Ekonomi

Ekonomistët mendojnë ende se ekonomia është më e mira

Pavarësisht se dështuan në parashikimin e krizës më të rëndë financiare që nga Depresioni i Madh, udhëheqësit e fushës sërish nuk po arrijnë ta kërkojnë urtësinë përtej kufijve të saj

Screen Shot 2015-04-20 at 09.28.08

MOISÉS NAÍM

Dhjetë vjet më parë, një vëzhgim i botuar në Revistën e Perspektivave Ekonomike arriti në konkluzionin se 77 përqind e kandidatëve për doktoraturë në programet kryesorë ekonomikë në Amerikë binin dakord se “ekonomia është më shkencorja, ndër shkencat sociale”.

Në dekadën që pasoi, një krizë e rëndë ekonomike shkundi ekonominë globale, dhe shumica e ekonomistëve as që e parashikuan. Megjithëkëtë, shumë pak gjëra kanë ndryshuar: Një studim i ri nga e njëjta revistë zbulon se si ekonomistët vazhdojnë të vesojnë se shkenca e tyre është superiore ndaj të gjithë shkencave të tjera sociale, si shkenca politike, sociologjia, antropologjia etj. Ndërkohë që mund të ketë qëllime afrimi me disiplinat e tjera me qëllim që të pasurojnë teoritë e tyre (sidomos psikologjinë dhe neuroshkencën), e vërteta është që ekonomistët studiojnë – dhe citojnë – pothuajse ekskluzivisht njëri-tjetrin.

Autorët e artikullit, Marion Fourcade, Etienne Ollion dhe Yann Algan kanë parë 25 publikimet më të respektuar në të tre disiplinat: ekonomi, politikë dhe sociologji. Ata zbuluan se mes viteve 2000 dhe 2009, “Përmbledhja Ekonomike Amerikane”, revista më prestigjoze mbi ekonominë, ka publikuar artikuj ku 40 përqind e citimeve i referoheshin 24 botimeve të tjerë të mëdhenj ekonomikë. Ndërkohë, 0.8% e citimeve i referoheshin revistave të shkencave politike dhe vetëm 0.3 përqind botimeve mbi sociologjinë. Kjo, për të thënë se në të gjithë tekstet e botuar në 50 prej revistave më të mira të shkencave sociale gjatë dhjetë viteve të fundit, ekonomistët gjetën vetëm 1% të artikujve që ia vlente të përmendeshin.

Ka edhe më. Kur pyeteshin në lidhje me mendimin e tyre, pasi dëgjonin këtë pohim: “Në përgjithësi, njohuria ndërdisiplinore është më e mirë se sa njohuria që përftohet nga një disiplinë e vetme”, shumica (57%) e profesorëve amerikanë të ekonomisë nuk binin dakord. Në të kundërt, shumica e kolegëve të tyre në sociologji (75%) dhe shkencave politike (72%) binin dakord se qasja ndërdisiplinore është e preferueshme.

Por ekonomistët nuk i përçmojnë të gjithë disiplinat e tjera; fushat e financës dhe biznesit duket se janë shumë të preferuara. Ndërkohë që ekonomistët i përmendin gjithnjë e më pak shkencat e tjera sociale, citimet e artikujve të botuar në revista akademike për financën kanë pësuar një rritje të madhe. Dhe kur ekzaminojnë se ku janë të punësuar shumica e autorëve që shkruajnë në “Përmbledhjen Ekonomike Amerikane”, Fourcade, Ollion dhe Algan kanë zbuluar se në vitet 1950 vetëm 3.2% e autorëve punonin si profesorë në shkolla biznesi. Por në dekadën pas vitit 2000, kjo përqindje është rritur në 18.

Luigi Zingales, një ekonomist i respektuar dhe profesor i financës në Shkollën e Biznesit të Universitetit të CHicagos i cituar në dokumentin e “Përmbledhjes Ekonomike Amerikane” shpreh shqetësimin se afërsia e kolegëve të tij ekonomistë me botën e biznesit dhe financës do të rrezikojë pavarësinë e tyre dhe do të ketë ndikim të madh në axhendën e tyre, ashtu sikurse dhe në konkluzionet dhe rekomandimet. Për shembull, ZIngales ka zbuluar se, kur profesorët akademikë nuk janë të punësuar në shkolla biznesi, artikujt e tyre kanë më pak gjasa që të justifikojnë shpërblimet e lartë për drejtuesit e kompanive, dhe në fakt gjithnjë e më shumë e gjykojnë të gabuar. Nga ata që janë vëzhguar, dy të tretat e sociologëve dhe një e treta e ekonomistëve besojnë se drejtuesit e kompanive private marrin pagë të tepruar. Pak profesorë të financës bien dakord me këtë pohim.

Bota po vazhdon të jetojë ende me pasojat e krizës më të fundit ekonomike, si dhe paaftësisë së ekonomistëve për të ofruar zgjidhje në mënyrë të dakordësuar, tregon se sa urgjente është që në disiplinën e trye të injektohen ide, metoda dhe supozime të reja për sjelljen njerëzore. Fatkeqësisht, ka pengesa të mëdha që kjo të realizohet: kontrolli i elitave dhe mungesa e diversitetit gjinor. Fourcade dhe bashkëautorët e tij tregojnë se si një grup relativisht i vogël studiuesish të përqëndruar në katër departamente universitarë (MIT, Harvard, Chicago dhe Princeton) kanë një ndikim shumë të madh në atë që botohet, cilat metoda kërkimore janë të pranueshme dhe kush i merr punët më të lakmuara. Sa për grupin e kandidatëve për ato vende pune: Ekonomia është pothuajse në fundin e listës së përqindjes së doktoratave që u jepen grave në disiplinat e përzgjedhura, mes viteve 1966 dhe 2011. Vetëm në shkencat fizike, gratë kanë marrë më pak doktorata se sa në ekonomi.

Dhjetë vjet më parë, unë sugjeroja që ekonomistët “do të bënin mirë të hiqnin dorë nga mendmjemadhësia e tyre intelektuale dhe të merrnin një pozicion më të përunjur”. Një këshillë që ende duhet të merret parasysh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close