Bota

“Ekzekutimi i gazetares bullgare Marinova dhe pasojat e mundshme”

Menjëherë pas vrasjes së gazetares Viktorija Marinova u dhan vlerësime se ajo është vrarë për shkak të profesionit të saj. Por hetimet po vazhdojnë dhe janë të mundura edhe motive të tjera.

Viktorija Marinova – moderatore televizive nga qyteti bullgar Russe, është përdhunuar brutalisht, është plaçkitur dhe vrarë. Vetëm disa ditë më parë ajo kishte ftuar në programin e televizionit kabllovik TVN për intervistë dy gazetarë investigativë, të cilët folën për korrupsionin dhe shpërdorimet e fondeve të Bashkimit Evropian. Rezultatet shokuese të hulumtimeve të tyre diheshin pak a shumë edhe më parë, por vrasja e saj megjithatë vihet në kontekst me këtë intervistë.

Vrasja nuk të befason shumë, sepse Bullgaria është ndër vendet e fundit për nga liria e shtypit, jo vetëm në BE por edhe në Ballkan. Reporterët pa Kufij e rendisin këtë vend në pozicionin e 111 nga 180 vende. Organizatat ka shprehur shqetësimin e thellë pas vrasjes së gazetares për gjendjen e gazetarëve në këtë vend.

Arrestimi në Gjermani

Policia gjermane arrestoi të martën (10.10) një person nga Bullgaria. Ndërkohë janë shtuar dyshimet se nuk bëhet fjalë për vrasjen e Marinovës si gazetare, por për krim seksual. Megjithatë krimi dhe hulumtimet e gazetares të publikuara në portalin “Bivol” janë rikthyer në qendër të vëmendjes. Prokurori i përgjithshëm bullgar Sotir Zazarov e ka informuar për herë të parë opinionin bullgar për hetimet për pastrim parashë, në vlerë prej 14 milionë Euro. Ende nuk dihet se cilët persona janë të prekur në hetime.

Gazetari gjerman Frank Stier beson, se në të ardhmen do të shikohet me vëmendje se si do të ndahen paratë e fondeve për zhvillimin e Bullgarisë. “Në rastin e një vrasjeje nuk ka asgjë pozitive, por fakt është që vrasja e zonjës Marinova do të çojë në kontrollin shumë më rigoroz të parave nga ana e Komisionit Evropian. Kjo ka të bëjë edhe me hulumtimet e publikuara në portalin ‘Bivol’.”

Reagimi i mediave perëndimore

Edhe Daniel Kaddik, drejtues i Fondacionit Friedrich-Naumann në Sofje thotë se vrasja tragjike e gazetares Marinova ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për gjendjen në Bullgari. “Për shkak të problemeve të mëdha të Bullgarisë me mediat dhe demokracinë është e kuptueshme që të shtrohen dilema, nëse vrasja ka të bëjë me profesionin e saj”. Por ai mendon se nxitimi i mediave perëndimore për ta lidhur këtë vrasje të tmerrshme me profesionin e gazetares është më shumë kontraproduktiv në luftën për lirinë e shtypit dhe lirinë e mendimit.

Gazetar i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ka shkruar në twitter se “disa media perëndimore e kanë lidhur vrasjen e Viktorija Marinova menjëherë me prfesionin e gazetares dhe shkrimet për korrupsionin. Por dëshmitë e deritanishme flasin për një krim të mundshëm seksual.”

Hetimet për këtë vrasje të tmerrshme po vazhdojnë. Bullgaria ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe lirinë e mediave. Këtë e di jo vetëm Komisioni Evropian, por edhe të gjithë në Bullgari. Por ekspertët thonë se tani duhet ruajtur qetësia dhe nuk duhen dhënë vlerësime të nxituara, sepse krimi mund të ketë qenë me motive të tjera. / Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button