Ekonomi

EKONOMI / Boshti i Amerikës, kthesë për nga Europa

Clemens Wergin

america needs a pivotA e mbani mend boshtin e Amerikës dhe zhvendosjen drejt Azisë? Vetëm pak më shumë se 3 vjet më parë, Presienti Obama shpalli që Uashingtoni do të riekuilibronte burimet e tij drejt një pjese të botës ku, besohej se do të zhvilloheshin betejat vendimtare të shekullit 21.

Atëherë u duk se kishte kuptim. Kina ishte lajmi i madh. SHBA ishin lodhur me Lindjen e Mesme. Dhe Europa, më në fund e paqësuar pas Luftës së Ftohtë dhe konflikteve në Ballkan, nuk dukej se paraqiste ndonjë sfidë të madhe në kuptimin e sigurisë.

Por sot, duket se zhvendosja drejt Azisë është anuluar. Lindja e Mesme, me revolucionet dhe vakuumin e fuqive, është duke e “thithur” sërish Amerikën. Ndërkohë, dështimi i Bashkimit Europian për të ndalur pushtimin e Krimesë nga Rusia, nënkupton që SHBA është tërhequr edhe një herë në politikën kontinentale, teksa në horizont shfaqet mundësia e një tjetër Lufte të Ftohtë. Dhe tani, si Europa edhe SHBA po bëjnë një përpjekje të heshtur revolucionare, për të rishkruar rregullat e tregtisë transalantike.

Ky është një rikthim i jashtëzakonshëm i Amerikës. Gjatë krizës së Euros, SHBA ishin kryesisht të munguara – pjesërisht për shkak të mungesës së burimeve financiarë, dhe pjesërisht, me sa duket për shkak të frustrimit me mënyrën e rrëmujshme me të cilën Unioni u përpoq të shpëtonte vetveten.

Në mesin e asaj krize, udhëheqësit europianë me mbështetjen e Amerikës, parashtruan idenë e një zone të lirë transtalantike për tregtinë, si një mënyrë për t’i dhënë shtysë rritjes ekonomike me më shumë shpenzime stimulues. “Me krizën, menduam që ishte momenti i duhur për të bërë dicka”, kujton Ëilliam Kennard, ambasadori i Amerikës në BE në atë kohë.

Negociatat zyrtare për Partneritetin Transatlantik për Tregti dhe Investime nisën në mesin e 2013-ës. Por ajo që në fillim u pa si një cështje kryesisht ekonomike, tashmë është transformuar në një sipërmarrje strategjike. Rikthimi i Rusisë do të thotë që Perëndimit i duhet të gjejë një mënyrë për të koordinuar dhe konsoliduar interesat e tij. Në këtë kuptim, partneritet është projekti më ambicioz deri sot, për të lidhur të dy anët e Atlantikut në një union Perëndimor më të përsosur, si dhe për t’i shtuar një kolonë ekonomike, asaj ushtarake të përfaqësuar prej NATO-s.

Sërish, procesi ka qenë i ngadaltë dhe i mbushur me tensione. Në mesin e marsit, ndërkohë që po kryhej raundi i katërt i negociatave në Bruksel, bëra një udhëtim në Bruksel dhe Uashington për të parë vetë bisedimet. Mu krijua përshtypja që ka shumë vullnet të mirë nga të dy palët, por që djalli fshihet në detaje.

Partneriteti nuk është një marrëveshje tregtare e zakonshme. Eshtë dicka shumë më e madhe. Synimi i tij është të vendosë rregulla dhe rregullore për të ulur pengesat e aksesit në treg, sidomos për bizneset e vegjël dhe të mesëm, që ofrojnë pjesën më të madhe të vendeve të punës në SHBA dhe Europë.

Më e rëndësishmja, ai do të ofrojë një kuadër standartesh të përbashkët për negociatat mbarëbotërore në të ardhmen. “Ne jemi ata që vendosim rregullat në botë dhe pikërisht kjo ide është në qendër të këtyre negociatave”, tha ekonomisti Andre Sapir, i cili punon për Bruegel, një think tank në Bruksel. Sapir vlerëson se të dy palët janë përgjegjëse për 80 përqind të rregullave dhe rregulloreve në botë.

Madhësia e detyrës së koordinimit të të gjithë këtyre rregullave dhe rregulloreve, si dhe rëndësia për ta bërë si duhet, e bëjnë më të vështirë përparimin.

Por sfidat shkojnë shumë përtej kompleksitetit të marrëveshjes. Të dy palët ishin mësuar që të kishin përballë partnerë tregtarë më pak të fuqishëm, të cilët zakonisht përshtateshin me kërkesat e partnerit më të madh. Të dy palët po përpiqen të krijojnë mbrojtje – SHBA kërkon të përsjashtojë shërbimet financiarë sepse i druhet një zbehje të reformave Dodd-Frank, ndërkohë që Europa ka përjashtuar median audiovizive, për të mbrojtur industrinë e saj të filmit. Dhe bisedimet kanë ngecur tek kapitulli i investimeve, për shkak të kundërshtimit të gjermanëve për rregullat që përcaktojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Mund të ketë arsye të mira prapa cdo pozicioni, por kjo lloj qasjeje është mënyra e përsosur për të zvogëluar një projekt të madh dhe të guximshëm.

Por, në fusha të tjera kriza e Ukrainës ka ndihmuar për fokusimin e bisedimeve. Europa dëshiron një kapitull për energjinë që do të hiqte kufizimet ndaj eksporteve të naftës dhe gazit amerikan, me qëllim që Kontinenti të jetë më pak i varur nga eksportet rusë – një hap që Presidenti Obama e ka mbështetur.

Marrëveshja e tregtisë ka kritikët e saj në të dy anët e Atlantikut. Por ajo nuk është thjeshtë një ide e mirë. Ajo është e domosdoshme për të ardhmen e Perëndimit.

Ajo do të nxisë rritjen ekonomike dhe do të ulë kostot e biznesit transatlantik. Por më e rëndësishmja, ajo do të eleminojë idenë që Perëndimi është në rënie.

Fuqia e shteteve dhe aleancave nuk është vetëm tek shifrat, por edhe tek perceptimet, dhe një marrëveshje e suksesshme është një mënyrë e rëndësishme për t’i thënë botës se Perëndimi është gjallë dhe i gatshëm për të riformësuar rendin botëror, si dhe që në këtë përpjekje ai është i bashkuar.

Krizat ekonomike të viteve të fundit dhe rikthimi i një Rusie luftëdashëse kanë detyruar Perëndimin të rifokusojë objektivat e tij. Eshtë një shans që Europa dhe SHBA nuk duhet ta humbasin.

CLEMENS WERGIN është Redaktor i grupit gjerman të gazetave Die Welt dhe autor i blogut “Flatworld”

Leave a Reply

Back to top button