Analiza

Ekzekutimi i gazetarit nga ISIS alarmon botën

ekzekutimiPerëndimi është mobilizuar pas publikimit të një videoje në të cilën pretendohet se tregohet prerja e kokës së gazetarit amerikan, James Foley, nga xhihadistët e Shtetit Islamik Militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë (ISIS) e kanë publikuar një video, në të cilën pretendohet se gazetarit amerikan, James Foley, i është prerë koka. Foley ishte rrëmbyer në muajin nëntor të vitit 2012 në Siri, nga persona të paidentifikuar dhe të armatosur.
Videoja, e titulluar “Mesazh për Amerikën”, është postuar në rrjete sociale më 19 gusht. “Sot, forcat tuaja ajrore ushtarake po na sulmojnë ne çdo ditë në Irak, sulmet tuaja kanë shkaktuar viktima në mesin e myslimanëve. Ju nuk jeni duke luftuar kundër një kryengritjeje, ne jemi ushtri dhe Shtet Islamik që është pranuar nga një numër i madh i myslimanëve në tërë botën. Pra, çfarëdo agresioni kundër Shtetit Islamik është agresion kundër myslimanëve nga të gjitha sferat e jetës, të cilët e kanë pranuar Kalifatin Islamik”, thotë pjesëtari i maskuar i ISIS në videoxhirim.
Foley ka punuar si gazetar i lirë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP, dhe kompaninë mediale amerikane, GlobalPost. Gazetari ka mbuluar disa zona të luftës deri më tash. Para tre vjetësh, duke folur për televizionin britanik, Sky News, Foley tregonte për peripecitë në Libi, ku gjithashtu ishte rrëmbyer nga forcat e ish-diktatorit libian, Muammar Gaddafi, për gjashtë javë.
Në pamjet filmike, të publikuara në internet, shihet edhe një person i dytë i gjallë, i identifikuar nga militantët islamikë si reporteri amerikan, Steven Sotloff, i cili është zhdukur në Siri në verën e vitit 2013. Verifikimi i menjëhershëm i autenticitetit të videoxhirimit nuk ishte i mundur.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se inteligjenca amerikane është duke i studiuar pamjet e publikuara, kurse sekretari britanik për Punë të Jashtme, Philip Hammond, ka thënë se Britania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë së bashku dhe se shërbimet e tyre të inteligjencës do ta kontrollojnë me kujdes videon për të verifikuar vërtetësinë e saj, në përpjekje për të identifikuar personin, i cili shihet në video, dhe më pas së bashku do të punojnë që ta lokalizojnë atë.
Kryeministri britanik, David Cameron, është raportuar se ka ndërprerë pushimin e tij për t’u kthyer në Londër që ta shohë videon në fjalë. Presidenti francez, Françoise Hollande, ka thënë se do të propozojë mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Irakun, për atë se si të trajtohet kryengritja e Shtetit Islamik. Hollande ka deklaruar për gazetën franceze Le Monde se “duhet të krijojmë një strategji globale për ta luftuar këtë grup”. Shteti Islamik, një grup militant që synon sundim të linjës ekstreme sipas një Kalifati Islamik, ka okupuar territore të gjëra në Irak dhe Siri.

Leave a Reply

Back to top button