Personazhe

Elvis Presli vdiq 41 vjet më parë. Pse shumë njerëz mendojnë se është ende gjallë

Nga Melisa Çan

Elvis Presli, këngëtari legjendar dhe ylli i kinematografisë amerikane, i cili u bë i njohur si mbret i rock & roll, vdiq nga një atak kardiak 41 vjet më parë. Vdekja e tij më 16 gusht 1977, tronditi industrinë e muzikës, dhe pikëlloi miliona fansa të tij në mbarë botën.

Në ditët pas varrimit të tij, u rritën spekulimet në mesin e një grupi të vogël skeptikësh, se Elvis në fakt nuk kishte vdekur. Përkundër deklaratave të qarta të mjekëve, se superstari 42-vjeçar kishte vdekur, skeptikët ishin të bindur se Elvis e kishte falsifikuar vdekjen e tij për t’u fshehur.

Gjatë katër dekadave të fundit, fansat në të gjithë Amerikën e Veriut, kanë këmbëngulur se e kanë parë Preslin në vende dhe kohë të ndryshme. Në vitin 1989, fansat më të thekur të entuziastë të Elvisit, krijuan madje “Shoqatën e Vëzhgimit të Elvisit”, për të monitoruar këto pretendime.

Disa njerëz madje pretenduan se ai u shfaq në sfond në filmin e famshëm të vitit 1990, “Home Alone” (I vetëm në shtëpi). Presli nuk është figura e parë e famshme që kultura jonë populiste e nostalgjisë, ka qenë e paaftë të pranojë vdekjen e tij.

Teoritë e konspiracionit, janë shtuar pas vdekjeve të tjera të personazheve të profilit të lartë, nga vdekja e yllit të Hollivudit Xhejms Din në një aksident automobilistik në vitin 1955, deri tek vdekja e Majkëll Xhekson më 2009-ën, teksa fansat këmbëngulin se idhujt e tyre të famshëm duhet të jenë ende të gjallë.

Disa besojnë se Elvis ishte i lidhur me mafien

Një nga teoritë më të mëdha, se përse Presli mund të ketë inskenuar vdekjen e tij, është sepse ai duhej të shpëtonte nga mafia. Geil Brjuer – Xhorxho, autore e librit bestseller të vitit 1988 “ A është Elvisi gjallë?”, kujton në një intervistë të kohëve të fundit për “Time”, se si ajo konsultoi mijëra dokumente të FBI-së, për të ardhur në përfundim se Presli ishte një hero amerikan, i cili ishte i detyruar të hynte në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

“A e di unë nëse Elvisi është ende gjallë sot? Jo, unë nuk e di këtë. Por di të them se ai nuk vdiq më 16 gusht 1977”. Brjuer – Xhorxho, tanimë 78-vjeçe, tha se FBI-ja e kishte pranuar Preslin si një agjent të fshehtë në vitin 1976, për ta ndihmuar agjencinë të depërtonte në një organizatë kriminale të quajtur “Vëllazëria”, e cila me sa duket përbëhej nga dhjetëra mafiozë.

Ajo thotë se Presli e bëri këtë në mënyrë vullnetare, i nxitur nga dashuria e tij për Amerikën dhe respekti për FBI-në. Autorja theksoi se agjencia kishte kontaktuar me Preslin, pasi një anëtar i “Vëllazërisë” po bënte negociata të hapura me Preslin mbi shitjen e një avioni që zotëronte këngëtari.

Por, kur Presli u gjet i kërcënuar, ai u fut në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, tha Brjuer  Xhorxho, duke cituar atë që ajo tha ishte dëshmi nga dokumentet dhe intervistat e FBI-së. “Elvis e inskenoi vdekjen e tij, përndryshe do të vritej, dhe për këtë nuk ka dyshime”- tha ajo.

FBI nuk bëri menjëherë ndonjë koment mbi pretendimet që Brujer-Xhorxho përshkruan gjerësisht në librin e saj.

Në fakt në më shumë se 760 dosje që agjencia federale ka publikuar në lidhje me këngëtarin ndërmjet viteve mes të viteve 1956 dhe 1980, nuk përmendet që Presli ka ndihmuar në ndonjë rast FBI-në. FBI nuk e hetoi kurrë Preslin, por krijoi një dosje me emrin e tij, pasi kishte qenë objektivi i disa përpjekjeve për grabitje, të hetuara pikërisht nga FBI.

Dokumentet e bëra publike, përshkruajnë rastet e gjobëvënies, dhe ato gjithashtu tregojnë admirimin e Preslit për FBI-në. Gjatë një vizite që Presli kreu në selinë e FBI-së në vitin 1971, muzikanti “foli pozitivisht” për agjencinë, dhe nuk ofroi “në asnjë lloj mënyre” shërbimet e tij, sipas një memoje të FBI-së.

Gjithashtu përmendet edhe aeroplani i Preslit, dhe një marrëveshje biznesi që përfshte avionin. Ekspertët e Elvis, thonë se dokumenti nuk përmban prova që sugjerojnë se Presli është ende gjallë. “Këto dosje të FBI-së, janë në dispozicion të publikut. Unë i kam ato. Nuk ka asgjë në to”- tha Patrik Lejsi, një studiues i Elvis Presli i cili shkroi librin “Elvisi i dekriptuar”, i cili çmonton teoritë konspirative rreth vdekjes së këngëtarit.

“Të gjitha dëshmitë flasin për një vdekje – provat mjekësore, raporti i dëshmitarit okular”- tha Lejsi për “Time”. “Të realizoje insenimin e vdekjes së tij, do të kishte kërkuar heshtjen dhe shërbimet e qindra në mos mijëra njerëzve ndër vite”.

Të tjerë tregojnë si dëshmi gurin e varrit të Elvisit

Përveç raportimeve për parjen e tij gjallë, skeptikët flasin për ato që ata këmbëngulin se janë gabime nga familja Presli në intervistat e dhëna për mediat, dhe një emërtim dukshëm i gabuar në gurin e varrit të mbretit të rrokut, si dëshmi të falsifikimit të vdekjes së tij.

Skeptikët thonë se emri i mesit i Preslit, është shkruar qëllimisht gabim – Aaron në vend të Aron – pasi vendosja e emrit të tij të vërtetë, do të ishte tabu në kushtet kur ai ishte ende gjallë. Çmontuesit e miteve, thonë se Elvis filloi të shkruante emrin e tij të mesëm Aaron në vend të Aron, gjatë viteve të fundit të jetës.

Ata gjithashtu thonë se Lisa Maria, vajza e këngëtarit shmangu pyetjen e Larri King gjatë një interviste të vitit 2003, kur ai e pyeti nëse ndjen ndonjëherë se po “komunikon” me babain e saj.

Ndikimi i teorive të komplotit mbi Elvisin

Teoritë e konspiracionit, shkaktojnë një dhimbje të panevojshme për familjen e Preslit, tha Lejsi, që e quan veten një “fans të madh të Elvisit”. “Unë po merrem me këtë çështje pasi nuk kam asgjë më të mirë për të bërë. Unë besoj se njerëzit që thonë se Elvis është ende gjallë, po i bëjnë një dëm të madh imazhit të atij dhe familjes”- tha ai.

“Imagjinoni të jetoni gjihë jetën mes deklaratave se babai juaj bëri të gjitha këto gjëra, dhe se ai mashtroi fansat e tij. Vdekja e Elvisit, lëndoi shumë njerëz. Dhe ende lëndon. Ju duhet të pyesni se çfarë lloj personi do të ishte Elvis, për t’i punuar këtë rreng fansave të tij?”.

Shumica dërrmuese e amerikanëve, besojnë se Presli vdiq në të vërtetë në vitin 1977. Një sondazh i Gallup i kryer në vitin 1997, gjeti se vetëm 4 për qind e amerikanëve mendonin se Presli ishte gjallë, ndërsa 93 për qind e të anketuarve ishin të sigurtë se ai ka vdekur.

Megjithatë, Brjuer –Xhorxho mbetet e vendosur në qëndrimin e saj. Gruaja nga shteti i Xhorxhias, që tha se nuk ka asnjë album të Elvis, dhe nuk zotëron asnjë kujtim mbi të, këmbëngul se gjetjet e saj bazohen në fakte dhe jo në ndjesi.

“Unë e di që ai e ka bërë realisht këtë gjë”- tha ajo. “Bota duhet të dijë se Elvis Presli e vuri jetën e tij në rrezik. Mendoj se është e trishtueshjme që ne nuk dimë gjithçka mbi Elvisin. Nëse unë nuk e bëj këtë për Elvisin, askush tjetër nuk do ta bëjë”.

Burimi: “Time”

Në shqip: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button