka qenë një nga donatorët më të mëdhenj të Evropës për Ukrainën, por gjithsesi jo aq shumë sa vendet e krahut lindor të aleancës. “Emri i Rutte vazhdon të qarkullojë lidhur me këtë çështje. Por përtej thashethemeve nuk ka asnjë lëvizje konkrete”- më tha diplomati i dytë i lartë evropian.

Emrat e tjerë të përmendur herë pas here si kandidatë të mundshëm janë kryeministrja estoneze Kaja Kallas, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, disi më pak Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace, zëvendëskryeministrja kanadeze Chrystia Freeland, presidenti rumun Klaus Iohannis dhe presidentja sllovake Zuzana Čaputová.

Por pavarësisht thashethemeve, zyrtarët e pranojnë se shumë prej këtyre emrave nuk janë politikisht të zgjedhshëm në këtë fazë. Për shembull Kallas perceptohet si tepër radikale. Anasjelltas, Kanadaja dhe disa vende të Evropës Jugore shihen nga brenda aleancës si “ngelës” sa i përket investime në mbrojtje.

Pastaj është edhe fakti që disa kryeqytete do të kundërshtonin një kandidat që nuk vjen nga BE, duke e komplikuar shumë kandidaturën e Wallace. Për këto arsye, një figurë e lartë nga një vend verior ose perëndimor i BE-së duket profili më i mundshëm për një kandidat të suksesshëm.

Megjithatë, tani për tani, se kush do të ishte ai person kjo mbetet ende një mister. Gjithsesi, zyrtarët kanë një afat kohor: samitin vjetor të NATO-s që do të mbahet në muajin korrik. “Atje ose do të shpallet emri i Sekretarit të të Përgjithshëm të aleancës ose do të zgjatet mandati i Jens Stoltenberg”- tha një diplomat i pestë i lartë evropian, sërish në kushte anonimiteti.

Back to top button