Edward Snowden ka dhënë alarmin se Agjencia Amerikane e Sigurisë (NSA) është duke përcjellë të gjithë përdoruesit e Bitcoin në gjithë botën dhe se ka pasur një burim sekret të informacionit, i cili do të ndihmonte për t’u hyrë në gjurmë personave që dërgojnë dhe pranojnë Bitcoin.
Të dhëna të tilla ua mundësuan agjencisë që të mbledhë dhe analizojë të dhënat në lidhje me internetin botëror, duke përdorur softuerë, të cilët siç thuhet ofrojnë anonimitet për shfrytëzuesit, thuhet në raportin e NSA-s nga marsi i vitit 2013, përcjell Telegrafi.
NSA ka mbledhur të dhënat për përdoruesit e Bitcoin dhe se shifrat e llogarive të tyre ndodhen në internet, si dhe numrat për identifikimin e pajisjeve të tyre në rrjet – adresat MAC.
Programi sekret NSA, i cili ka qenë i përfshirë në monitorimin e Bitcoin, kishte emrin e koduar “OAKSTAR” dhe mundëson monitorimin e komunikimit dhe mbledhjen e të dhënave të transmetuara me kabllo optike.
Gjithashtu, dokumentet lënë të kuptohet se NSA mund të ketë përdorur sistemin XKeyScore – një sistem i fuqishëm global i monitorimit të internetit i cili u ekspozua për herë të parë në 2013 kur Snowden zbuloi dokumente të klasifikuara rreth aktivitetit të mbikëqyrjes së NSA-së – për të hetuar informacionin e përdoruesit të Bitcoin.
Lajmi vjen në një kohë kur qeveria amerikane ka shprehur shqetësime nëpërmjet ligjvënësve dhe agjencive të zbatimit të ligjit lidhur me përdorimin e paligjshëm të kriptovalutave në financimin e terrorizmit dhe pastrimin e parave. /Telegrafi/